Shtëpia Botuese “ADA” publikon romanin “Vajza që trembte dhitë” të autorit Ruzhdi Keraj

 
Shtëpia Botuese “ADA” publikon romanin “Vajza që trembte dhitë” të autorit Ruzhdi Keraj
 
Titulli: Vajza që trembte dhitë
Autor: Ruzhdi Keraj
Redaktore: Shpresa Kapisyzi Rama
Kopertina nga piktorja : Enkeleida Prifti
Sponsorizoi: Prof. Dr. Fejzi Keraj
Përgatiti për botim : Roland LUSHI
Formati: 12.5 X 20
ISBN: 978-9928-326-83-6
© : Autori
 
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. M.Grameno Pall.32 Ap.7
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, qershor 2021
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Keraj, Ruzhdi
Vajza që trembte dhitë :
roman / Ruzhdi Keraj ;
red. Shpresa Kapisyzi Rama.
– Tiranë : Ada, 2021
80 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-326-83-6
1.Letërsia shqipe 2.Romane
821.18 -31
 
 
PARATHËNIE
 
Ruzhdi Keraj është një nga njohjet e herëshme, do të thoja shumë të herëshme në fillimet e rinisë sime. Ai është kompozitor i njohur, piktor që në gen dhe shkrimtar i pasionuar pas jetës. Jetonim në një rrugë, ndoshta më të gjatën në qytetin e vjetër të Shkodrës, me një fillesë nga lumi i Bunës dhe deri te xhamia e dikurshme e lagjes Rus, rrugë që ishte si një arterie frymëmarrje, nga ku vinin erërat e buta të liqenit dhe freskia e Taraboshit.
Familja Keraj banonte afër godinës masive të teatrit “Migjeni”, në një shtëpi të vogël një katëshe, oborri i përparmë ishte i mbushur me lule shumëngjyrëshe, ku mbizotëronin trëndafilat dhe ku ndjehej dora e Nënës së tij. Përballë shtëpisë ishte furra e vjetër, ku piqeshin tavat e mëdha, më së shumti të dielave; rruga ishte gjithnjë plot njerëz dhe misteri i shtëpisë qëndronte aso kohe te vëllai i Ruzhdiut, piktori i njohur Jakup Keraj. Kur Ruzhdi Keraj më dërgoi për të lexuar e dhënë ndonjë mendim romanin e tij “ Vajza që trembte dhitë”, titull që më bëri përshtypje që në krye të herës, më janë kujtuar shumë ngjarje, që më erdhën nga një kohë e shkuar. Një ditë vajtëm sëbashku në shtëpinë e piktorit të shquar Ismail Lulani, që punonte në ato ditë tabllon e tij monumentale për Ded Gjo Lulin dhe ngritjen e flamurit të Deçiç. E kishte thirrur Ruzhdiun si njërin nga modelet e tabllos, pasi vetë portreti i tij, në ato vite, kishte tipare të theksuara, si të ishte burrëruar para kohe, dhe, pak kush tjetër mund të ishte më i perceptueshëm se sa ai në atë tabllo. Pastaj u ula dhe lexova librin.
Fillimisht si mik, por edhe doja të dija më shumë, pasi kisha lexuar dy nga librat e tij të mëparshëm. Ishte varianti i shkurtuar i romanit, por i mjaftueshëm për të qenë një vepër e plotë, dhe, dashje pa dashje, gjithçka që ishte aty më tërhiqte gjithnjë e më shumë. Ishte një temë e parrahur më parë, ndoshta e kisha pritur se një ditë do ta takoja. Pak fate njerëzorë sjellin vështërsinë e një jete ndryshe, ku përplasen në një e mira dhe e pazakonta, e bukura dhe e shëmtuara fizike, shpirti i një nëne që e ka përceptuar bukurinë përmes vuajtjes së pashoqe dhe klithma e një vajze ndryshe. Në pak fare njerëzorë, që u lejohen njerëzve, më i vështiri është të jesh njeri, në përmasat reale të njeriut dhe ne duhet të përfitojmë prej këtij fati për të qenë të pranishëm. Për Bernard Shoun forca jetësore është diçka e brendshme, përmes saj duhet krijuar bota, dhe, ne duhet të arrijmë të kuptojmë se bota është dukje, ëndërr dhe jeta është zgjëndërr. Fabula është e pazakontë dhe e dhimbshme. Historia e një gruaje tejet të bukur, shtojzovalle, e cila lind një fëmijë, vajzë, që për shumë kënd është përbindësh. A mund të ketë bashkëjetesë mes tyre, edhe pse është nëna dhe bija, burimi i jetës dhe vazhdimi i saj? Kjo nuk është dilemë vetëm e një familje, në fund të fundit kjo është drama njerëzore: duhet pranuar apo jo ky fat, duhet a jo ta kemi pjesë të jetës edhe të pazakontën, misterin, enigmën? Ësht e vështirë të shpjegosh një besim, sidomos kur nuk e predikon atë. Nëse njerëzit mahniten pas mrekullisë së bukurisë së nënës, ata tronditen nga lindja e një fëmije që nuk ngjan me askënd dhe që të josh me tragjizmin, po aq sa të ndjek me shëmtinë.
E rilexova romanin. Croçe, në doktrinën e tij, ka hedhur idenë se letërsia është shprehje. Është fakt estetik. Në romanin e Ruzhdi Kerajt kemi të bëjmë me një fakt estetik, i dhënë përmes dy përshfaqjeve. Atëherë, duke e ditur se mendimi im nuk do të ishte thjeshtë nga njohja jonë e herëshme, por se ashtu e ndjeja gjithçka, i shkrova një miku të vjetër, të cilin kam kaq shumë vite pa e takuar. Ja dhe letra : I dashur Ruzhdi, “Vajza që trembte dhitë” është një ndër romanet tronditës që kam lexuar kohëve të fundit dhe, si besoj, do të mund të ishte një bestseller.
E rilexova dhe në vete kam ende ndjenjën e veçantë të temës që keni përzgjedhur, temë e veçantë në letërsinë tonë, por që ka edhe hapësirën më të gjërë : qëndrimin ndaj së bukurës dhe të shëmtuarës, që mund të jenë të njëkohëshme dhe të qëndrueshme në kepin e njëra tjetrës. Nuk e kisha gjetur asnjëherë një temë të tillë në letërsinë tonë, dhe, rrallë herë edhe në letërsinë e huaj. Është si një përsëritje e figurave të realizuara mrekullisht nga Viktor Hygo te “ Katedralja e Parisit”, por në një terren shqiptar, aq më tepër verior, vendosur në cepin e një krahine apo fshati, vetmitar, pa emër. Pra, keni gjetur një temë mrekullisht artistike dhe ajo që të bën përshtypje, të paktën mua më ka tërhequr mrekullisht, në roman ju e trajtoni të bukurën duke e vizatuar atë, por të shëmtuarën nuk e paraqisni, dhe kjo është gjetje e saktë. Sepse asnjë përshkrim nuk do të ishte mbusha mendjes dhe nuk do të kishte saktësinë e duhur. Në pikturë, si kam vënë re, ju tërhiqni nga gri-ja, në roman ju ka bërë për vete e gjelbëra e jetës. Mara, e bukur, njëra nga shtojzavallet jetësore, që mund të ndeshen ende, është portretizuar me dorën e piktorit, ashtu si disa përshkrime të ngrohta, çka vjen edhe nga dora e shkrimtarit piktor, ndërsa e bija, Gonxhja, në vetminë e lindjes së saj, sikur do t’i thotë botës që të pabukurën askush nuk e do; fillimisht e përbuz edhe nëna e saj, veçse ndjenja mëmsore e bën gjithnjë e më të bukur. Natyrisht romani ka nevojë për dorën e një redaktori pedant, të lidhur me librin, pasi nuk i është dhënë dora e fundit, por kjo është çështje teknike, e zgjidhshme, që nuk luan rol vendimtar në thelbin e asaj që është zhvilluar. Shndërrimi i Gonxhes në një vajzë të bukur, me flokët e gjatë e të lëshuar, ngjyrë florinjtë, pra, kthimi i saj në vazhdimin e Marës, nënës së saj të bukur, të them sinqerisht, është më shumë një gjetje autoriale. Megjithëse, duhet thënë, përmes këtij Fundi të Lumtur, unë kam parë shpirtin që hapet gjithnjë e më shumë, deri sa bëhet mëngjesor. Ju keni në dorë një temë që, aq sa është interesante, aq është edhe e veçantë. Ndër më të veçantat që kam lexuar kohët e fundit.
I gjithë romani ka sfondin tragjik të një jete të mbushur me engimat që vijnë nga përballja e së bukurës me të shëmtuarën, por edhe përbërjen njerëzore, çka e bën edhe më të veçantë. Pra, keni në duar një brum që të jep mundësinë për të bërë diçka tejet të veçantë, dhe mund të ju them se pena juaj, herë pas here, në këtë variant që më keni dërguar, është shkëndijuese, e mbushur me vizatime poetike që të ngulin dhe të joshin me dëshirën për të vazhduar. Është roman që lexohet me një frymë, por që të rrënqeth në shumë momente të leximit. Ndjenja e nënës, që për vete është aq e bukur, e lakmueshme, një shtojzovalle mund të hemi, por edhe me tiparet e ngulitura të një vajze malësore, që , si në pikturat e lashta, në një krah aftë të mbajë vajzën, kovën e qumështit në tjetrën, me këmbë të lëvizë dhitë dhe delet, që është e aftë për të mbajtur një pushkë dhe për të përballuar dy burra, njëri nga të cilët është djali vocrrak i kryeplakut. Lëvizin pak përsonazhe në librin tuaj, disa janë skalitur me pak rrjeshta, si Rroku, babai i Marës dhe ai nuk ka nevojë për shtesa të tjera, i biri i Rrokut dhe vëllai i Marës, Sandri, që ka dilemën e mbajtjes apo jo të një mbese përbindësh, por që familja e tij është e shenjtë në momentin e duhur; murgesha, e cila është në vete vajzë e bukur, e lidhur me besimin e saj, e në atë hulli lëvizin qetësisht banorët e fshatit që, befas, zgjohen nga turbillimi i asaj që kanë dëgjuar dhe që bartin enigmën e të panjohurës. Sinqerisht, kisha shumë ngasje për ta rilexuar dhe në disa momente jam ndjerë i tronditur nga ajo që lexova. Që nga titulli, “Vajza që trembte dhitë” dhe deri pak para faqeve të fundit, vazhdon kjo tronditje, sepse është fjala për më shumë se një jetë: është përballja e së mirës me të keqen, që kësaj here nuk është te një vajzë që befas lind e shëmtuar dhe vetëm mund ta përfytyrojmë se si është shëmtimi i saj. Varianti që më keni dërguar është i shkurtër, sepse e keni cilësuar si varianti për fb, megjithëse herë pas here kam menduar se, vetëm me disa shtesa të domosdoshme, është aq sa duhet për të dhënë mendimin tënd. Vajza e lindur keqas, sepse nuk them dot e shëmtuar, është , në botëkuptimin e fshattit, si ato xhindet, që i përkasin krijimit paraadamik, domthenë në një shkallë më të ulët se sa Adami; ata zënë tërë hapësirën, por nuk shihen.
Në librin tuaj kemi një xhind që shihet, prandaj bëhet edhe më i frikshëm për njerëzit dhe vetë motivi i fyellit, vendosur nga ju, e bën më të besueshëm qënien e saj të ardhjes nga një botë e tillë. Koncepti i librit tuaj, përballja e bukurisë me të kundtërtën e saj, si dy nocione, ekziston. Mbi se është ngritur ai? Para së gjithash mbi idenë e një bote të përbërë nga ekstremet, ku njerëzit, ose janë shumë fatkeqë, ose shumë të lumtur; ose tek ata rreh bukuria ose i zbras shëmtia; një botë ku përplasen të kundërtat, por që mund të gjejnë zgjidhje ose përafrim nga ndjenja njerëzore.
Përsonazhi i Marës është i parrahur në letërsinë tonë, ashtu si vetë tema. Kalimet poetike e bëjnë atë tejet njerëzore. Mohimi i së bijës, përmes krijimit të një vdekje të rreme, është fillimisht i besueshëm, dhe mbetet i tillë, ashtu si është e njohur ndjenja mëmësore për raste të tilla. Pra, mik, ju keni në duar një temë që mund të jetë edhe më tej një thesar i veçantë në romanin e shkurtër. Romani është i gatshëm për botim, sidomos nëse kalon në duart e një redaktori të përkushtuar, e pastaj te korrektori letrar, megjithëse nuk e di pse keni zgjedhur të shkruani këtë roman në gegnisht, kur tema e tij është universale. Unë e dua gegnishten, por mendoj se në këtë rast kemi të bëjmë me një temë që e kalon cakun e vendlindjes sonë. Shumë miqësisht do ju thoja mendimin tim që në botimin e romanit mos u ngutni, nuk ka rëndësi një dy javësh më shumë a një muaj më tej. Keni në duar një temë brilante. Ajo qëndron edhe kështu, por mund ta bëni një ndër librat që do i qëndrojë kohës. Nuk jam dakord me fundin e lumtur përmes pamjes së re të vajzës. Nuk është bukuria që e bën të bukur këtë libër, është ndjenja mëmësore.
 
Miqësisht B. Islami

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s