Poezi nga Petraq Risto

 
Poezi nga Petraq Risto
 
 
SAGA CINIKE E KLONIMIT 3
 
Një mëz i bukur i klonuar me një re të bardhë
(loz një re në ballin qimendritur)
Nesër do mësojë abetaren e nënshtrimit
algjebrën e kamxhikut,
filozofinë e frerit në dhëmbë
domosdoshmërinë e këpucëve prej hekuri:
                                                            Kalëkrisht i gozhduar.
Do mësojë pak histori: kalin Kali…Gula(g) e bëri senator
Me një kalë druri Odiseja pushtoi Trojën.
 
Pastaj do mësojë rrugët
do shohë veç përpara:
                              (majtas dhe djathtas shikojnë veç njerëzit)
Si të gjithë nxënësit mëzi do bëjë pyetje
po përgjigjet do mbeten pakuptim: tagji prej ari.
Vonë shumë vonë
kur mëzi të mplaket
do kuptojë:
loja me të qe më e bukur
se loja e Odisesë dhe Kali…Gula(g)…
 
 
 
Festivali i qershive në lulëzim (1)
 
Lulet e qershive: mollëza qiellore prekin ajrin e kthyer në “ah!”
Qershi të lehta si krahë vallëzimi: u hedh dhe unë njërin krah.
Kjo degë qershie çan errësirën me klithmën e saj të bardhë
Kjo degë qershie është rruga nga kam ardhur…
Ah, sikur dhe rruga ku do shkoj të jetë një degëz qershie!
 
 
 
NGA ARA NË DET...
 
Ajo ara e vogël me grurë pak metra buzë detit
Det grunjrash, det dallgësh garonin njeri – tjetrin
Dhe ne të dy vraponim, notonim e qeshnim.
Herë ishe lulëkuqe, herë isha spirancë
Herë bëhesha baticë, herë fryje bunacë
Në detin e grunjrave lundroje si varkë
Oh, ç’kallëz e artë në detin me dallgë…
 
Vrapoja pas gjurmëve nga ara në det
Gjurmët nata i mbushte me vesë:
Baptistera ku laheshin zogjtë në mëngjes
Pagëzoheshin për festë.
 
Ca vëth xixëllonjash në trup të kallinjtë
Xhelozë bënin yjet çdo darkë
Fenerë xixëllonjash kthejnë detin në shpirt
Kur isha feneri, ti bëheshe varkë:
Lulëkuqja mbi kallëz – velëz në flakë.
 
Shtriheshin dallgët në breg soleminisht
Të gatshme të bëheshin vello çdo natë
Orkestër kishim ca pipëza kallinjsh
Në mes unë dhëndrri me grunajën – këmishë
Me lulëkuqen – kravatë.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s