Fragmente nga romani “Prognozë e rezervuar” e autores Ornela Agastra Mulla
***
Ajo ishte dhimbja e tij, plaga e përhershme, ndjenja e tij e fajit, pengu i pashlyer. Në jetë kurrë nuk mund t’i kesh të gjitha, ky është dënimi i njeriut mbase, asnjëhere peshorja e fatit nuk merr ekuilibër. Ajo lëkundet pamëshirshëm duke trazuar ndjenjat tona, duke turbulluar shpirtin tonë. Në këtë nuazë ndjesish, fiton kush balancon frymëmarrjen, bën aleat harresën, di të vendosë pllaka të rënda guri mbi zemrën e tij, të mbyllë atje dashuritë, vuajtjet, denesën, dhimbjen, ulërimën, dihatjen, takikardinë e mallit. E kur bëhesh prind, vetja kalon në plan të dytë, egoja ndërron dimension, sfumohet, zbehet, tkurret, pranon pozitën e re. Tashmë ti frymon së pari për ta, për fëmijet e tu, për gjakun e gjakut e shpirtin e shpirtit tënd. Gjithçka për të cilen vetja të është dukur i pafuqishëm e i brishtë, tashmë e sheh nën spektër tjetër: je gati për luftë, por mbi të gjitha je gati për fitore…..
***
Njerëzit e vegjël, sipërfaqësorë, ata me dy gisht shpirt e një frëngji horizont, koha i veçon, precipitojnë me llumin, se uji i kroit sado t’i fusin shkopinj të përbaltur, mbetet i pastër, qelibar… Një ditë llumrat mblidhen bashkë e nuk dalin dot në lartësi ku nuk e meritojnë… Ajka me ajken.. Balta me baltën…
….

Ornela Agastra Mulla