Poezi nga Rexhep Shahu

 
Poezi nga Rexhep Shahu
 
 
QAJ NË HESHTJE
 
Po, qaj në heshtje, fshehtas, një minutë,
derdhi dy pika lot dhe me lot më nxirr prej teje
mundesh të shpëtosh prej kujtimit tim, mundesh.
E di, të kanë dashtë shumë, mund t’i shohësh me mend
të gjithë që të kanë dashtë
por jo sa unë, s’mundi të t’dojë askush.
 
Gjithësesi, ti mos u trishto më, mos u trishto
mos u vish kështu me heshtje gri si statujë mbretëreshe në vjeshtë
unë do të rrëshqas si lot dhe aq, dikush ta ndez të qeshurën përsëri
do të jem thjeshtë dy pika shi në flokët e tu, e shumta një lagie flokësh
do të jem flokë bore që tretem në flokët e tu.
 
E vërtetë, më je dukë lumë,
lumë i madh që vështrirë të turbullohesh
nga rrokullisje shkëmbinjsh e fjalësh prej malesh në ty
më je dukë perëndi që më mbaje në gji
të pacënueshëm nga asgjë se më mbroje ti.
 
Isha mësuar të isha mbret kur ta puthja dorën
dhe mbështillesha me buzëqeshjen tënde prej mbretëreshe
si burri më me fat.
 
Tani ti nuk di asgjë për veten tënde
për atë Ti që mbretëron në mua.
———-
(nga libri: Dita e gjashtë)
 
 
Lutem
 
Nga krahët e një zogu kam ra prej qielli
Jam ngulë thellë në tokë
Rrënjë për lisin e vetëm në fushë
Ku pushojnë zogjtë natën
E në mëngjes zgjojnë ditën.
Jam bërë aromë lulesh në qiell
Mal rrënjëthellë në det
 
Jam bërë ëndërr
Udhë e harruar qe një mijë vjet
Që ruan gjurmët e hapave tu.
 
Jam bërë fjalë e një gjuhe që askush
S’e flet në këtë planet.
Jam bërë cicërimë
Që ti e dëgjon.
 
Lutem përditë të më marrin zogjtë në sqep
Nga krahët e tyre atje lart në qiell
Të hedh sytë mbi botë a mos të shoh.
 
 
Nëse
 
Nëse do ta shihje veten tënde me sytë e mi
do të shihje një flutur që e shijon deri në harrim fluturimin
në pritje të supit të ëndërruar për t’u ulë.
 
Nëse do ta shihje veten tënde me sytë e mi
skajet e ylberit do t’i shihje në duart e tua si litar për të kërcyer
në mes të fushës me shoqet që janë veç fjalë.
 
Shqiponjë që zotëron qiejt dhe mbron tokën nga lart –
kjo do të ishe ti po ta shihje veten tënde me sytë e mi
shqiponjë që sulet drejt zemrës time ta shqyejë
teksa njerzit e tjerë i duken skelete boshe
mbeshtjellë me jeleke hekuri ushtarësh romakë.
 
Nëse do ta shihje veten tënde me sytë e mi të mallit
do të shihje një pelë që fluturon ngadalë
turfullon e shqelmon akujt që ngrijnë
trokon me inat në tokë e u hingëllin yjeve.
 
Nëse do ta shihje veten tënde me sytë e mi
do t’më merrje nën sqetull për te deti yt
do të m’i puthje pafund sytë
do të ma fshije me buzët e puthjes
lotin ku shpesh mbytet trishtimi.
 
(nga libri : Dita e gjashtë)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s