Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 
Poezi nga Rudina Muharremi Beja
 
 
FJALËT
 
Fjalët,
si melodi e shpirtit
udhëtojnë brenda vetes
depërtojnë ngurtësisë së zemrave,
e si lumenj vraparak
trazojnë mendimet
në ndjesi drithërimash,
binarëve e rrëmujshëm kapilarëve,
ndërsa nganjëherë
zhuritur etjes…
bien honit të errët
ku mjegullat pëlhura endin
e fshehin stigma të moçme
që kaherë gërvishtin me jehonën e hekurt…!
 
 
Shpresë
 
Në këtë kohë të trazuar
korbi s’ resht për asnjë çast krakëllimën
e ditët thelluan gjurmët e trishtimit
vitit që rrodhi i papërsëritshëm
mbështjellë me frikën e vdekjes:
 
Sa njerëz mbetën vetëm…!
 
Le të shkojë!
Ta harrojmë!
Me vete le ta marrë këtë flamë të çmendur
bashkë me zërat ulëritës të hijeve
çikërrimat e marrëzitë që shpirtrat trazojnë…
e lotin ngrijnë mbi qepallë
perandorisë së tyre të akullt.
 
Pa u shqetësuar për retë kalimtare,
as për zukatjen e mizave,
le të udhëtojmë planetit,
sërish kurthit të jetës…,
si dëshmitarë të një drite të brishtë,
që diellin nxjerrin prej vetes.
 
Le të hedhim hapin e radhës
me shpirtin mbushur me kujtime të vjetra
e flatrat ngarkuar me shpresa të reja,
nën të njëjtin qiell,
për të lënë një gjurmë përjetësie
zemrën tok me mendjen
mbështjellë në frymë mirësie,
që vërtitja e erës të fryjë e lirë
ashtu si lundron qiellit me gjethet…!
 
 
PËRULJE
 
Shurdhuese kjo heshtje,
aq sa hapat ua ndjej milingonave në ikje,
zhurmën myshkut e likeneve,
trishtimin pikës së shiut,
flladin që përkëdhel një narciz të brishtë,
e përuljen e Zotit,
që më zbret në shpirt.
 
 
***
 
Mbrëmjes gjithçka zhytet trishtimit…
Udha mbaron…
mbyllen sytë,
mbledhin lulet petalet,
Hënën lemë jashtë,
Yjet fiken,
me shpresën se nesër do të ndizen sërish…
 
 
MË GJEJ!
 
Jepma hënën,
natën fshije.
Lidhi retë
Diellin qiellit gdhende.
Shtype mërzinë
përtej melankolisë sime
e kacavirru;
Shih të magjishmen aty fshehur
e më gjej,
pa zhurmë…
 
 
HESHTJE
 
Në një cep të përhumbur,
angështia e botës ku rri në teh
dëgjonte herë-herë zhurmën e malit,
dhe të dëborës që shkrinte,
atë të barit që rritej ngadalë
e të erës që me tallaz frynte…
Më pas, dëgjoi atë të heshtjes…
Ajo ulërinte!
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s