Në origjinë të identitetit tonë (Rreth librit me legjenda e rrëfenja ” Klisania, mbretëresha e liqenit” të autorit Agron Shele) / Nga: Kujtim Mateli, studius

 
Në origjinë të identitetit tonë
 
(Rreth librit me legjenda e rrëfenja ” Klisania, mbretëresha e liqenit” të autorit Agron Shele)
 
Personazhet e shkrimtarit Agron Shele, te vëllimi me legjenda dhe rrëfenja “Klisania Mbretëresha e Liqenit”, veprojnë në një hapësirë gjeografike të kufizuar që shtrihet në rrjedhën e Sipërme të Vjosës (Aos i antikitetit) dhe lugina në perëndim të malit të Dhëmbelit ku rrjedh një lumë me ujë të kristaltë nga burimet e tij dhe malit të Lunxherisë.
Autori na njeh me banorët e Luginës së Përmetit, me ngjarje dhe histori që i përkasin kësaj lugine, por ndalet më tepër në luginën e lumit të Zagorisë ku ndodhet një nga krahinat më të famshme siç është ajo e Malëshovës. Njihemi me ngjarje të rëndësishme të kësaj krahine, me personazhe ku spikatin karaktere të forta siç është dhe vetë ashpërsia e këtyre maleve. Autori duke na njohur me personazhe të këtyre kohëve moderne, sidomos me personazhe të shekullit të kaluar, kërkon që nëpërmjet karaktereve të tyre të shikojë banorët e kësaj lugine duke u zhytur më tej në histori. Kërkon të gjejë ato pika takimi të këtyre banorëve të kohëve moderne me ata të banorëve të lashtë, sidomos të mijëvjeçarëve të para Krishtit. Ndërmjet banorëve të kohëve të sotme ka një lidhje pazgjidhshmërie me ata të para lindjes së Krishtit. Te karakteret e këtyre banorëve dhe në botëkuptimin e tyre, autori gjen disa pika takimi me stërgjyshërit tanë të largët. Aty, në luginën e lumit të Zagorisë, në pjesën e poshtme të tij, gjendet një nga simbolet më të rëndësishme të kohës së antikitetit. Aty gjendet një shkëmb i gdhendur me mjetet e atyre kohëve, që i ngjan një shtylle natyrore, gdhendur nga dora e njeriut. Është një nga gdhendjet unike, në këto hapësira ku adhurimi për hyjnitë ka vatrën e lindjes dhe të ekzistencës së tyre deri në ditët e sotme. Autori kërkon të depërtojë në misteret e mendjes së banorëve të asaj kohe. Çfarë përafaqësonte ky gur për banorët e atëhershëm? Çfarë përfaqësonte ky gur në ato kohra, kur njerëzit e besonin Diellin si hyjni?
Nga Stefan Bizantini kemi dëshminë kyçe për të depërtuar në botën shpirtërore të njeriut të antikitetit, i cili na thotë se bashkë me parauejtë, banorët e Luginën së Sipërme të Vjosës, ishte dhe i famshmi Omfalia. Po çfarë ishte Omfalia për njeriun e antikitetit? Ishte guri ku njerëzit faleshin dhe që shënonte qendrën e Botës. Gur me përmasa natyrore, që t`ia kalojë gurit të qytetit të Përmetit, zor se mund të gjeje në këto treva që lindën hyjnitë. Guri i qytetit të Përmetit është Omfalia që na kumton Stefan Bizantini. Banorët e çdo treve kërkonin të kishin gurin e tyre hyjnor. Banorët në perëndim të malit të Dhëmbelit, nuk e patën një gur natyral të përmasave sa guri Omfalia i Përmetit, por dora dhe mendja njerëzore krijon mrekullira. Ata e gdhendën gurin e tyre, e adhuruan atë deri në ditët e sotme. E kishin faltore. Vetë funksioni që kishin këta gurë për t`u faluar, por edhe vetë emri omfalia, brenda së cilës ndodhen fjalët: fal-falia (folje dhe emër), tregojnë se gjuha shqipe edhe në mijëvjeçarët e para Krishtit ka patur një strukturë të konsoliduar sintaksore, morfologjike, fonetike dhe leksikore. Gurin Omfalia, i cili në literarurën evropiane njihet me emrin: menhir, shkencëtarët e datojnë nga Epoka e Bronzit. Pra, ky gur i Malëshovës, i kthyer në Omfalia (apo menhir) mund ta ketë kohën e datimit të tij në rreth 3000 vjet para Krishtit.
Omfalian e krahinës së Malëshovës, po ta lexojmë mirë, do t`na kumtojë më shumë se një libër i shkruar. Ishte adhurimi i gurit të qytetit të Përmetit dhe ai i Malëshovës, si hapi i parë, që do t`i drejtonte banorët e këtyre trevave pellazgo-ilire drejt adhurimit të hyjnisë me fytyrë njerëzore, siç do të ishin hyjnitë pellazge të Dodonës. Adhurimi për gurin e shenjtë dhe adhurimet për hynitë, do të bashkëjetonin gjatë, në harmoni midis tyre. Adhurimi dodonas u shtri në të gjithë hapësirën pellazgo-ilire bashkë me adhurimin për gurin dhe simbolet e tij. Të dy këto adhurime, ishin si krahët e shqiponjave që fluturuan lart e larg dhe u përcollën popujve të botës mesazhe paqeje, miqësie dhe dashurie midis tyre.
Bukuri të veçantë kanë legjendat që banorët e këtyre anëve tregojnë edhe në ditët e sotme, që vijnë si një jehonë e largët e kohëve pellazgo-ilire me të cilat ishte mbushur bota shpirtërore e stërgjyshërve tanë të largët, me anën e të cilave kërkonin të shpjegonin dukuritë e ndryshme që ndodhnin në natyrë, por edhe në jetën e tyre. Kjo botë shpirtërore, e mbushur me zana e shtojzovalle, me hyjni e hyjnesha, lëvizte nga e shkuara te e ardhmja, nga prindi te fëmijët dhe jeta vazhdonte atë ritualin e pagabueshëm për të ruajtur rite e tradita pa të cilat shoqëria do të ishte shkërmoqur si gurët gëlqerorë nga stuhitë dimërore që përplasen ashpër me ta.
Autori do t`na japë atmosferën luftarake sa herë që mbretërit e Epirit niseshin për luftë dhe gatishmëria e luftëtarëve për t`i qëndruar besnik mbretit deri në momentin e fundit. Aty, në ato shpate të thepisura malesh, në perëndim të malit Dhëmbel, ndodhen varret e stërgjyshërve tanë, varret e molosëve të zgjuar dhe trima. Në këtë mjedis të bukur shpirtëror, paralel me të, lëviz natyra me ato tekat e saja që dimrin e zgjat më shumë seç duhet, duke ia ngushtuar hapësirën stinës pasardhëse.
Lugina midis dy vargmaleve vjen e pikturuar nga autori në bukurinë e saj të papërsëritshme në të katër stinët e vitit, duke i dhënë ngjyrat e mrekullueshme që natyra zbukuron veten e vet, por në këto rrëfime dhe legjenda gjejmë dhe një përmasë tjetër, atë shpirtërore, që e gjejmë te banorët e kësaj lugine me zemër fisnike. Natyra dhe njeriu, flora dhe fauna e kësaj lugine gërshetohen duke na përcjellë një tis misterioz që mban brenda këngën e gjonit dhe të çjerrat e maceve të egra që kacavjeren në muzgun e mbrëmjes mbi krahët e pemëve. Një këngë thëllëze mbas një shkëmbi të thepisur dhe pastaj, ato hapat e tyre si erë e gjetheve që shkojnë poshtë te burimi për të pirë ujin e kristaltë e të akullt; më tej vrapin e një ujkonje e ndjekur nga qentë e staneve që nuk e lënë t`i afrohet kopesë.
Në stinën e pranverës ndjehet bora që shkrin prej maleve dhe bariu e shikon këtë me ngazëllim tek rritja e ujrave të lumit që përshkon mespërmes luginën. Ja…, për pak ditë dhe tufat e dhenve do të ngjiten majave të maleve.
Faqes së malit do të shikosh nga larg qentë e tufës tek ndjekin bishat e egra dhe barinjtë i hedhin vazhdimisht dru zjarrit për të mos u shuar deri në agim, kur bariu vë përpara tufën dhe ngjitet përsëri shpatit të malit për të arritur, aty nga pasditja, majave të maleve.
Në këtë mjedis malor, në këtë mrekulli që ndodh prapa malit të Dhëmbelit, njeriu i kohëve moderne ndjen se nuk do të merrte dot frymë lirisht, nëse brenda vetes së tij nuk do të gjallonin histori dhe legjenda sa vetë jeta njerëzore, të thurura e të ruajtura nga ata molosët e lashtë dhe që pasardhësit e tyre i ruajnë me krenari dhe i tregojnë ndanë staneve, kur bëhen bashkë dy barinj apo në ledhet e arave që kundërmojnë nga aroma e frutave të pjekur.
Në këto brigje ku rrjedh Vjosa e perëndishme, mbushur me histori dhe legjenda, në ato rrjedha të lumit të Zagorisë deri sa derdhet në Vjosë, jetojnë njerëzit më paqësorë në botë. Kjo mirësi, dashuri dhe dlirësi përmetare është në kufijtë e legjendës. Ndaj dhe legjendat që tregohen nga përmetarët për të parët e tyre janë njerëz dhe ngjarje reale, që kanë shoqëruar historinë pesë mijë vjeçare të ekzistencës së tyre në këto troje.
 
 

Kujtim Mateli, studiues

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s