Poezi nga Rexhep Shahu

 
Poezi nga Rexhep Shahu
 
 
NJË QIELL TJETËR
 
E kam marrë për dore veten
Dhe plasa ta tërheq për tek një qiell tjetër
Ku s’të thonë “trus”.
 
Pronarët e qiellit janë harbutë,
Të jesh i gjatë do prerë diçka nga vetja
Të bëhesh i shkurtë.
 
Këtu si të tjerët duhet të jesh
As të dish më shumë as të kesh.
 
Ndaj e kam marrë për dore veten
Zvarrë po e tërheq.
 
 
***
 
Ne jemi dashtë pa u lindë zemra ime
Pa ardhë dielli e hëna këtu ku janë
E kanë mbetë varë.
 
Por jena harrue.
 
Tash që shihemi
Kujtohemi se jemi dashtë fëmijë.
 
Na dhemb dashuria.
 
 
***

Jemi gënjyer shpesh, sërish kemi besuar
Nëse nuk besojmë, s’dimë ç‘të bëjmë në jetë
Besojmë në gjërat që kemi ëndërruar
Vetëm në ëndrra jemi të vërtetë.
 
Besojmë, mashtrohemi e besojmë prapë
E prapë mashtrohemi e besojmë përsëri
S’jetojmë dot pa ëndrra, besim e mashtrim
Ndryshe, do na quanin, të ligj e të zi.
 
Jemi skllevër besimi, s’guxojmë të dyshojmë
Të dyshosh duhet guxim, trimëri
Dyshimi zbulon të vërtetën e hidhur
E vërteta është liri.
 
 
Pas marrëzisë
 
Vetja më duket gavetë boshe ushtrie
Me një lugë pa bisht e një pirun brenda
Si eshtra të braktisura
Të ndonjë heroi të panjohur.
 
Më pas vetja më ngjan me një helmetë
Që ka brenda kokën time të prerë në qafë
S’dihet se ku e kur
Në luftrat e humbura.
 
Pastaj si helmetë bosh
Ku zogjtë kanë ndërtuar fole
Por vezë as zogj s’ka
Qyqet lëshojnë vezët aty dhe ikin.
 
Pastaj shoh që helmetën e përdorin si kusi
Me zie mish për të shtatat e lirisë.
 
Liria pa ëndrra ka mbetë.
 
Liria ka mbetë gavetë boshe
E bërë stutël prej fëmijëve që e hedhin tej
Dhe ndonjë plakë e merr dhe e ngre në ndonjë parvaz.
 
Liria ka mbetë si helmetë e shpume plumbash
Ku fërshëllen era dhe vajton vajet tona.
 
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s