Poezi nga Myrteza Mara

 
Poezi nga Myrteza Mara
 
 
NËSE NJË DITË
 
Nëse një ditë të lag shiu i trishtimit
Nën ombrellën time ke vend përherë
Aty do gjesh dhe avullin e psherëtimës
Shpirtrat tanë si muzeum me pranverë.
 
Nëse një ditë do të duhet një urë
Të kalosh pa ndrojë detin e pendesës
Mos u mërzit, varkë do bëhem unë
Me gjoksin e ndezur çajmë dhe ajzbergët
 
Nëse një ditë do të duhet kënga
Trokit tek muza ime e vjetër
Veç ngadalë, mos të zgjohet ëndrra
E vetmja pasuri që më ka mbetur.
 
Nëse një ditë do të të duhet një diell
I pastër si lotët e tu kristal
Eja, pëshpëritmë lehtë mbi mermer
Për ty do e lë jetim atë varr!
 
 
PALMA JOTE
 
Zgjodha një palmë për ta mbjellë
“Palma Jote”, kështu do e quaj
Degët e palmës-flokët e tu në erë
Vetëm nga era palmën nuk e ruaj!
 
Era është krehëri dhe rimeli i saj,
Palma me detin është dashuruar
Krahët e palmës si një kitarë
Në të gjitha stinët, si ti, e bleruar.
 
Edhe atëhere kur s’do të jem unë
Ti eja dhe çmallu nën hijen e palmës
Ajo të njeh sepse ngjani aq shumë
Siç ngjajnë mes tyre telat e kitarës.
 
Është “Palma Jote”, e ka një emër
E mbolla enkas ta kem dhe në sy
Kjo palmë shpirti mbjell në zemër
Ashtu si unë s’jeton dot pa ty.
 
 
SA PAK KËRKON TI
 
Të pyes, çfarë të pëlqen si dhuratë,
Ti hesht aq bukur dhe flet me heshtje,
Në qiellin e syve dy yje me flakë,
Të falem o Zot, mërmëris me vete!
 
E lexoj heshtjen e heshtjes tënde,
Sa pak kërkon ti, oh sa pak!
Të mjafton zjarri im prej zemre
Në detin e shpirtit edhe një varkë.
 
Por unë për ty bëhem i tëri det,
Bëhem këngë zjarri e prushëruar
Në natën e pyjeve bëhem shteg,
Bëhem edhe kalorës i robëruar!
 
Bëhem shkallë të ngjitesh tek hëna,
Bëhem burim që të shuash etjen
Bëhem shtrat të thurësh ëndrra,
Bëhem pasqyrë të shikosh veten!
 
Gjithëçka të falësh për ty ka vlerë,
Ti më ndez vetëm me buzëqeshje,
Ti ma ke bërë jetën me dy diej
Me ty i them “vdeksh” dhe vdekjes!…
 
Sa pak kërkon ti, oh sa pak
Dhe sa shumë më ke falur mua
Nën qiellin e botës, pa ty, endacak
Me ty dhe zjarrit-zjarr i jap hua!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s