Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik “Ujëvara dashurie…” të autorit Lulzim Lami

 
Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik “Ujëvara dashurie…” të autorit Lulzim Lami
 
Titulli: Ujëvara dashurie…
Autor: Lulzim Lami
Redaktor: Basir Bushkashi
Arti grafik: Artan Kurti
© Të gjitha të drejtat janë të autorit
ISBN:978-9928-362-13-1
Tirazhi: 200 kopje
 
Përgatiti për botim: Roland LUSHI
Shtëpia Botuese “ADA”
 
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap.7 Tiranë
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, dhjetor 2021
Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese
“ADA”
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Lami, Lulzim
Ujëvara dashurie… : poezi / Lulzim
Lami ; red. Basir Bushkashi.
– Tiranë : Ada, 2021
140f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-362-13-1
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1
 
 
NJË LIRIK I HOLLË, I TIRANËS AUTOKTONE…
 
Me autorin e vëllimit poetik “Ujëvara dashurie…”, Lulzim
Lami, njihem prej më shumë se tre dekadash. Është një
njohje e bukur, njerëzore, poetike.
Pas mbarimit të shkollës mekanike-bujqësore në Shkozet të
Durrësit, ai kreu shërbimin ushtarak në vendlindjen time, në Mallunxë,
në repartin kundrajror, me sy nga qielli, se mos shfaqej diku në horizont
ndonjë avion armik… Unë, aty, bëja dhe zborin ushtarak dhe ndieja
krenari që vendlindja ime kishte një repart të tillë. Aty u njoha me Lulin
dhe mësova se ai e pëlqente letërsinë dhe se shkruante poezi. Ishte
djalë i çiltër, me një botë të pastër njerëzore, që e ruan edhe sot, kur
i ka kapërcyer të pesëdhjetat. Më dha një fletore me vjersha, që më
pëlqyen e disa ia botova në gazetën lokale “Rruga e dritës”. Kjo qe
diçka e gëzueshme për ‘të, por edhe për shokët e tij ushtarë, që zinin
vend në krijimet e tij. Mbaj mend, që dhe komandanti i repartit, një
ushtarak i zoti e njerëzor, Shefqet Hysa, më falenderoi përzemërsisht
për botimin e poezive të Lulzimit, që kishin sjellë një gëzim të veçantë
për të gjithë në repart. Shtëpia ime nga reparti ishte rreth njëzet minuta
në këmbë. Ndonjëherë, mbrëmjeve vonë, kur shkruaja ndonjë varg
në shtëpi, më shkonte mendja edhe tek Luli, se patjetër, edhe ai, diçka
po shkruante dhe fshati im më dukej më poetik…
Lulzimi është pak matjan, sepse është pak mallunxar, siç jam
dhe unë pak tiranas, se kam kryer studimet e larta atje. Më vonë,
edhe ai ka kryer studimet e larta për menaxhim-bisnes. Për vite
te tëra ka punuar në zonën e tij, si elektricist, një profesion poetik.
Me vite e mbajtëm shoqërinë tonë të çiltër dhe ruaj mbresa tepër
të veçanta për ‘të, që i kam shkruar në shpirt… Kur unë nxjerr librat
e mi, ai vjen me makinën e tij, tek shtëpia botuese “ADA” dhe më
shoqëron deri tek autobuzët e Matit. Ai ndjen një gëzim të rrallë
për botimet e mia. I qeshin sytë. Dhe, s’i shpëtoj dot këmbënguljes
së tij për të më dhënë një drekë vëllazërore, ku merr dhe dy-tre
shokë të tij për të ndarë, bashkarisht, gëzimin e botimit të librit tim.
Sa i rrallë është Luli me botën e tij, aq të pasur shpirtërore, me atë
shpirtin e madh e të butë tiranas.
Aty nga fillimi i qershorit, këtë vit, u takuam përsëri me Lulin,
në Ulëz, në një drekë poetike. Shoku ynë poet, Gëzim Buna, me
banim në Florida të SHBA-së, kishte botuar vëllimin poetik “Malli
i brigjeve…” nga shtëpia botuese “ADA”, ku unë pata nderin të
isha redaktor i këtij libri. Gëzimi kishte ardhur nga Florida për ta
marrë, po me këtë rast, ai bujarisht, na dha një drekë. Në drekë
ishte ftuar dhe i respektuari Roland Lushi, drejtor i shtëpisë botuese
“ADA” dhe i revistës së mirëpritur “OBELISK”. Me ‘të ishte dhe poeti
e publicisti i njohur Çelik Petriti. Me porosinë time i solli e i mori
Luli, se ata e kishin problem udhëtimin. Në drekë merrte pjesë dhe
skulptori e studjuesi Artan Kurti, i cili me aq pasion e bukuri merret
me ilustrimet grafike të vëllimeve poetike. Njëkohësisht dhe Dritani,
vëllai i Gëzimit, me banim në Londër dhe ai poet. Aty e pyes Lulin:
– Po ç’bën, vazhdon të shkruash?
Ai heshti pak, pastaj tha:
– E, po, nga pak…
– Po ti, ke pas shkruar bukur, që në rini…
– E, -tha ngadalë… Shumë nga krijimet e rinisë i kam shtypur
e printuar në kompjuter dhe i ruaj në shtëpi. Mbase do i botoj më
vonë, apo do t’i botojnë fëmijtë, kushedi kur…
I dhashë urdhër shpirtëror:
– Unë e di që ti je poet. Do të më sjellësh krijimet dhe do t’i
botojmë para vitit të ri! Apo jo, Landi? – i drejtohem drejtorit të
shtëpisë botuese. Landi qeshi dhe tha:
– Me kënaqësi!
Dhe ai erdhi përsëri, bashkë me Rolandin, në Burrel dhe m’i solli
poezitë për redaktim. Kaluam një drekë të këndshme, diku buzë
lumit të Matit, bashkë me poetin matjan Rustem Canameti, i cili në
muajin nëntor nxori vëllimin e mirëpritur “Para syve të mi…”.
Po, le të kthehemi tek vëllimi poetik “Ujëvara dashurie…”. U befasova
në shumë krijime të Lulit, shumica të shkruara më shumë se dy
dekada më parë, si thesare të çmuara shpirti, që ai i ruante vetëm
për vete, si të thuash, ishte poet i vetvetes. Por, tani, me botimin e
tyre ai është dhe poet i të tjerëve. Dhe është, vërtet, një lirik i hollë i
Tiranës autoktone. Në fakultet, në kohën time studentore, shkruante
poezi satirike shoku im i kursit, Edmond Daliu, i cili ishte i vetmi
student, që kishte botuar tre libra, duke përfshirë dhe një dramë për
fëmijë. Shkruante poezi dhe i miri, shoku im, Arben Karapici, por ai
e la më vonë dhe u mor me gazetari. Me sa e njoh unë letërsinë,
Lulzim Lami, është i pari poet lirik i Tiranës autoktone.
Vëllimi poetik “Ujëvara dashurie…” është një vëllim i veçantë,
me plot dritë poetike, që rrezaton freski, në tërësi, dhe që
përcjell emocione të bukura e të forta, drejt zemrës së lexuesit,
të dashuruar pas poezisë. Në lirishtën e tij poetike blerojnë një
sërë temash, ku mbizotërues mbetet motivi i dashurisë me gjithë
ngjyrat e saj, me imazhe aq të gjalla, mbresëlënëse. Edhe në
temat e tjera, me motive sociale a filozofike, që janë më të pakta,
ai, tregohet poet i pjekur. Sa sinqeritet, sa dhimbje, sa revoltë,
shpreh ai në poezinë ekzistencialiste për tjetërsimin e njeriut, në
realitetin e ashpër ku jeton, në poezinë: “Thirrje dëshpërimi”. Jam
i bindur se lexuesi, duke udhëtuar nëpër “Ujëvara Dashurie…” do
të pushtohet nga emocione të bukura dhe nga ndjeshmëri të holla
shpirtërore, sepse aty do të gjejë dhe një pjesë të shpirtit të vet
nëpër kohëra. Dhe, natyrisht, kjo është meritë e veçantë e zërit të
tij poetik, të shprehur me çiltërsi, me elegancë, ritëm e muzikalitet
dhe ku, figuracioni poetik, e bën poezinë edhe më të magjishme.
Cili poet nuk do t’i lakmonte vargje të tilla:
 
“Buzë mbrëmje,
Buzë deti,
Buzë femre…
Dritë dielli,
Dritë syri,
Dritë zemre… (“Meditim”)
apo:
Në sytë tanë
Të përflaken
Trëndafilat…
E në buzët tona
Le të këndojnë
Bilbilat…! (“Dëshirë”)
më tej:
Nuk mund të rri pa i prekur
Ato faqe, si pjeshkë e pjekur.
Në këtë botë asgjë nuk dua:
Veç të puth buzët e tua…! (“Asgjë nuk dua”)
 
Me sa kam mundur, e njoh poezinë që nga Katuli i antikitetit e
gjer te Esenini i magjisë dhe, parë në këtë këndvështrim, lirika e
poetit Lulzim Lami më ka ngjallur mjaft kënaqësi shpirtërore dhe
estetike. Një pjesë e tyre janë antologjike dhe pasurojnë lirikën
shqipe. Lazgushi i madh, po të ishte gjallë dhe ta lexonte, mbase,
do të kishte thënë: “Një iskër bukurie…”.
Shpresoj, që lexuesi i kultururar, pasi të lexojë librin, do të më
japë të drejtë për mendimet e mia. Shoqata kulturore “Tirana” do
të ketë nderin ta pranojë atë në gjirin e saj, si një vlerë poetike
dhe besoj se do t’i përurojë me nderim këto vlera. Kam shpresën
dhe besimin se ai do të na dhurojë edhe pozi të tjera të bukura në
ecurinë e tij poetike, ndër vite. I mbetet zemrës së lexuesit ta thotë
fjalën e fundit për poezinë e tij. Mua më buron nga shpirti një urim i
sinqertë, vëllazëror, për poetin, tashmë, të shpallur me dinjitet:
“Pastë blerime, ngaherë, bahçja e shpirtit tënd të bukur poetik,
Lulzim Lami!”.
 
Parathënie nga BASIR BUSHKASHI
Burrel, dhjetor 2021

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s