Poezi nga Erina Çoku

 
Poezi nga Erina Çoku
 
 
RA
 
Ra nata në tokë e shpirti e çeli një vetmi të re
ra hëna në trup e kryet shkoi e plotë në qiell.
O heshtje e bukur, si të flasin dëshirat!
 
 
LETËR ME FRYMË
 
I dashtun,
Si po të duket qyteti?
Rrëketë e njerëzve mbushin rrjedhat e fatit
gjeografi e pasigurt dheut tonë
dhe kalimtarët ndoshta shkëmbehen me mua e pastaj me ty,
rrugëve kryq të kohës.
Asgjë nuk dimë, po ende jemi gjallë, o Zot.
 
Si po të duket qyteti?
Shtresë e zhurmshme mbi tokë
ku dashnia pa emër, më e bukur se ajo me emër,
nuk këndohet dot, po ndodh.
Se ende jemi gjallë, o Zot.
 
Si po të duket qyteti?
Ku gjallë jemi ende, unë e ti, o Zot.
T’puth frymën.
 
 
SHENJA
 
Të gjitha gjuhët që dimë u ngjajnë atyre që nuk dimë.
Neurone prej njeriu te njeriu, boshti i rrotullimit njësoj.
Fjalët që thuhen në njërën anë të peshores
a do mund të ishin pa fjalët që nuk thuhen?
 
Heshtja duket si pika jonë e rëndesës.
 
Ajo që dimë është më e lehtë pa atë që s’dimë,
po prapë mbahemi në botë duke shpresuar
se fjalët do të na marrin si varka drejt një bregu të gjallë
ujë dashurie në kujtesë të Zotit.
Tingujt më shenjojnë në hartën e trupit tënd.
 
 
AKUAREL
 
Flokët e mi të zinj si nata luhaten në ajër,
spërdridhen drejt teje e futen ngado trupit tënd,
meduzë e lehtë që përkundet në ujë.
 
Flokët e mi të kuq si flaka luhaten në ajër,
flurojnë drejt teje e vishen ngado trupit tënd,
meduzë dinake që përcëllon nën ujë.
 
Flokët e mi të verdhë si kamomili luhaten në ajër,
këndellen drejt teje e thellohen ngado trupit tënd,
meduzë fosforeshente në ujë të thellë.
 
Flokët e mi të blertë si bari luhaten në ajër,
lodrojnë drejt teje e shtrohen ngado trupit tënd
meduzë e pafuqi në ujë të cekët.
 
Flokët e mi të kaltër si qielli luhaten në ajër,
bien drejt teje e hyjnë ngado trupit tënd,
meduzë magjike që të mbush me ujë.
 
Flokët e mi të bardhë si retë luhaten në ajër,
ulen drejt teje e depërtojnë ngado trupit tënd
meduzë e kapitur që të shter në ujë.
 
Flokët e mi si një ujanë trupit tënd,
shpërndahen në rrëke të holla ushqyese
e këndojnë ngjyrat e tua.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s