REXHEP HOXHA, FIGURË KOMPLEKSE E LETËRSISË DHE ARSIMIT KOMBËTAR (Në përkujtimin e dyvjetorit të vdekjes) / Nga: Kagrush Radogoshi

 
REXHEP HOXHA, FIGURË KOMPLEKSE E LETËRSISË DHE ARSIMIT KOMBËTAR
 
(Në përkujtimin e dyvjetorit të vdekjes)
 
Rexhep Hoxha është njëra ndër figurat më komplekse të arsimit, kulturës dhe letërsisë shqiptare, prandaj figura e tij duhet të studiohet në shumë aspekte. Në këtë kumtesë, të mbajtur në 90 Vjetorin e lindjes dhe 60 Vjetorin e botimit të romanit të parë për fëmijë në Kosovë do ta trajtoj në dy aspekte. Së pari do të trajtohet shkurtimisht kontributi i tij i çmueshëm në arsimimin kombëtar, së dyti do të trajtohet receptimi shumëvjeçar dhe poetika e romanit “Lugjet e Verdha”.
 
Edukatori, ligjëruesi i letërsisë së vjetër shqipe dhe Letërsisë për fëmijë dhe të rinj
 
Në shtatorin e vitit 1967 në Gjakovë u hap Shkolla e Lartë Pedagogjike me tri grupe studimi: Grupi i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Grupi i historisë dhe gjeografisë dhe Grupi i matematikës. Një vit më vonë u hap edhe Grupi i biologjisë dhe kimisë. Kjo ishte e vetmja shkollë e lartë në ish Jugosllavi, ku mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën shqipe. Duke qenë e tillë, kjo shkollë pat studentë nga tërë hapësira shqiptare në ish Jugosllavi, duke filluar nga Ulqini e gjerë në Strugë. Në këtë aspekt ishte një faktor kohezioni në mes të studentëve të trevave shqiptare, të cilat sapo kishin hequr qafe politikën e Aleksandër Rankoviqit.
Njëri ndër profesorët e shquar në Grupin e gjuhës dhe letërsisë shqipe ishte Profesor Rexhep Hoxha, i cili na ligjëronte Letërsinë e vjetër shqipe dhe Letërsinë për fëmijë dhe të rinj. Kanadezët e përdorin një idiomë karakteristike për të shprehurit e shkurtë, por të ngjeshur në aspektin kuptimor “në një lëvozhgë arre” (in a nutshell), e cila nënkupton një letër të vogël e të shkruar, të cilën mund ta zë një lëvozhgë arre. Në kontekstin e kësaj idiome për profilin e pedagogut Rexhep Hoxha mund të themi: kompetent në aspektin shkencor gjatë ligjërimit, edukator ngulmues për formimin edukativ dhe patriotik të studentëve, ngulmues në ngritjen e nivelit shprehës të studentëve në të folur e sidomos në të shkruar, rigoroz dhe i pa kompromis në kriterin gjatë vlerësimit të studentëve, parimor në të menduar dhe në të vepruar, jo konformist me të keqen, të ultën, të shëmtuarën. Një shembull konkret: në afatin e qershorit të vitit 1968 afër 70 studentë të Grupit të gjuhës dhe letërsisë shqipe hymë në provimin me shkrim në lëndën Letërsia e vjetër shqipe dhe kaluam vetëm katër veta. Prej tyre njëri ra në pjesën me gojë dhe përfundimisht kaluam tre veta. Ky model i profesorit më ka shërbyer në fillimet e punës sime profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe.
 
Receptimi dhe poetika e romanit “Lugjet e Verdha”
 
Romani “Lugjet e Verdha”, i botuar këtu e 60 vjet më parë, është romani i parë për fëmijë në Kosovë dhe vepra e parë letrare që kam lexuar, prandaj më lejoni të pohoj se formimi im letrar ka filluar me të. Ky roman është ndër veprat më të lexuara në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare në ish Jugosllavi. Arsyet janë dy: e para është fakti se ishte vepër e përfshirë në lekturën shkollore dhe e dyta e më kryesorja është vlera e tij e gjithanshme. Se cili ka qenë niveli i receptimit të këtij romani e dëshmojnë ribotimet e shumta dhe tirazhi i madh i tyre. Në fillim romani e kishte vetëm atë që sot është pjesa e parë, ndërsa në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar autori ia shtoi edhe pjesën e dytë.
Tematika e këtij romani është lufta në mes së mirës dhe së keqes, në mes të besës së dhënë dhe pabesisë, në mes të së drejtës dhe padrejtësisë, në mes të së bukurës dhe së shëmtuarës, në mes të lirisë dhe skllavërisë, në mes të jetës dhe vdekjes. Kjo luftë bëhet nga karakteret apo personazhet e romanit, në mesin e të cilave shquhet karakteri kryesor i romanit Shpendi i Bardhec Shpendit.
Bardhec Shpendi nga Arrnjeti vendoset i pari në sprovën e rëndë, ndërsa në sprovat tjera vendoset kryesisht Shpendi, por edhe shokët e tij të mirë qofshin njerëz, qofshin kafshë e shpend. Të gjitha këto sprova përbëjnë njësitë fabulare-kompozicionale dhe syzheike të romanit, të cilat kryesisht përbëjnë nga një kapitull romani. Të gjithë këta kapituj e kanë strukturën e kompletuar të një tregimi edhe pse janë pjesë integrale e strukturës së romanit.
Në teorinë letrare dhe në filozofinë e gjuhës termi që tregon se si prezantohet koha dhe vendi në gjuhë dhe diskurs quhet kronotop dhe është pothuajse i barabartë me termin e anglishtes “setting”, i cili nënkupton hapësirën vendore dhe kohore në të cilën autori e vendos fabulën apo syzheun e romanit. Kronotopi kryesor i këtij romani është vendosur në pozicionin e titullit të tij dhe kjo nuk është e rastit sepse në të ai e vendos botën artistike në të cilën jetojnë, punojnë, luftojnë e vdesin karakteret apo personazhet. Kronotopet tjera janë vetëm pjesë e kronotopit kryesor dhe në to zakonisht është vendosur nga një njësi fabulare-kompozicionale.
Në këtë kontekst lind vetvetiu pyetja: A është kronotopi “Lugjet e Verdha dhe pjesët e tij (Arrnjeti, Gryka e Pishtashit etj.) vetëm hapësirë gjeografike e fizike apo nënkupton edhe mënyrën e të menduarit dhe të përjetuarit, të lidhura pandashmërisht me territorin. Përgjigjja dihet. Është kjo e dyta sepse traditat dhe zakonet apo kujtesa kolektive luajnë rol të rëndësishëm. Pra, kronotopi nuk është vetëm hapësirë e jashtme, por për më shumë është një kohëhapësirë e mendjes, të cilën Marian Evans i njohur me pseudonimin George Eliot e ka quajtur “bukuria e vendit të përbashkët”. Duke qenë i tillë kronotopi luan një rol të rëndësishëm në formimin e karaktereve apo personazheve dhe veprimeve të tyre. S’ka se si të ndodhë ndryshe edhe në romanin e Rexhep Hoxhës “Lugjet e Verdha”. Në këtë roman hapësira vendore dhe kohore në të cilën vendoset syzheu, është vendi ku respektohet besa e dhënë, pa marrë parasysh çmimin e jashtëzakonshëm, që paguan personazhi Bardhec Shpendi i Arrnjetit, i cili djalin e lindur pas shtatë vajzave Shpendin ia jep Ujkut Delengrënës sepse ia kishte dhënë besën, që do t’ia jepte të lindurin e asaj dite në shtëpinë e tij me kusht që Ujku Delengrënës t’ia kthente delet e humbura në mjegull. Ç’është e vërteta Bardheci kishte menduar se atë ditë mund t’i kishte pjellë lopa dhe nuk i kishte shkuar mendja se mund t’i ketë lindur gruaja djalin e aq shumë pritur.
Toponimet, të cilat përbëjnë hartën kronotopike të romanit “Lugjet e Verdha” janë të shumta dhe nuk mund t’i gjejmë në asnjë hartë gjeografike e as historike, por mund t’i gjejmë në hartën e epikës sonë legjendare e sidomos në eposin e kreshnikëve. Mjafton të ndalemi në paragrafin narrativ me të cilin fillon romani për ta kuptuar natyrën simbolike të kronotopikës së romanit: “Në kohën e Ballhutës, të atij sundimtari të ashpër e të pashpirte, në rrafshin e sotëm të Loparit kishte pasë qenë i ndërtuar katundi i bukur Arrnjet. Oh, sa katund i bukur e kishte pasë qenë!…” Ky paragraf shumë i shkurtë është çelësi për të kuptuar natyrën simbolike të kronotopikës së romanit, por edhe natyrën e konfliktit mbi të cilin do të ndërtohen njësitë fabulare-kompozicionale dhe syzheike të romanit. Pra njerëzit e katundit shumë të bukur të quajtur Arrnjet jetojnë në kohën e një “sundimtari të ashpër e të pashpirt” dhe ky çelës semantik i sugjeron lexuesit se banorët e këtij katundi të bukur, të përfaqësuar nga Bardhec Shpendi dhe i biri i tij Shpendi do të ndeshen me padrejtësi të mëdha, sepse janë një popull i sunduar. Në këtë fakt zë fill konflikti i romanit. Gjithashtu në këtë paragraf kuptojmë ekzistencën e dy kohëve: koha e narratorit dhe koha e ndodhisë së ngjarjeve, mbi të cilat ndërtohet syzheu i romanit. Koha e narratorit është shumë më e vonshme. Këtë na e tregon koha e foljes së kryer të plotë e tipit të vjetër të gegërishtes “kishte pasë qenë” e përsëritur dy herë në këtë paragraf. Komentin për këtë paragraf mund ta përfundojmë me konstatimin: autori i këtij romani ashtu si rapsodi i këngëve kreshnike e fut lexuesin në logun ku do të ndodhin ngjarjet, i cili gjendet në një botë kulturalisht shqiptare me tërë veçantitë e saj.
Karakteret apo personazhet në romanin “Lugjet e Verdha” janë të shumta dhe të ndryshme në shumë aspekte. Në skenën e këtij romani hasim personazhe njerëz, shpend, kafshë të egra e të buta dhe gjallesa, që kanë pësuar metamorfoza të ndryshme varësisht nga mëkati që kanë bërë. Në aspektin e formimit të karaktereve apo personazheve në roman hasim karaktere dinamike siç është Shpendi dhe tre qentë e tij besnikë, të cilët rriten dhe e përfundojnë jetën e tyre gjatë romanit. Shpendi lind, rritet, formohet duke mësuar në të gjitha rastet, kur i jepet mundësia. Pjesa tjetër e karaktereve apo personazheve janë statike. Ato nuk formohen gjatë romanit, por hyjnë të formuara. Në aspektin e funksionit, që luajnë në zhvillimin e syzheut të romanit, shquajmë karakterin apo personazhin kryesor Shpendin, i cili vepron pothuajse në të gjitha njësitë fabulare-kompozicionale apo syzheike dhe karakteret apo personazhet tjera, të cilat janë episodike sepse veprojnë në një apo më shumë njësi, por jo në të gjitha. I shikuar në këtë aspekt romani “Lugjet e Verdha” na del të jetë roman i karakterit apo personazhit.
Shumica e karaktereve apo personazheve në aspektin e këndvështrimit shihen nga jashtë duke folur e vepruar, qoftë nga narratori i nënkuptuar, qoftë nga karakteret apo personazhet tjera. Narratori i nënkuptuar, prapa të cilit fshihet vet autori, e fut lexuesin brenda mendjes dhe shpirtit të karakterit kryesor Shpendit. Duke qenë pjesë të një bote simbolike, karakteret e romanit, pothuajse të gjitha, kanë karakter simbolik sepse janë sinonime të së mirës apo të së keqes, të virtyteve dhe veseve, pra janë sinonime të kategorive të kundërta morale dhe psikologjike, prandaj mund t’i ndajmë në dy grupe të mëdha ballafaqimi i të cilave në skenën e romanit krijon tension të lartë. Në njërën anë janë Bardhec Shpendi, djali i tij Shpendi, nëna e pyllit Erëmira, zogjtë e ndryshëm, të cilët e ndihmojnë Shpendin për të mbijetuar në situata rrezikshmërie (tre shokët e tij me ndihmën e të cilëve e mund Shtrigën, që kishte ndalur burimin e ujit dhe e liron vajzën e njomë Mrikën, të cilën e kishin dërguar haraç për ta ngrënë Shtriga, pastaj tre qentë e tij besnikë Galoshi, Bardhoshi e Trumoshi) dhe për t’i mundur armiqtë e tij dhe të njerëzimit në përgjithësi, të përfaqësuar nga grupi i karaktereve apo personazheve sinonime të së keqes si Ujku Delengrënës, Plaka Ugurzezë, Groshi Lapoç i shndërruar në gjysmë bretkosë e gjysmë njeri, Oskuki apo Iblisi, mësuesi që me veprimet e tij destruktive përpiqet ta shkatërrojë shkollën e famshme të Arrnaut Osmanit, Gjin Xhelati dhe shërbëtorët e tij, Paci e Peci etj.
Në romanin “Lugjet e Verdha” rendi i njësive fabulare-kompozicionale përputhet pothuaj tërësisht me rendin e njësive syzheike, sepse retrospektivat në këtë roman janë të rralla dhe jepen në formë rikujtimesh. Syzheu i romanit fillon me paraqitjen e bukurisë dhe lashtësisë së katundit Arrnjet në të cilin jetonte familja e Bardhec Shpendit, së cilës nuk i mungonte asgjë, pos një djali trashëgimtar dhe një vëllai për shtatë motrat. Pikërisht në ditën kur Ajkuna, gruaja e Bardhecit, e lind Shpendin ai gjendet duke kullotur dhentë. Bie një mjegull e dendur dhe Bardhecit i humbin dhentë. Ujku Delengrënës i premton se do t’ia gjente dhentë nëse ky do t’ia jepte besën se di t’ia jepte atë që kishte lindur në ato çaste. Duke menduar se i kishte pjellë lopa, Bardheci ia jep besën. Pikëllimi ishte i madh, kur shkoi në shtëpi dhe kuptoi se i kishte lindur djalë pas shtatë vajzave. Bardheci e mbajti besën e dhënë, prandaj ia dërgoi Shpendin e porsalindur Ujkut Delëngrënës, i cili ia dërgoi Plakës Ugurzezë për ta rritur gjerë në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare. Në të gjitha njësitë tjera syzheike tregohen sprovat e shumta të Shpendit për të mbijetuar dhe për ta mundur të keqen në cilëndo formë që ajo i shfaqej. Pas tejkalimit me sukses të gjitha sprovave Shpendi kthehet në Arrnjet, ku nuk e gjen asnjërin nga prindërit, ndërsa shtëpinë e gjen të rrënuar. Megjithatë ai takon vajzën e bukur Ermirën me të cilën vazhdon jetën. Mendimi i parë që i vjen në kokë lexuesit pasi t’i ketë rënë në fund romanit është: sado të mëdha të jenë forcat kundër vazhdimësisë së jetës, njeriu do t’i mund ato pa marrë parasysh çmimin e rëndë që paguan.
Syzheu i romanit “Lugjet e Verdha në njëfarë forma është syzhe i udhëtimit dhe kthimi në vendin e nisjes. Autori është kujdesur që ta ngjallë kuriozitetin te lexuesi në fillimin e çdo fragmenti të romanit, para se të fillojë konflikti. Narracioni gjatë tërë romanit bëhet në veten e tretë nga narratori objektiv, i cili ka arritur të jetë i besueshëm për lexuesin.
Rexhep Hoxha në këtë roman ka shfrytëzuar arketipa, motive e rrëfime nga trashëgimia jonë popullore. Gjuha e tij e narracionit epik shpeshherë di të kalojë një peizazhe lirike të një bukurie të rrallë, të cilat të shumtën e rasteve janë në harmoni me ngjarjen, që rrëfehet në atë kapitull. Një figurë tjetër e shfrytëzuar nga tradita jonë folklorike është antropomorfizimi, i cili luan funksion të rëndësishëm në rrjedhën e romanit.
Në përfundim të këtij shkrimi mund të theksojmë se duke vlerësuar kontributin e tij në arsimin kombëtar, duke vënë në spikamë receptimin intensiv dhe poetikën e romanit “Lugjet e Verdha” trajtuam dy aspekte të figurës komplekse të arsimit dhe letërsisë kombëtare, Rexhep Hoxhës.
 
 

Nga: Kagrush Radogoshi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s