William Shakespeare
Kalendari poetik: William Shakespeare (1564-1616)
23 prilli është njëherësh data e lindjes dhe e vdekjes së Shekspirit, dramaturg, poet dhe aktor anglez. Shkroi 37 drama dhe komedi, sonete dhe poema të tjera. Shumë nga pjesët teatrale i solli në shqip shekspiriani i madh Fan Noli. Është shkruar shumë rreth Shekspirit, madje prej kohësh qarkullon edhe mendimi se autorësia e dramave dhe soneteve nuk është e tij; gjithsesi janë botuar e përkthyer në të gjitha gjuhët e botës dhe emri i tij është i pavdekshëm. Në vitin 2016 kam sjellë në shqip Sonetet, të plota, 154, botuar nga shtëpia botuese ADA. Ja përzgjedhja ime në këtë përvjetor, është i pari sonet që kam shqipëruar prej Tij:
SONET NR. 90
Urremë po deshe, dhe tani qoftë,
Tani që bota syve ma përplas,
Bëhu me fatin, ulma dhe ti kokën,
S’ke pse pret tjetër herë të humbas.
Ah, mos prit të kalojë ky sëmbim,
Mos ji për brengën time një kujtim,
Pas një nate rrebesh e shi në agim,
Mos vono, u vendos dhe ky dënim.
Në do të më lësh, lërmë sa më parë
Më mirë, kështu do të më shijojë,
Jo kur mundimet të më kenë vrarë,
Apo fat i zi ç’mund të më punojë,
Të tjerat brenga, s’janë më mundime,
Në të humbsha ty, vajti jeta ime.

© shqipëroi Maksim Rakipaj