Poezi nga Nikollë Loka
Frymëzimi
Kishte përshkruar lindjet, perëndimet,
muzgjet, zgjimet,
ishte pjekur në hije…
Kishte marr krahë
dhe dritën e njëmijë e një yllësive,
deri në muzg.
Natën kishte shkelur në rrugica mundimesh,
dhe duke kapërcyer labirintheve
ishte kthyer…
Por kishte rënë përmbys mbi një hije,
e s’ishte ngritur më…
Gjumi e kishte zënë,
dhe pas një kllapie,
pas një zgjimi,
në poezi ishte kthyer pa zë…
Koha tjetër
Erdhe të më thuash
se fjala është e ajrtë
e nuk ka formë.
Premtimi është një lojë.
Se qeni dhe njeriu
janë njësoj.
Erdhe të më thuash:
koha të plak me hile,
dhe rrudhat në ballë
ti vë tinëzisht,
duke të thënë
fjalë dashurie.
Po më çon fjalë
hon më hon,
se koha rri ngushtë
në pulsin tënd.
Në eter
një kohë tjetër po vjen.
Koha jote
me një tjetër diell,
me një tjetër hënë.
Gjithmonë do të jetë vonë
Presim sa të mbarojë një rrokullisje,
për tu ngritur harxhojmë pak kohë,
e kur të shkojmë në vendin ku ishim,
do të jetë vonë….
Sindromi i pakohësisë
na e bën ferrë vendin ku ishim,
ecim,
nxitojmë!
Dhe nuk e kuptojmë pse ora prishet,
a thua për të na vënë në provë!
Numërojmë vite,
një mendim e pushton krejt qënjen tonë.
Askush s’na e kthen kohën që ishte,
atë kohë rrokullisjesh,
që e kish shkuar dëm guri i Sizifit,
kohën që nuk mjafton…