Roman që mban mijëra magji që gurëzojnë  (Rreth romanit të Anton Nikë Berishës “La sete pietrificata” (Gjin Bardhela i Arbëresh,  Etja e gurëzuar). Romanzo.) – Giovanni Pistoia / Traduzione Albana Alia. Pellegrini Editore Cosenza 2013)

Roman që mban mijëra magji që gurëzojnë

 (Rreth romanit të Anton Nikë Berishës “La sete pietrificata” (Gjin Bardhela i Arbëresh,  Etja e gurëzuar). Romanzo. Traduzione Albana Alia. Pellegrini Editore Cosenza 2013)

 

 Nga: Giovanni Pistoia

Gjithçka zë fill në Maqi, një vend real, irreal, surreal, metafizik, në vjeshtën e vonë të një stine pa moshë, para se të binte errësira pa hije e perëndimit. Një burrë, i brishtë si një enë prej balte, përpiqet të mbledhë copëzat e ekzistencës së tij të shpërndara nëpër dhomën përballë detit. Çdo fragment sfilitet në historinë e vet, që zhytet në kohët e lashta, në një të kaluar prej kufijsh të qartë e të paqartë, arkaikë, mitologjikë. Përpjekja e fuqishme dhe ambicioze, përtej të mirës dhe të keqes, është të bashkojë përsëri copëzat për të rikrijuar vazon, në mënyrë që ajo të mbetet akoma e tillë, e zbukuruar nga eksperienca e udhëtimit të saj të gjatë. “ Jeta është çka bëjmë prej saj. Udhëtimet janë udhëtarët. Ajo që shohim nuk është ajo që shohim, por ajo që jemi”, shkruan Pessoa.

Jo, unë nuk do të them asgjë në lidhje me romanin Gjin Bardhela të Anton Nikë Berishës, një vepër e botuar në vitin 2002 në Prishtinë dhe në Itali në vitin 2013 nga shtëpia botuese Pellegrini që, falë përkthimit nga Albana Alia, shumë të tjerë, tashmë kanë shkruar dhe analizuar punën e Berishës me mjeshtëri dhe përpikëri; unë nuk do të mund të shtoja asgjë origjinale, madje do të rrezikoja të shkaktoja ndonjë dëm në një shkrim të tillë të përpunuar, kuptohet qartë, me kujdes të veçantë, me mundim dhe gërmim në brendësi të vetë autorit. Pse, në fakt, bëhet fjalë për një punë komplekse, të rrjedhshme, të thellë, plot me intensitet shpirtëror me një shumësi tepër të rëndësishme elementesh historike, përrallore, mitologjike, filozofike, antropologjike, gjuhësore, psikologjike dhe psikoanalitike.

Nuk mund të them asgjë, edhe për faktin se do të duhej të ndalesha gjatë për të analizuar ngjarjet e rrëfyera përmes të cilave shpalosen histori të ndryshme, tradita, fakte, episode; do të ishte njësoj sikur të mos i jepej mundësia lexuesit që ta shijonte vetë këtë lexim, për të marrë pjesë në ndodhitë e protagonistit, i cili ndërmerr rrugëtime të gjata, që humbasin nëpër labirintet e kohës dhe hapësirës.

Anton Nikë Berisha

Ndër të tjera, Gjin Bardhela i arbëresh. Etja e gurëzuar, është një roman me një mijë aspekte, me implikime të panumërta; një roman me ndërthurje, ku një kujtim tërheq të tjerë, ku imazhi i një vajze sjell ndërmend valle dhe këngë, dhe ku vallet dhe tingujt u japin kuptim dhe vlerë atyre që gjenden në kujtesë, në veçanti kujtimet e një populli në arrati për shkak të ngjarjeve historike të parrëfyeshme. “Këngët janë qenia e popullit; janë shpirti i shpirtit të tij. Pa to njeriu ynë zhduket si krypa në ujë!”; “Këndimi i të hequrave dhe i pësimeve i kanë bërë të vetëdijshëm gjindjen tanë për jetë; i kanë përgatitur për të mbijetuar.” E më tej: “Edhe në ethe valljet nuk harrohen. Kush i harron, harron frymëmarrjen. Pa to e pa gjuhën s’ka më arbëreshë.”

Bota e evokuar nga Berisha është, në fakt, bota arbëreshe dhe Toka e Paraardhësve, që në roman përgjithësohen.

Do të jetë lexuesi, i marrë për dore nga pena e rrjedhshme e shkrimtarit, që do të zhytet në këto faqe, që kanë ritmin dhe patosin e një “libri të verdhë” emocionues. Do të jetë lexuesi që do të udhëtojë, së bashku me protagonistin e mërzitur, të shqetësuar, të mallkuar, shumë të ndjeshëm dhe të shndërruar në skenarë të ndryshëm dhe të papritur, në kërkim të jetës, pa e ditur që a është tashmë i vdekur. “Sepse atij [njeriut] nuk ia shton forcat zotërimi i së vërtetës, por kërkimi i saj: vetëm këtu qëndron përparimi i përhershëm i përsosjes së tij” shkruan Lessing që, jo rastësisht, citohet nga autori në hyrje të librit.

Roman me një ndërtim të guximshëm, ku përzihen lidhje dhe elemente jetësore nëpër botë të ndryshme: duke filluar që nga kujtimet e fëmijërisë (e mrekullueshme figura e Gjyshes Mri, mbrojtëse e flaktë e traditave më të rëndësishme) deri tek ato më të largëta në kohë, të lidhura me historinë e lashtë të popullit të vet dhe të trimave të tij, me shpirtrat e paraardhësve, me shijen stërgjyshore dhe misterioze të tokës mëmë. Një vend ku gjithkush do të dëshironte të jetonte dhe të vdiste. Në një mit të përkujtuar, gjarpri nuk dëshiron të shpëtojë veten nga zjarri që po djeg pyllin: “Nuk munda se në këtë vend kam lindur, këtu jam rritur e këtu desha të vdes!”

La sete pietrificata”

Një arkitekturë si shkallare spirale, por me shkallë të çrregullta, të pasigurta, të palidhura, të mbivendosura, ku ngjitja dhe zbritja është e vështirë; një strukturë e konsiderueshme dhe e butë, ku ndërthuren tradita, zakone dhe rituale magjike të largëta, shumë të largëta dhe që i përkasin hapësirave të ndryshme; figura reale dhe fantastike: zana, nimfa, orë (figura mitologjike femërore) gardianë, rapsodë epikë dhe këngë të tyre të dhimbshme dhe prekëse.

E gjithë kjo, por edhe më shumë, haset në rrugëtimin retrospektiv dhe të dhimbshëm të protagonistit të romanit, i cili kërkon në vetvete, në dinamizmin, pak rëndësi ka nëse është i ndërgjegjshëm apo jo, të nënvetëdijes, të pavetëdijes, për të mos thënë, mbi të gjitha, në pavetëdijen më të thellë. Nuk është rastësi që mitet, legjendat, ëndrrat, ankthet e këqija dhe simbolet e rëndësishme sulmojnë mendjen e ndezur të protagonistit, i cili përballet me çdo problem vetëm e vetëm që të rifitojë dritën, qetësinë, jetën, duke u përpjekur të vrasë me armë vetë vdekjen. “Po. Vdekja nuk mundet me jetë. Ajo mundet me vdekje! Mbi të nuk ngadhënjehet ndryshe.”

Dritë. Shpesh drita rikthehet nëpër vuajtjet e errësirës. Është aspiratë e vazhdueshme që rishfaqet nëpër faqe, edhe në ato më melankoliket (mjafton të përmenden përshkrimet e hidhura dhe të ashpra të të vdekurve që dalin nga varret nëpër varreza). Qëllimi është të arrihet drita, edhe nëse kjo gjë kërkon sakrifica të mëdha. Berisha i falet poezisë (takimi me poetin De Rada nuk është i dorës së dytë në ekonominë e librit):

 Giovanni Pistoia

Në shtegtimin e pafund
ëndërroj ngjitjen në diell
e me peshën e udhëve
vij e ndalem
në etjen tënde.
Në lumin e mallit
shtegtimi e rizgjon këndimin
e vetimave me vjeshtë

T’i vështroj sytë
e më bëhet se i kam parë
gjithmonë:
stinë të gurëzuara
që derdhin
në bebëza
etjen e plagosur
të dhimbjes sime

Pastaj
në zemër të vatrës
zemrën ma lëshon
e ngarend suvalëve
me pishën e ndezur të largësive
Pesëqind vjet
O pesë mijë
Një
GJAKU YNË

Një udhëtim i gjithi në brendësi të vetes për të arritur thelbin e jetës, kuptimin e ekzistencës. Ne nuk jemi vetëm prej mishi, kockash, uji, gjaku, por prej rrënjash, të njohura dhe të panjohura, të afërta dhe të largëta. “Pa të kaluarën njeriu është si pema pa rrënjë. Secili, dhe në varr, bart ngjarje, kujtime e dhimbje të veta dhe të gjindjes që u përket.”

Ndërgjegjësimi se asgjë prej nesh nuk humbet përgjithmonë, që gjurmët, fara, shpirti (një term që përdoret shpesh në faqet e romanit) do të trashëgohen nëpër kohëra, të ndihmon për të jetuar dhe për t’i dhënë dinjitet jetës. Ashtu si të parët tanë na transmetuan bagazhin e tyre të madh, që përmbante edhe shumë mistere.

Rezultati është që të mblidhen bashkë gjithë copërat e thyera, të shpaloset nëpërmjet zbulimit të vetvetes, madhështia e njeriut, qoftë edhe nëpërmjet brishtësisë së tij të frikshme, prania e tij e pafundësishme në kupën e madhe kozmike.

E kam të vështirë të mos rrëfej në detaje ankthin e protagonistit, por, siç parashtrova më lart, më duket më e drejtë që të jetë lexuesi ai që do të përhumbet mrekullisht në vorbullat e trazuara edhe të figurave të tjera që e bëjnë leximin sugjestiv, përfshirës që në rreshtat e para. Mund të them vetëm se protagonisti, Gjin Bardhela i Ndre Bua Petës, nuk është asgjë tjetër përveç alter egos së Berishës.

Është pikërisht Berisha protagonisti i vërtetë, real i romanit. Është pikërisht ai udhëtari, gërmuesi, eksploruesi. Dhe djersa që rrjedh me bollëk në këto faqe është ajo e Antonit, dhe mund të them pa frikë se ky udhëtim, i tij, i ka kushtuar shumë mundim. Nuk është rastësi që përgatitja e veprës zgjati shtatë vjet. Shtatë, një numër që përdoret shpesh nga Antoni. Mendoj se shumë herë, duke u zhytur në humnerat e kujtimeve dhe në përsiatjet dhe në përmbytjet e popullit të tij, Berisha ka ndjerë një dhimbje të ngurtësuar.

Mendoj se shumë herë Berisha ka ndjerë njësoj si në vargjet e poeteshës gjermane Mascha Kaléko “Nostalgji për tjetërkund / të cilës nuk mund t’i shpëtosh: / nostalgji për t’u ndjerë brenda, nëse je jashtë, / për të qenë jashtë, nëse je brenda.”

I gurëzuar. Një term që shoqëron gjithë romanin. Duke filluar prej titullit, Etja e gurëzuar, i gurëzuar mbetet protagonisti kur braktiset nga roja e vet, i gurëzuar është mëngjesi, Gjini, protagonisti ndihet si i gurëzuar nga zana a malit, gjithmonë Gjini është i detyruar të ecë për të shmangur gurëzimin, qetësia ndiqet nga një lloj frike e gurëzuar, “Stinë të gurëzuara” është titulli i poezisë që De Rada i dhuron protagonistit, duart e Gjinit janë të gurëzuara, zërat janë të gurëzuara, dashuria gurëzohet, gurëzohet dita, gurëzohet Gruaja që Gjini vështron, Gjini mbetet i gurëzuar, i palëvizshëm në rrugë, një lloj balte e gurëzuar mbulon duart e Gjinit; për të arritur te kapitulli i fundit “Etja e ngrirë në buzë”, shkëndija e fundit e një qiriu të ndezur shfaqet si një “kafshim, që i përngjante etjes së ngrirë në buzë.”

Është për t’u çuditur përse Berisha ngul këmbë kaq shumë në këtë imazh që i referohet gurit (guri që shfaqet disa herë në libër), rrasat (pllakat) mbi të cilat gdhenden fjalë që sfidojnë kohën. I gjithë rrugëtimi për të zbuluar vetveten është aq i vështirë dhe i rëndë sa guri, shpesh kërkimi për të vërtetën është më shumë i rëndë dhe i nevojshëm sesa vetë e vërteta. Berisha përdor me kujdes fjalën, e ngarkon atë me kuptime të rënda, i beson asaj detyrën për ta bërë tekstin më sugjestiv dhe tërheqës dhe shpesh fjalia bëhet varg, lirizëm i pastër, kënaqësi për ata që kanë shije të veçanta.

Nuk është rastësi që Poeti i tij i dashur shkruan poezi mbi rrasa guri. Romani përmban mijëra magji që gurëzojnë. Vetë romani të jep përshtypjen sikur është shkruar mbi një rrasë guri të lëmuar si dëshmi e ankthit për të mposhtur kohën (“Arti nuk di për kohë, prandaj as përftuesit e tij nuk plaken”) dhe, në të njëjtën kohë, për të dëshmuar sa dhimbje të ngurtësuara kushton çdo udhëtim, edhe pse i domosdoshëm, për të mësuar si të jetosh dhe, mbi të gjitha, duke përmendur Seneken, për të mësuar si të vdesësh.

Duke kujtuar Borgesin, për të arritur në qendër, te algjebra ime, te çelësi im, te pasqyra ime. Në fund të fundit, romani është një këngë e gjatë që, nga fillimet e shpirtit, përmes miteve, legjendave, episodeve imagjinare, arrin deri në ditët tona, në jetën tonë të përditshme të ngjizur, na pëlqen apo jo, me ëndrra dhe realitet; një këngë që na sjell përpara pasqyrës sonë ashtu siç duket (dhe dukemi) në shikimin e mëngjesit të hershëm që nuk është gjithmonë një agim i ri.

Shumë shpesh, shkruan De Rada në një nga poezitë që Berisha i paraqet si të poetet të madh arbëresh, vdiset me etje dhe pa fjalë. Është një rrezik që synohet t’i shmangemi duke shuar etjen nëpërmjet magjisë së fjalës, e cila kurrë si në këtë roman është gur. Gurë, ato të Berishës, që pavarësisht shfaqjeve, janë të mbuluara me myshk të freskët me vesë dhe kërkojnë dritën, guralecë që poeti dhe shkrimtari tepër i ndjeshëm i konsideron kokrra lotësh të tharë.

(E përktheu nga italishtja Albana Alia)

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s