DITLINDJA E DASHURISË (ËSHTË E JOTJA KJO RRUGË) / Fragment nga poema “ËSHTË NJË RRUGË NË GJIROKASTËR” e autorit Petro ÇERKEZI

 
Poezi nga Petro ÇERKEZI
 
 
 DITLINDJA E DASHURISË
(ËSHTË E JOTJA KJO RRUGË)
 
Kemi ditlindje sot, ditlindjen e dashurisë.
gjithë ditën kërkoja,
endesha si i marrë të gjej një dyqan lulesh,
të gjej një lulishte, një park
një kopsht të virgjer, një lirishte të ndritur
ku thurrin zogjtë pëlhurën e ëndërrt të ligjerimit
por asgjë nuk gjeja
veç trishtimit
të lidhur buqetë
në çdo kthesë rruge
në çdo ballinë shtëpie,
në çdo oborr
në çdo shteg.
Qytet i murmë me dhëmbë prej guri
sa zemërgur je,
si e përtype me kaq mëri
gjithë lulërinë e stinëve?
Një perandori guri
thua se zemra e këtij qyteti
nuk e njohu kurrë fisnikërinë e dashurisë
thua se në shekuj çapitej kështu
nëpër brigjet shkëmbore të shterpësisë.
Erdhi prilli, the ti atë ditë
tek shihje një vogëlushe që vraponte
me dy luleshqera mbi leshra.
Erdhi prilli.
diku na buzqeshi ajo krijesë pranverake
sikur të na ftonte: më shoqëroni,
më përqafoni
dhe humbi rrugën
dhe ne na mbeti përgjysëm përqafimi.
Kemi ditlindjen e puthjes së parë
kemi ditlindjen e hënës së parë
që na rrëmbeu në krahë
dhe na vërtiste në lëmin marramendës të valles.
Kemi ditlindje. Gjithë ditën endesha
për një buqetë…
Hapat e mia shkruanin urime mbi kalldrëme,
mbi gurë, mbi mal
mbi gjithë ballinat e trishtimeve
vetëm një lule nuk gjeta
t’i frymoj me flladin e zemrës sime.
Vetëm një akacie atje ndënë kala
atje në rrëzë të shkëmbit
sikur më ftonte, jam dhe unë këtu
eja të të fal fenerët e lilakëve
që të ndriçosh rrugën mbrëmjeve,
që të kundërmoj bukurinë e puthjeve.
Mbrëmja zbriti me shumë yje
dhe asnjë lule.
Sa yje o perëndi!
I numëroja dhe më dilnin tepër,
ishin dhe ato që këputa nga varësja
e gjirit tend
dhe ato të tjerat si smeralde
nga byzylyku i fatit
këputa një degëz me yje
dhe ta vara në qafë,
ishte atje dhe medalioni i hënës
nga puthja jonë e parë
ajo që na kishte hyrë çapkënçe mes fytyrave
me puthjen e parë
ajo që ishte shkrirë në nektarin e buzëve
ajo që kishte dallgëzuar si një det
në gotat e verës
që rrëkëllenim pafundësisht.
Gishtat argjendonin prej përkëdheljeve,
s’ kishin këmbyer unaza dhe argjendonin
s’ kishim veshur asnjë unazë fejese
dhe argjendonin mrekullisht.
Hapje buzën me solemnitetitn
e lirishtave të mait
dhe i buzqeshje mëngjezit tim
dhe i buzqeshje rrugës
dhe ajo shkallë e përndritur nga zbrisje
ishte shkalla e lumturisë sonë
që ngjitej gjer në qiell.
 
Fragment nga poema “ËSHTË NJË RRUGË NË GJIROKASTËR” 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s