Poezi nga Flogerta Krypi

 
Poezi nga Flogerta Krypi
 
 
***
 
Hidhi zarat nga njëshi në gjashtë
Çdo numër që do të bjerë do të sjellë trishtim
Prandaj mos u mendo kaq gjatë
Në këtë botë nuk na hodhën për të gjetur shpëtim.
 
Rrotulloji pikat e zeza mbi të bardhë
Secila prej tyre e mban emrin tënd mbi shpinë
Në rrugën e vdekjes rreshtohu në rradhë
Hadi ka një kurorë për të gjithë.
 
Prandaj eja të luajmë si është me qenë njeri
Fundja kumarxhinj jemi të gjithë me fatin tonë
Lëshoji zarat mbi tapetin e zi
Nga një në gjashtë tingëllon prapë vonë…
 
 
 
***
 
Tridhjetë e tre vertebra që koha bluan
Gjashtë shqisa që vdekjes i marrin aromë
Njëzet e katër e qiej që thuren mbi aurerola
Dhe në fund vetmia që pasqyron heshtjen pa kocka.
Harresa kishte qenë gjithmonë e bardhë
Me copa çokollate që shkrihen mbi tavën e pulës së pjekur
Një kuti poste të cilës veç hiri i shkruan
Dhe në fund dhimbja që vallëzon nëpër shi.
Pa shijen e drurëve ku digjen shtrigat
E flaka e pafajësisë zhubroset nga gishtërinj
Që thyhen nga përkulja e të gjykuarit një grua
Që shuhet, vdes në vargje të pashkruar…
 
 
20/06/2020
 
Vendosa të bëhem Zot
Shkula një brinjë nga shtylla kurrizore
Rropa lëkurën e zhubrosur nga dielli
Pikat e gjakut me penë i mblodha
Thashë të sjell në jetë të vdekurit.
Me ta mund të isha dhe memece
Kuptonin çdo gjuhë që shkruaja
Tinguj dhimbje jo nuk ndjenin
Me pëlhur kockash yjet qepnin.
 
Vendosa dhe unë të jem Zot
Fundja isha krijuese mjaftueshëm
Shkula dhëmbët, dogja flokët
Me venat e mia një portret thura
Nuk lashë ind pa çrrënjosur
Po sërish shpirtin dot se mbusha.
Sërish zbrastësi në thellësi të palcës
Nga kocka nuk paska lindur kurrë grua.
 
Vendosa të jem dhe unë Zot
Zhgarravita gjashtë ditë në errësirë
Nuk lashë gjë pa ngjyrosur
Sërish nuk isha e lirë
Asgjë nuk lindte si fineks
Veç qymyr nën tokë groposur
Gjeja në pusin e mishit tim.
 
Vendosa të vdes si njeri
Fundja Zoti është matematikë
I vetmi numër infinit
Që lindi nga vdekja
E vdiq në lindje
Për një çast, me një frymë
Tani është ai njeri
Kurse unë brinjë e shkulur
Ndaj hesht, fli
Është vonë,
Nga vetmia nuk lind dashuri.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s