“MUROSJA E MIKES NËN RRAP DHE POETËT QË NUK IKIN NGA ATDHEU”

 “MUROSJA E MIKES NËN RRAP DHE POETËT QË NUK IKIN NGA ATDHEU”

 kalosh

                  nga  Kalosh Çeliku

 

         Poezia është shprehje e artizmit poetik, lojë fjalësh, burimisht që kanë qëllim magjik, është thirrje hyjnore, arrin në qiell dhe hedh fuqinë e vet dhe bëhet e fuqishme duke pasur edhe shpirtin e tyre, Hyut Nuk është ajo e përshkrimeve, përkushtimeve prijësve të partisë, parullave të thata patetike. Rreth nesh çdo gjë është poezi: Toka, qielli, dita, nata, lindja, vdekja, ringjallja, rrugët, era, zogjtë, lumi…  Vetëm, duhet një sy i mprehtë për t’i hedhur në letër emocionet, idetë dhe imagjinata duhet shkrirë në indin poetik me mjeshtri të jashtëzakonshme.

        Dhe, novatorizmi, i cili i ka rrënjët te lirika popullore, që e ka tejkaluar pjesa më e fuqishme e poezisë shqipe, është lirika e dashurisë.  Dhe, jo rastësisht Lasgushi është poet i madh. Serembe, Frederik Rreshpja, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Visar Zhiti, Pano Taçi, Skënder Rusi, Hida Halimi, Azem Shkreli, Mimoza Ahmeti, Gani Xhafolli, Adem Gajtani, Mirko Gashi, Radije Hoxha, Ledia Dushi,  etj.

        Poezia shqipe është lëruar dhe zhvilluar brenda kufijve politik: Shqipëri, Kosovë, IRJ e Maqedonisë, Mal i Zi dhe Diasporë. Dhe, për çudi, përderisa në Shqipëri ajo është lëruar përkrah poezisë patriotike edhe poezia e dashurisë, në Kosovë, Mal të Zi dhe IRJ e Maqedonisë është lëruar poezia patriotike. Realitet, që do të thotë se, një popull e manifeston atë që nuk e ka, i mungon me vite, liria. Risi në poezinë shqipe, sot është kombinimi i dashurisë me patriotizmin. Poetët që e lërojnë këtë lloj poezie numërohen në gishta. Megjithatë, kjo është poezia e ironisë, sarkazmës dhe protestës artistike.

        Motivet e poezisë erotike shqipe janë të njohura: besnikëria, tradhtia, ndarjet, xhelozia, malli, sëmundja nga dashuria, mirëpo edhe ëmbëlsia nga dashuria dhe bukuria e trupit të zhveshur. Është interesante se në rolin e subjektit lirik paraqitet në këto poezi, njësoj shpeshherë gruaja sikur edhe mashkulli. Për më tepër, në poezi është e përbashkët tema: jeta pas vdekjes. Ringjallja.. Dhe, raporti midis jetës dhe vdekjes. Edhe pse, në kohën e sotme ende vazhdon të shkruhet poezia patriotike, ku gjakohet pas lirisë dhe luftohet robëria. 

        Poezia shqipe në gjirin e vet e ka edhe tipin e poezisë profetike. Zakonisht, këtë lloj të poezisë e kanë shkruar poetë-profetë, që letërsia shqipe i ka pasur edhe para kohës së Romantizmit. Stili i përsosur dhe poetë që nuk kanë shkruar shumë për të kaluarën, po për të sotmen dhe të nesërmen. Vargu i kësaj poezie e ka luftuar hipokrizinë, koprracinë dhe grykësinë. Një spektër më i gjerë objektesh paraqitet në poezinë erotike, e cila dallohet fare lehtë nga poezia patriotike. Kështu që mjeshtëria e poetit shprehet me kërkimin e forcave të reja, përsosjen e figurave ekzistuese dhe të proceseve stilistike duke lejuar shtimin dhe zhvillimin e temave.

        Poezia erotike shqipe sot kërkon gjakun dhe shpirtin, që i ecin nëpër damarë. Një përzierje të së resë: dashurisë me patriotizmin dhe pornos me politikën. Gjuha e thjeshtë dhe me stilin e qartë, po të thellë duhet përsosur me imagjinatën e pasur dhe gjuhën e stolisur. Këndimi i poezisë të dy shtambave me verë dhe asaj erotike. Vdekjes dhe Lindjes. Ringjalljes…

         Dhe, për mua si poet, poezi e fuqishme është ajo që i qarkullon nëpër damarë gjak dhe shpirt, i ka rrënjët në poezinë popullore. Dhe, i japin gji tri Zana të maleve. Fuqi për luftë si Mujit dhe Halilit…

        Ikja nga parullat e thata, patetika patriotike është risi e plotë në poezinë shqipe, sikur është ruajtja dhe ndikimi i poezisë popullore. Poezia e mirë duhet të ketë edhe filozofinë jetësore plot figura poetike. Poeti duhet të di të hedhë farën në tokë pjellore, ashtu si bujku me hebet në krah drithin në ara, kështu që frutat e pjekur, poezitë të lulëzojnë në fushat tona, rrëzë maleve…

         Armë e fuqishme sot është lirika satirike, ku përqesh momente njerëzore, politikën me prijësit e tyre, madje edhe vetë fatin e një populli. Origjinaliteti i poetit të sotëm, fatkeqësisht ende është në kundërshtim me dukuritë imorale dhe idetë e kohës, në të cilën jeton brenda kufijve politikë.

        Poezia shqipe sa vjen e më shumë demokratizohet dhe misticizmi depërton në art. Poetët shqiptarë dashurinë e tyre ndaj lirisë e paraqesin me shprehje plot figura dhe me gjuhën erotike të lirikës së dashurisë. E zhveshin nga trupi ferexhen patetike dhe parullat e thata dhe i veshin tirqit me gajtanë e xhamadanin me sumbulla. Në poezinë e këtyre poetëve, nganjëherë është shumë vështirë të dallohet deri ku shkon alegoria e ku fillon shfaqja realiste. Vetë gjuha shqipe, gjuhë e poezisë ka disa veçori të saj poetike, e përshtatshme në paraqitjen e dy-tre dykuptimësive të vargut. Megjithatë, në këtë poezi ekziston edhe një rrezik stereotipash, sepse ajo bazohet në disa tema të përsëritura: dashuria, vera, bukuria. Që, poeti shqiptar i ka tejkaluar me sukses dhe pasuruar me Baba Tomorrin, Tyrben, Rrapin, Shtambat me verë, Cucen Boheme, Engjellin Grua, Djemnushën, Tri Zanat e malit. Nusen me peshterkë të kuqe, Tatën e Madhe, etj.

         Inspirimi i poetit shqiptar, është më i sinqertë dhe më i thellë duke u shërbyer me shprehje të larta poetike. Formën e një vargu mes legjendave, porosish dhe alegorish: Miken duke e murosur nën Rrap dhe duke ia lënë një gji jashtë për poetët që nuk ikin nga Atdheu…

        Tendencë kjo, për të krijuar një rrymë të re letrare me shumë vazhdues dhe përkrahës. Poeti i këtillë rebel është i gatshëm të rroket fytas edhe me Zonjën Vdekje. Ringjalljen. Lindjen. Robërinë. Lirinë. Shkurt, të ballafaqohet me misteriozen: dashurinë qiellore dhe tokësore.

        Rrezik për poetët e talentuar me dhunti nga Zoti, janë poetët e rrejshëm të oborreve të partive politike. Poetë pa talent, po të shkathët t’u vihen pas partive politike në pushtet, si dhelpra pas dashit, me shpresë se mos i bien udhës. Poetë të këtillë vetëm për një përdorim, letërsia shqipe ka me bollëk, sa kanë të hanë edhe qentë e rrugëve…

        Herët a vonë, këta poetë do të dështojnë në poezi. Rrugën do t’ia lëshojnë poetit-profet, lirikut me mendime të thella dhe me talent të madh vrojtues, kur është fjala për situatat e përgjithshme njerëzore, i cili ka qëndruar, në të vërtetë, mjaft indiferent kur është fjala për ngjarjet politike të kohës së tij.

         Vargu i sotëm luftarak, i këtyre poetëve rebelë, përjeton një lulëzim të ri të lirikës shqipe. I lëshuan istikamet, ferrat, gurët… Pusitë, tashti i vunë nën rrape… Shkolla… Universitete… Biblioteka… E nxorën vargun nga brezi. Poetë me shpirt krenar dhe të vetëdijshëm në paraqitjen e realitetit shoqëror, kështu që për këta poetë rebelë jeta e varur nga partitë politike është e huaj. Tentim ky, i komunizmit që tërë jetën e shoqërisë ta ketë nën kontroll. Hap i gabuar ideologjik me të cilin dështoi në parashikime. Tashti e kanë radhën partitë politike “demokratike”, shkaku se poetët bëhen edhe më të fuqishëm. Stili i tyre është sakrificë, ndjeshmëri e poetit dhe sinqeriteti. Përsëri do të vdesë dhe ringjallet, por kurrë nuk do t’u bie duarve dhe këndojë arritjeve të tyre demagogjike.

        Shkëputja nga format klasike poetike nuk qe proces që u bë lehtë, me vete mori edhe viktima. Nuk është punë e lehtë t’u ikësh ndikimeve nga letërsia ruse ( Shqipëri ) dhe sllave ( Kosovë. Mal i Zi e IRJ e Maqedonisë ).

        Poezia  shqipe moderne sot ka një rrezik nga poetët e oborrit të partive politike “demokratike”. Fatkeqësisht, falë Zotit, në përgjithësi janë poetë të dobët dhe pa talent. Megjithatë, poezia e ardhmërisë do të jetë poezia e verës dhe e dashurisë, që alegorikisht të paraqesë dashurinë hyjnore dhe dehjen e mistikëve

        Ardhmëria e poezisë shqipe qëndron në traditën e poezisë popullore, Rilindjes, duke u pasuruar me rrugë të reja, për të hipur në Baba Tomorr. Atdheun e perëndive. Tyrben, ku pihet vera, shkruhet poezia. Dhe, bëhet dashuri…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s