Poezi nga Sokrat Habilaj

 
Poezi nga Sokrat Habilaj
 
 
TRISHTIM…
 
Më dhimbset njeriu që qanë për njeri,
Madje unë bashkë me të, derdh dhe lot…
…Atij që qanë për ëndrrat, ç’t’i them atij!?
As qaj me të, por as e ngushëlloj dot…!
 
 
ETYD SHIU
 
Nuk do ta vrisja mendjen për këtë shi,
Ndërsa po pikon mbi qerpikë pemësh.
Po ç’të bëj ty, që s’të tundoi njeri,
Që do dalësh, me shiun do ma dredhësh.
 
Ashtu e vetme, do humbasësh tutje,
Si ke humbur me mua, sa e sa herë.
Pastaj ti, që dikur më kërkoje puthje,
Atij vagabondi, do i lutesh të bjerë.
 
Kur bulëzat të të rrëshqasin në mjekër,
Për to, pak e nga pak, do bëhesh grua.
Unë do kuptoj se je me një tjetër,
Po ti, nuk do kujtohesh më për mua.
 
Shiut do t’i thuash:-Më zhvish!Më zhvish,
Po dhe rrobat e tua do të bëhen ujore.
Puthjet e shiut do ndjesh thellë në mish,
Mos më kundërshto, të njoh në çdo pore!
 
Po unë, çfarë duhet të bëj, ja më thuaj,
Ndërsa shikoj ty si puthesh gjithë gaz?
Ta dish, si i çartur do nis e të gjuaj,
Pikat e shiut me plumba do t’i vras!
 
Nëse do mundem që t’i vras të gjitha,
E qielli më pas, s’do hedhë më rrebesh.
Do vij vetë mbi ty, derdhur pika-pika,
Ty në vend të shiut, unë do të zhvesh.
 
E pra harroje shiun dhe më prit atje,
Më prit dhe beso se, e ndryshoj motin.
Sytë e mi për ty, do t’i mbush me re,
Ma drodhe me shiun!?Harbo me lotin!
 
 
MOS MË VRIT KËSHTU!
 
Nëse do më vrasësh, mos më vrit kështu,
Pak e nga pak, duke ma ngrënë veten.
Dhe po nuk ke armë, të gjej unë diku,
Lindjen s’e zgjodha, le të zgjedh vdekjen.
 
Mos më vrit si uji, që bie në shkëmb,
Dhe pikë pas pike, hap plagë në mish.
Po më vrave, mos më lërë në këmbë,
Që të shoh një burrë, si kthehet në ish.
 
Nëse do më vrasësh, mos i bjerë aq gjatë,
Që të ndihem vdekur, pa u shuar zjarri?
Nëse do më vrasësh, mos qëllo me baltë,
Pse ta bëj me turp, udhën për tek varri?
 
Mos më vrit me tallje, se lëndon dikë,
Që më do të gjithin, më do dhe në thua.
Kur më vret kështu, s’të vjen keq për të,
Po vdiqa me pjesë, si do më qajë mua!?
 
 
TRILL’ I SYVE
 
Me ty jam lidhur me fije, si me zinxhirë,
E nuk di në do ta braktis këtë burgim.
Ngre dorën shpesh, të them lamtumirë,
Por krahu merë formën si për përqafim.
 
Kur dua nga inati të të shfaqem nevrik,
A kur nga malli për ty, më qesh zemra,
Sytë e mi, vesuar me lot mbi qerpikë,
Dikush jep tjetër komandë nga brenda.
 
Ky trill sysh më ndjek përherë, nga pas,
Edhe kur dhimbjen unë nuk mbaj dot,
Edhe kur nga lumturia mbytem në gaz,
Të vetmen gjë që bëj, është të derdh lot.
 
Nuk e di, nëse të urrej deri në dhimbje,
Nuk e di, a ndjej mall deri në marrëzi.
Po vetëm një gjë unë e them me bindje,
Kur të kujtoj, më mund trill’ i syve të mi.
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s