Poezi nga Myrteza Mara

 
Poezi nga Myrteza Mara
 
 
HIJA IME
 
Nga dritarja e brengës shikoj hijen time
që endet si nomade,
me një çadër ëndrre të plagosur,
duke kafshuar mendimet e të djeshmes
për të sotmet e përgjakura.
 
Si zogjt e trembur zbrapsen hijet e tjera
dita, me turpet e natës mbi shpinë, shetit lakuriq,
sytë lakmitarë kullojnë rrëshirë!
Zgjuar kujshëm tragjedit e vjetra,
nga klithmat e korbave ngadhnjimtarë
ringjallen piskamat e elegjive.
 
Qiejt, pushtuar nga marrëzia rrëzojnë eshtra ortekësh
mbi çatinë e kullave të braktisura,
flugerët dhunohen pa mëshirë nga tufanet e kalbur.
Hija ime endet e vetme nëpër ditënatë;
e sodis nga dritarja, i pafuqishëm t’i shkoj pas.
 
Në karrocën e shpresës
hingëllin kali i lodhur nga lavditë e mortit,
dhëmbët e heshtjes përtypin pendimin e vonuar.
Poetët ngjyejnë penën në dritën e lotit.
 
 
NË DJALL TË GJITHA
 
Në djall të vej dhe krenaria
Mbi kreshtat e sedrës së unit
Ajo të largon nga dashuria
Dhe mban erën e plumbit.
 
Në djall dhe hunda përpjetë,
Për të zenë qoshen e qosheve i pari
Ta mar djalli, kemi vetëm një jetë
Të kishim dy, njerën do e falnim.
 
Në djall dhe pendesa pas fajit
Dhe fjalët e lyera me zjarr
Kush e hedh hapin i parë
Lartohet kur thotë “më fal!”.
 
Në djall dhe xhepat e fryrë
Me plehrat e fjalëve të nxehta
O Zot, shemtohemi në fytyrë
S’shikojmë si rrokulliset jeta!
 
Në djall, në djall të gjitha
Larvat që bluajnë këngët
Ato i nxjerrin sytë dritës
Thajnë dhe pemën e ëndrrës.
 
Në djall dhe të tilla motive,
E fundit kjo poezi me djall
Mjalti i fjalës- magjia e magjive
Si dehja nga dashuria e parë.
 
 
NUK KAM KOHË
 
Nuk kam kohë të pres kohën,
Duhet të rend, vetëm të rend.
Kështu linda, kështu më njohën,
Vetëm kështu më ze hapi vend.
 
Nuk kam kohë të pres diellin,
E kam në ballin e dashurisë.
Që kur kam lindur sytë nga qielli,
Lutjen e parë ia fal Perëndisë!
 
Nuk kam kohë të dëgjoj sirenat,
(Oh, sa ëmbël dinë të ndjellin!)
Pas erës së tyre përgjojnë hijenat,
Pas hijes së tyre bën hije terri.
 
Nuk kam kohë të zihem me veten,
As me të tjerët s’jam zenë kurrë.
Për zenka e sherre është bota tjetër,
Gazin e fjalës e mbolla në buzë.
 
Nuk kam kohë as që të plakem,
(Kush e lakmoi këtë djall moshe!)
Shpirti rinohet nga lulet ngjyrëflake,
Ato që vlejnë sa ari i gjithë lotëve!
 
Nuk kam kohë edhe të vdes,
Me vdekjen kam lidhur kontratë.
Të vijë vetëm në një mëngjes,
Nuk do e pranojë po të jetë natë!…
 
Nuk kam kohë të pres kohën,
Duhet të rend, vetëm të rend.
Kështu linda, kështu më njohën,
Në sy e në shpirt kam emrin tënd.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s