S’ DËSHIRONTE T’ I MBYLLTE SYTË NË VENDLINDJE / Skicë nga Faruk Myrtaj

 
Skicë nga Faruk Myrtaj
 
 
S’ DËSHIRONTE T’ I MBYLLTE SYTË NË VENDLINDJE
 
“Prindërit më lanë herët, më pas mërgova. Jam kthyer nja dy a tri herë atje, u ngrita një varr të përbashkët, një varr të bukur, por ky vendi ynë nuk mu bë dot kurrë aq i bukur sa varri i prindërve të mi…”
Teksa tha kështu, iu drodh buza. Ktheu kryet nga ana tjetër. Nuk donte ta shihja që qante? Qante për veten, për prindërit apo për atdheun?
“Këtyre rrugëve të botës, ku qenke edhe ti, them se u bëra me fat. Edhe pse jetimi s’ka për të dal dot kurrë nga unë. Në Amerikë u bëra zot i vetes, por me këmbët në ajër. Vetëm kur ngjitem në avion dhe nisem për në këtë që I themi atdhe, kujtohem cili jam. Kur zbres në dherat ku jam lindur, sikur më shpërgjumet trupi dhe shpirti. E prapë, pa u mbushur mirë dy javët aty, nis e më mbahet fryma, dua të iki, një orë e më parë…”
Duket sikur nuk do donte t’i thoshte këto fjalë, që megjithatë i dëgjoja prej gojës së këtij njeriu që zor ta quaje plak, por që i kishte kaluar të shtatëdhjetat.
“Herë e quajmë atdhe herë mëmëdhe, por kur këtë gjendje nuk e ndjen as si At’ as si Mëmë, ndjehesh i humbur me të gjitha. Në atë truall, duhet doemos të bashkohesh me gjysmën kundër gjysmës tjetër. Këndej ku vemi, nuk na ka njeri fare në llogari, por së paku na lënë në hallin tonë.”
Teksa zinte ngoje vendlindjen, varret e prindërve dhe shtëpinë e mbetur pa njerëz atje, ai bënte me dorë për nga të-poshtë avionit me të cilin largoheshim. Kur sillte fjalën tek të gjallët, bënte me dorë për nga prapa shpinës.
“Do vdes në Amerikë. Nuk vdes dot në vendlindje…Ua thashë atyre që kanë mbiemrin tim: Nuk kthehem më! U ndava së gjalli me ta!”
E vështroja trazuar, me kujdes. Të mos mendonte se dyshoja se kjo ishte ikje nga vetja, frikë nga njerëzit që i kujtonin të shkuarën apo që vetëm me të shkuarën dikur s’kishte më atje, prej nga ku largohej.
Nuk dija në i kishte vuajtur shpirti teksa ngjizej, dhe as nëse vërtet arrinte të besonte se ishte bërë me fat.
“Të dy shtëpitë në Amerikë, do t’i lë me testament për të ndihmuar fshatin tim…por nuk dua të vdes atje!”
Frikohej nga ditët e fundit, para vdekjes, në vendlindje? Merak se ia helmonin shpirtin, apo ia varrosin bashkë me trupin, së gjalli? Nuk do ta lenë rehat as në varr? Edhe te varrezat, druan se i kërkojnë të grindet me të vetët?
Është i prerë në atë që s’dëshiron të kthehet në gjallje atje, por s’thotë nëse do ta lë të shkruar, dikur t`ia sjellin trupin në dherat e veta.
Tërë pjesën tjetër të udhëtimit, nuk ia dëgjova më zërin. Edhe kur u ndamë, thjesht valaviti dorën, si një copë dallge që e fshehu mes turmës.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s