Cikël poezish kurbeti nga Nehat Jahiu

 
Cikël poezish kurbeti nga Nehat Jahiu
 
 
LARG ATDHEUT
 
Larg atdheut i shkrumbuar
Larg vendlindjes i larguar
Vitet të kaluan, o vëllai im
Atje larg në të hidhurin mërgim.
 
Të thonë se ti je ai mërgimtari
Që për atdhe të dogji malli
Shpirti të është bërë shkrumb e hi
Sa shpesh vendlindja të thërret ty.
 
Të do ty aq shumë mërgimtari
Që po digjet flakë nga malli
Dashurinë atdheu nuk e harron
Me mallin e mërgimtarit të kujton.
 
 
 
NGA ZEMRA NUK TË KAM LARGUAR
 
Për bukën e gojës, për një kafshatë
Ne ikëm nga vendi ynë, nga vendi i lashtë
Ikëm atje ku lulet nëpër shira lagen
Ku nuk ndiej shije dhe nuk çmallem.
 
Nuk e di as vetë sesa më janë shtuar thinjat
Kur më ka dalë përpara e shenjta vendlindja
Sa herë më kujtohet buka e misrit aty tek magjja
Shpirtin ma djeg kur më kujtohet nana.
 
Kurrën e kurrës nuk mund të harroj, o vendi im
Nuk do të harroj derisa të shkoj edhe në amshim
Kurrë nuk t’i harroj të bukura fushat e malet
Mirësinë që kishim kur kositnim livadhet.
 
Eshtrat m’i ka djegur kurbeti e m’i ka bërë hi
Më ka djegur malli si gjithmonë për ty
Kaluan shumë vite që prej teje kam shkuar
Por kurrë nga zemra atdhe nuk të kam larguar.
 
 
 
DERISA TË JEM GJALLË
 
Çfarë ka sot shpirti që më shpërthen si vullkan
Asgjë nuk më pëlqen që unë këtu kam
Dielli e hëna nuk më bëjnë dritë
Nuk mund ta shoh kur është natë a ditë…
 
Për çdo natë në ëndërr më del përpara livadhi
Më digjet zemra, sa shumë më ka marrë malli
Gurgullimën kur e dëgjoj atje larg tek lumi
Para syve për çdo natë më del i bukur katundi.
 
Ëndrrat i shoh duke cicëruar diku në Çabrat
E unë deri kur, këtë dashuri nuk po e kam ngat
Dashurinë që dua ta ndiej në shpirt, ta shoh me sy
Vend më të bukur nuk ka askund vendlindje se ti.
 
Dua ta prek vendindje, ballin tënd me rrudha
Të përqafoj unë mërgimtari me mall nga udha
Që nga nga ajo ditë që ika atje larg në mërgim
Flakë më është djegur edhe ky shpirti im.
 
Deri kur a thua ti vallë…
Do më djegë mua kjo dashuri e ky mall
Nuk mundem kurrë e kurrës të mungoj
Edhe pse derisa të jem gjallë, do të kujtoj.
 
 
 
FLUTURO SHQIP
 
Fluturo shqipe atje larg në ata gurë e dhe
Të ulem tek “Kroi i ftohtë” atje, ku kam le
T’i shëroj plagët e Gjergj Elez Alisë
Tek tokat e mia të lashta të Arbërisë.
 
Fluturo shqipe në ato shkrepa, atje në maje
T’i shohim ato fusha e ato male
T’i shohim së bashku lulet që aq shumë kanë erë
Ta shoh të dashurën, të bukurën pranverë.
 
Eja shqipe, të fluturojmë sot unë e ti së bashku
Se na presin fushat e malet, na pret atje konaku
T‘i përqafojmë ato fusha të bukura e ato male
T’i shërojmë plagët e kurbetit, ikjet e ardhjet.
 
Të shkojmë shqipe atje larg në vendin tonë
E kurrën e kurrës atdheun mos ta harrojmë
Ta shohim diellin, ta shohim hënën
Ta përqafojmë te pragu i derës edhe nënën.
 
Sa shumë më ka plakur, o shqipe mërgimi
Sa i dashur është vendi im që më lindi
Këtë mall dua ta marr me vete atje ku kam le
Atje të shkoj tek i imi varr, tek i imi Atdhe.
 
 
 
KU BILBILAT KËNDOJNË SHQIP
 
E lashë një ditë unë vendin tim
Larg tij ika, larg diku në mërgim
Gjithnjë po kaloj udhë e trishtime
Duke mos i harruar të miat kujtime.
 
Shoqërinë time aty unë e kam lënë
Ku më pret i shtrenjti im mëmëdhe
Bukën e misrit e kujtoj në magje
Më djeg malli për fusha e male.
 
Dua që unë një ditë në vendlindje të vij
Atje në tokën e të parëve unë do të arrij
Ku bilbilat këngën shqip e këndojnë
Ku trojet e veta kurrë nuk i harrojnë
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s