Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

HAJDUTËT MODERN

Nga “Hajduti i Bagdatit”me famën e lashtësisë, 
deri tek i madhi “Ali Baba me dyzet hajdutë”,
vidhnin me duart e rrezikshme të shkathtësisë,
kurse sot hajdutët modern, vjedhin me trutë.

Këta lloj hajdutësh, nuk vjedhin disa persona,
shterojnë venat e gjakut, një populli të tërë.
Rrëmbejnë troje, fshijnë nga regjistrat prona,
lënë disa breza njerëzish, si peshqit mbi rërë.

Dhe vjedhjet i kryejnë me rrjeta peshkatarësh,
veçse ato s’kanë fije najloni, si në peshkim,
por shkresa mashtrimi, me firma zyrtarësh,
hedhur nga varg hajdutësh, në bashkëveprim.

Si mund të gjendet mënyra për të shpëtuar,
nga specia e këtij vesi, që dënon gjithë bota?
Dikur hajdutëve të dorës, u priteshin duart,
Pra, hajdutëve të trurit, u takon t’u pritet koka.

Por e keqja më e madhe e kësaj mundësie,
qëndron, kur kokëprerësit janë vet hajdut.
Meqë ata s’mund të presin kurrë kokat e tyre,
si duhen dënuar hajdutët, që vjedhin me trutë?…

 

THA WHITMANI PARA LAMTUMIRËS:
(Walt Whitman, poet amerikan)

Shëtita të gjithë kontinentet, globit rrotull,
vizitova objekte, dhe mrekulli mahnitëse,
njoha tradita dhe ngjyra lëkure në popuj,
pashë botën në skena argëtimesh zbavitëse;

Por asnjë s’më mbeti në kujtesë, aq fiksuar,
sa fytyra e asaj dashurie të papërsëritshme,
çastet kur përjetova emocione të paharruar,
që ua kalonin të gjitha mrekullive mahnitëse.

Kjo ndjesi e përveçme, qenka aq e fortë në jetë,
sa persona të dashuruar, gjer në fiksim marrëzie,
kur humbasin shpresën për dashuri të vërtetë,
i japin fund jetës, ose bëhen pacientë psikiatrie.

Dua t’i lutem zotit, në fund të jetës tokësore,
të më bëjë një orakull, të kohërave moderne,
që diku në brendësi, të ndonjë shpelle malore,
të ngjitem majë shkëmbinjve, me suferina ere;

T’i bëj gjithë botës këtë predikim, ta përhapin retë:
O njerëz, për mallra dhe troje, shumë mos lakmoni,
se vetëm dashuria do u mbetet pasuri në fundjetë,
të tjerat s’i vlejnë shpirtit, as, sa një puthje pasioni!…

Se nga të gjitha të mirat, për të jetuar si perëndi,
mirësia kryesore është, të jetosh me dashuri!…

 

SHOH VDEKJEN TE DISA NJERËZ

Disa njerëz aspirojnë fitim, në çdo frymëmarrje,
të etur për miliarda deri në qarkullimin e gjakut.
Rrëmbejnë, zhvatin me tendera fare pa kokëçarje,
depozitojnë para mashtrimesh me hedhjen e lakut.

Harrojnë se kapitalet e krijuar në kohë të shpejtë,
kanë brenda jo vetëm vdekjen e njerëzve jetëprerë,
por dhe vdekjen e tyre, të pashmangshme në jetë,
si të urryer e të mallkuar, nga varfanjakët e mjerë.

Ky shkak, më bën të shkruaj, si nuk më pëlqen,
kur shoh imazhin e vdekjes, në individë të veçuar,
se ndijimet, që më shfaqen në sy, çdo moment,
më tregojnë qartë, fundin e tyre të paracaktuar.

Shoh në fytyrën e zyrtarit mashtrues, vdekjen e tij,
siç dalloj tatuazhin në cipën e lëkurës së njerëzve.
Them, këtë aftësi timen, mos e pastë tjetër njeri,
se do i shkonte jeta, sikur të ishte rojtar varreze.

Vdekjen e shoh qartë, te mëkatarët pa përjashtim,
dikush e ka te vështrimi mortor, që i rrëshqet në sy,
dikush tjetër, te urrejtja që shpërndan, pa përtim,
ndonjë te firma e shitur me para, studentëve të tij.

Vdekjen e shoh kudo, ku ngre kosën e mprehtë
edhe ajo më sheh tinëz e shpesh ma bën me sy,
duke më dhënë të kuptoj, se nuk e ka të lehtë,
të më thotë: Eja, ta ndal frymën protestuese dhe ty!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s