ME SYTË E FËMIJËS / Fragment nga romani i autorit Resmi Osmani

 

Fragment nga romani i autorit Resmi Osmani

 

ME SYTË E FËMIJËS 

Katër

Ah, Baba!
Na mungonte. E ndjeja kur mblidheëshim tok, por ai nuk ishte. Zbrazëtinë dhe hijen e trishtimit, e bënin më të dukshme mërzia e fytyrave të ngurtësuara, ai vështrimi i përhumbur i syve në zbrazëti dhe kotësia e ditëve që vinin e shkonin si njera tjetra. E qeshura kishte fluturuar nga fytyrat tona. E ndjeja kur Xhaxha Shefkiu kujdesej për fëmijët e tij, kushërinjtë tanë. Mua s’kish kush më përkëdhelte, të më përqafonte, të lozte e qeshte me mua, të më merrte hopa apo të më jepte sheqerka. Dëgjoja që për ne thoshin: ”Jetimët e shkretë”. Jetimët! Por ç’jnaë jetimët? Sakt nuk e dija por e merrja me mënt që ishin ca si ne, apo vetë ne, të mbetur në rrugë të madhe e në mëshirë të botës , pa baba. Dëgjova Xhevrien, që duke folur për ne, i tha të shoqit: ”Nëna të le jetim, po babai fukara.” Gjërat mu bënë lëmsh. Ne e kemi nënën, atëhere, pse na quajnë jetim? Mendoja e mendoja, e shpia mëndjen gjithandej, po prapë ajo kthehej po aty: babai.
-Babai mund të jetë gjallë!- I thashë tim vëllai, Damanit që ishte më i madhi nga ne. Nuk ma nxinte goja t’i thosha “Nuk ka vdekur”- kjo fjalë më kallte dridhmat. -E beson? Ti e dëgjove edhe vetë, kështu tha Teteja. Asaj ashtu i thotë ëngjëlli! Ne e kemi baba, ajo e ka vëlla, i dhemb si edhe neve.Teteja nuk thotë të rreme.
-E thotë që të mos mërzitemi e të mos qajmë. Nuk e besoj. As ajo vetë nuk e beson. Heq e vuan. Përndryshe, pse do të bënte ksodhin dhe do sillte hoxhën? E pam me sytë tanë ç’u bë atë ditë atje. Pastaj kanë shkuar tre muaj. Po të rronte do ishte bërë i gjallë e do të na kishte gjetur.
Sido që vëllait i dhashë të drejtë, nuk më erdhi mirë që mi preu shpresat dhe ktheu në mua dëshpërimin që na nxiroste ditët. Plaga, sido që ditët iknin, ishte ende e hapur,therte ,s’kishte shërim. Nga një herë, na vjen mirë edhe kur na thonë të rreme, atë që dëshirojmë të jetë dhe jo siç është.
Më shfaqej në ëndërr: i gjallë, i dashur,i qeshur në ovoruan e shtëpisë, duke shaluar dhe lodruar me pelën e bukur….. pastaj, se nga çatiste një tymnajë që e qarkonte të gjithin, e ngrinte pezull, si të papeshë, ashtu siç ngre gjeratorja e erës gjethet e vjeshtës. Ai ma bënte me dorë si shenjë lamtumire dhe tretej e humbte në largësi. Kur zgjohesha, më dukej vetja se jetoja havadan, pa vetëdije, në atë botën e mjegullt por të dëshiruar të gjumit dhe ëndërrave, ende, midis ëndërrës dhe zhgjëndrrës. Në veshë më vinin zëra të largët e ca si rënkime e ofshama shpirtërash të vuajtur nga nuk e di se ku e që buisnin nga plasat e mureve dhe hatullat. Qarkohesha ende nga vegime të pangjashme me pamje të vërteta. Pastaj gjithçka tretej e davaritej dhe mbetesha në mjerimin tim,posht mbulesave, ashtu i vogël dhe i pafuqishëm, në atë që isha në të vërtetë: i malluar, dhe dëshiruar për babanë.
***
Pa I thënë kujt, -kjo ishte e fshehta jonë-bashkë me Sadiun, vëllanë e mesëm që ishte tre vjeç më i madh , disa dit, dolëm anës rrugës së madhe, që nuk ishte larg nga banesa jonë,thuajse e barazlarguar midis Lushnjes dhe Rrogozhinës, për të pritur Babanë. I besonim parandjenjës, prisnim që të ndodhte mrekullia. Atje ku rruga e fshatit lidhej me xhadenë, ishte lëndinë dhe një plep.Dita ishte e qetë,me dritë të butë, qielli i kthiellët me ca re të pakta si bashkë leshi. U ulëm në hije se dielli kishte nisur të nxehte. Lëndina ishte e mbushur me gjelbërim dhe lule. Luzma e bletëve kërkonte nektarin. Në perëndim ishte këneta dhe larg në horizont deti. Ne vështrimin e kishim drejtuar nga jugu. Në largësi shquhej çuka e malit të Tomorrit që puthte qiellin.Nga jugu prisnim të shfaqej babai. Në rrugë lëvizjet ishin të rralla: kalonin qerre të tërhequra nga buaj të zinj, karroca që shkonin në Rrogozhinë, dhe ndonjë kamjon që zhurmonte e bubullinte. Kaloi edhe një turmë e zhurmshme harixhinjsh, me gomarë ngarkuar me shosha, sita, kanistra, dajre dhe një arushë që e tërhiqnin nga një hallkë shkuar në hundë.këndonin e lodronin dhe ikën për kushedi se ku. Ne nuk e shqisnim vështrimin nga jugu, sa sytë mu bënë ujë,sa erdhi një çast që drita u coptua në mijëra copëza, të ylberta, që flatronin si flutura para syve dhe nuk arrija të shihja larg.
Kisha hedhur shpatullat në trungun e plepit. Nga ngrohtësia e diellit dhe amza e pikërt e barishteve që i digjte dielli, mu mbyllën sytë dhe rashë në dremitje, as zgjuar as në gjumë, në atë gjëndje të habitshme, ku edhe e pamundura dhe e pabesuara, bëhen të mundura, kur u flasim dhe na flasin hijet e të ikurve, me atë zë të shurdhër që vjen si nga nëndheu.
“E mban mënd? Gjithë herët të prisja, e parandjeja kur ktheheshe nga Marglliçi apo Paramithia. Dilja jashtë porte, atje ku niste udha për në fshatra.Të shihja kur delje nga brryli i rrugës. Me të më parë, zbrisje nga pela, përgjunjeshe, hapje krahët dhe më buzëqeshje. Unë turresha për te ti dhe futesha në gjoksin tënd leshtor dhe thithja me ashk ermirimin e djersës sate,përzier me erën e djersës së pelës që më vinte e dashur. Më ledhatoje flokët,oh sa e dashurdhe e lehtë ajo dorë, më puthje në faqe, në gushë. Mjaltë të ëmbla ato puthje pastaj nxirje nga hejbet dhe më jepje kaushët me stafidhe, fistikë dhe sheqerka që ishin veçan të tjerëve. Pastaj më ngrije hopa dhe më ulje në shalën e pelës. Oh se ç’lumturi! Hynim të dy në ovorua dhe kënaqesha e kapardisesha që më shihnin se sa shumë më doje: vëllezër e motra , nëna dhe nanë Memeja.Edhe ato më donin si dritën e syve. Isha kanakari I tyre. Më dukej se isha madhuar dhe kisha kapur qiellin. Ashtu më dukej, apo vërtet më doje veçan të tjerëve? “
“I vogli im,ashtu të dukej, u doja të gjithëve me shpirt,ju ishit jeta ime, gëzimi im, që i jepnit gjallëri shtëpisë dhe shpresa e trashëgimit të mallit e gjësë, emrit dhe fisit. Ti ishe i vogli i djemve. Para se të më merrnin në eksori u sëmure keq, digjeshe nga ethet dhe treteshe përditë, ta hoqën fillin.Të shpura te jatroi në Marglliç, nuk të bëri derman.Të shpura në Korfuz, atje gjete shërim, po veten po e merrje ngadalë.me zor po mëkëmbeshe. Atë kohë më morën në eksori larg e larg mërguar, në nisinë e shkretë të Mitilinit. Para se të ikja i thashë Fatimesë: amanet Idrisin, se është foshnjë , i pamundur dhe ka nevojë për kujdes. Për fat mbeta gjall dhe u ktheva.U gjeta të gjithëve mirë, ti ishe rritur e kishe hedhur bojë……”
Më ndërmëndi zhurma e një makine që kalonte në xhade.
Dita ishte në të thyer.Dielli po varej drejt perëndimit. Prisnim. Mbi dorën time u ul mollëkuqja, e vogël, e bukur krahëkuqe dhe pikla të zeza. Unë I thashë: “Mollëkuqe, mollëkuqe, fluturo dhe rrëfemë se nga do vijë im atë” Ajo hapi krahët dhe mori fluturim nga perëndimi, andej nga ishte deti. Ah mollëkuqe gënjeshtare!
Ajo fluturoi dhe unë mbeta në zhgënjimin tim.
-Boll fjete- më tha Sadiu- erdhi koha të kthehemi në shtyëpi, duhet të jenë bërë merak.
Dremita sërish.
“Baba ne kemi dit e dit që të presim, pse nuk vjen?”
“Mos më prisni.Sa herë që luteni e faleni,përloteni dhe rënkoni, shpirti im është mes jush, por nuk mund të më shihni, se shpirtërat nuk shihen. Nga kjo botë, ku kam shkuar askush nuk është kthyer. Kujtomëni e mos më harroni”
I rrëfeva duke qarw Sadiut gjithë sa më ishte fanepsur gjat kohës së dremitjes. Ai u trondit, mw pwrqafoi dhe nuk dinte ç’të më thoshte.
Ikëm të dërrmuar e shpirtvrarë dhe, që atë ditë nuk dolëm më për ta pritur, por mëndja dhe zëmra na mbetën aty, shpresonim e shpresonim të ndodhte një mrekulli.

Tiranë, mars 2022.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s