SFINKSI I KUQ – Poezi nga Myftar Gjana (1960 – 2019) / Përgatiti materialin Petrit Palushi

 
Poezi nga Myftar Gjana (1960 – 2019)
 
M. Gjana ishte njeri i lirisë dhe vetëm prej njerëzve të tillë mund të përcillen kumte të tilla…
 
 
SFINKSI I KUQ
 
Ai nuk është më
Në asnjë shesh
Apo muzeum.
 
Por ndodhet kudo,
Si gazi karbonik në ajër,
Nëpër neuronet e hirta të truve,
Në sintaksën dhe leksikun e folësve,
Nëpër tekstet shkollore
Dhe emfazën e poetëve të djeshëm..
 
Ai u shndërrua nga Gjithkush prej bronzi,
Nga monument mermeri dhe emrash
Në Askush të fshehur dhe të grimcuar,
Siç e patën përshkruar në papirusët,
Si në vargjet e Emersonit,
Apo të Oscar Wilde-s.
 
Sfinksi u shpërbë,
Si një Garabombo i keq, i padukshëm;
Endet në atmosferë,
Në biblioteka,
Në herbariumin e kujtimeve,
Në turmat brohoritëse të shesheve.
 
Njerëzit nuk e shohin pluhnajën e tij,
Siç nuk mund ta emërojnë lulen,
Që kurrë s’e kanë parë
Vetëm nga kundërmimi i saj në terr.
 
Ai është kudo,
Si kanceri,
Si aids-i.
Dhe shfaqet papritmas
Në formë fantazme elektorale
Me kostum dhe kollare
Në tryezat eliptike zyrtare.
 
Është humbësi i përkohshëm,
Cezari i pavrarë.
Enigma e tij jeton ende
Tek Brutët dhe Kasët
Me gjuhë trëndafili
Në vend të shpatës.
Gjuhën e tij tribunale
Vetëm të vdekurit s’e dinë
Dhe fëmijët e palindur ende.
Nëpër venat e mia të blerta rrjedhin
Retë dhe mjegullat e rinisë,
Të formuara nga dielli i neverisë
Për sfinksin e kuq,
Që mbylli gojën e tij një ditë
Për të hapur kutinë e Pandorës
Përgjithmonë.
 
Sfinksi i kuq, sfinksi i kuq,
Krejt i padukshëm…
I thërmuar në miliona sfinksë të vegjël,
Rrafshon pyjet, shterron ujrat,
Zmadhon vrimën e zezë në qiell,
Kthehet në spermë fjalësh
Për të pllenuar përbindësha
Nëpër mitrat e pafajshme
Dhe shndërrohet në virus mortar
Për foshnjet e porsalindura.
 
Ai është kudo,
Por nuk shihet askund,
Nuk ndihet askund,
Nuk shijohet gjithsesi,
As nuk mund ta prekim me gishtërinj.
Ai është aty,
Nuhatet lehtë
Me shqisat e djeshme,
Të futura nën pluhur
Në muzeun e harresës…
 
 

Përgatiti materialin Petrit Palushi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s