NJË LIBËR I RRALLË ME LIRIKA SOCIALE (Bilall Maliqi “Lutje të lagura”, botoi “Kurora”, Gjilan, 2009, fq. 54)

NJË LIBËR I RRALLË ME LIRIKA SOCIALE

(Bilall Maliqi “Lutje të lagura”, botoi “Kurora”, Gjilan, 2009, fq. 54)

 sinan

    Nga Sinan Sadiku

 

Bilall Maliqi tashmë është emër i njohur nga pena e të cilit janë shkruar disa libra me poezi për të rritur dhe për fëmijë, por ai ka shkuar edhe libra me tregime edhe për të rritur e edhe për fëmijë, e ka botuar një libër me intervista me shkrimtarë, e të tjera. Me një fjalë Bilalli është krijues i gjithanshëm dhe produktiv që vjen nga Presheva, i cili tashmë ka bërë emër.

bilall

  Bilall  Maliqi

Libri poetik “Lutje të lagura” i autorit Bilall Maliqi në aspektin tematik-motivor është një libër i rrallë i shkruar në këto dy dekadat e fundit, në poezitë e të cilit shprehet dhembja e autorit për vuajtjet dhe sfidat shumëherë të pakalueshme nëpër të cilat kalojnë shtresat më të varfra të shoqërisë shqiptare. Edhe pse mbi gjysma e popullatës tonë jetojnë në varfëri, ndërsa një pjesë e madhe e tyre në varfëri të skajshme, të rralla janë librat me poezi të cilat ia kushtojnë ndonjë varg kësaj plage të rëndë shoqërore. Realisht ky është një absurd në vete të cilin e ka thyer Bilalli duke ia kushtuar të gjitha poezitë e librit kësaj tematike. Pasojë e varfërisë janë: vuajtja, mjerimi, mërgimi, sëmundjet dhe vdekjet e parakohshme, janë shumë e shumë tragjedi me të cilat po përballet një pjesë e kombit. Më e freskëta nga këto është tragjedia në lumin Tisa e cila megjithatë buron nga varfëria. Këtë lloj të tragjedive që jo rrallë po e përjetojnë njerëzit tanë na e përkujtojnë vargjet: “Uji/ rrëmbimshëm/ bartë ëndrrat e tyre” (Në perin e kohës, f 26). Të gjitha këto çështje të cilat shpeshherë rrjedhin nga varfëria nuk e ka lënë pa i prekë autori, herë në mënyrë të tërthortë e herë në mënyrë të drejtpërdrejtë, herë në mënyrë më të mbyllur e herë në mënyrë më të hapur, kuptohet me mjetet që ia lejon poezia dhe stili i tij, figuracioni dhe konteksti, si dhe gjuha asociative.

Përveç në aspektin tematik libri është i veçantë edhe në aspektin e shprehjes artistike, në aspektin e gjuhës poetike dhe në përgjithësi të figurave të cilat autori i ka zgjedh me përkujdesje dhe punë të durueshme për t`i shkruar vargjet, poezitë dhe librin në tërësi dhe për t`i shpreh ndjenjat, mendimet, vizionet dhe dëshirat e veta. Libri është një tërësi mirë e organizuar e pandarë në cikle, ku secila poezi është qenie në vete dhe të gjitha së bashku e bëjnë librin poetik. Pra nuk kemi të bëjmë me një përmbledhje të vjershave ku poezitë janë grumbulluar dhe janë përfshi pa ndonjë koncept, por kemi të bëjmë me një libër poetik në të cilin gjithçka është e vendosur në vendin e vet dhe nuk ka as teprica e as mungesa.

Vargje kushtuar shtresës më të varfër të shoqërisë

 

Siç shkrova më lartë poezitë e librit në tërësi i kushtohen shtresës më të varfër të shoqërisë, asaj shtrese e cila jeton në vuajtje dhe mjerim të plotë: lypësve, të cilëve “Vetëm rreze dielli/ ju mblidhen nëpër duar” (poezia “Zgjimi i molisur” faqe 33), ose “Në gropëza/ të lypsarit bonjak/ loti shumëzohet” (poezia “Lypsarit bonjak” f 28); fëmijëve të uritur: “Djepi me dërrasa/ (s)e rehaton/ fëmijën e uritur” të cilin “ninulla e përlotur/ për një çast e gjumos/ nga çastet e liga” (“Ninulla e përlotur” faqe 39); të uriturve në përgjithësi: “për gjëmat e ngrira/ e zërat që nga uria/ epokën e re shpojnë/ fjalët nuk mjaftojnë” (Dihatje të avulluara, f 14); të sëmurëve nga skamja, varfëria, mjerimi: “Eshtrat e fytyrës / mbështjellë/ me të verdhen lëkurë” (Panorama, f 22); atyre të cilët për shkak të mjerimit vdesin para kohe: “mjerimi shterr/ ofshamat e fundit/ rreth gurit/ sillet mordja” (Rreth gurit, f 16), ose “Prapë vdekja e sheh/ veten në pasqyrë/ trembet nga rrudhat/ që skamja ia stolis” (Ngushëllime, f 17), pastaj “Mordja me dhëmbë/ hap edhe një gropë/ e vet nuk bie” (Në zezënatë, f 19), për të vijuar “shpresat e ndukura/ ngadalë gërryejnë ashtin/ derisa vdekja/ lehtas t`i gëlltisë” (Shpresa të ndukura, f 30); si edhe fëmijëve të dëshmorëve të rënë në luftë me armikun: “Bonjakë të mbetur/ nga frontet e (I)lirisë/ gostiten me lot qielli” (Në harten e bamirësisë, f. 12).

Veçantia e shprehjes poetike

 

Siç e dimë për temën e mjerimit, të varfërisë, të skamjes kanë shkruar kaherë poetët tanë. Për këtë tematikë veçmas ka shkruar poeti ynë i madh Migjeni i cili nga disa studiues është quajtur “Poet i mjerimit”. Sado që tematika për të cilën shkruan Bilalli është e ngjashme me atë për të cilën ka shkruar Migjeni; edhe sa i përket shprehjes poetike, edhe sa i përket ndjeshmërisë dhe mënyrës së shprehjes së asaj ndjeshmërie, edhe sa iu përket bindjeve filozofike, edhe sa iu përket vargjeve, mund të themi se Bilalli është i veçantë, e ka stilin dhe natyrën e vet poetike e cila nuk është e ndikuar as nga Migjeni e as nga ndonjë poet tjetër. Gjuha poetike e Migjenit, ajo e pjesës më të madhe të poezive të tij është më e drejtpërdrejtë, më e hapur dhe më komunikuese edhe me ato shtresa të lexuesve të cilat me poezinë nuk merren në mënyrë më profesionale, ndërsa gjuha poetike e Bilallit është më e përmbajtur, më e mbyllur, më hermetike. Të mos keqkuptohemi, Migjeni ka qenë dhe mbetet njëri ndër poetët më të shquar shqiptarë i cili e ka individualitetin dhe stilin e vet, por kur e bëra krahasimin desha të them se Bilalli shkruan në një kohë tjetër, me një stil tjetër , apo më mirë të themi modeli poetik i Bilallit është krejt tjetër nga modeli poetik i Migjenit dhe nuk vërehen ndikime. Megjithatë, fatkeqësisht, duke e pas parasysh varfërinë dhe mjerimin që është shumë i pranishëm në shoqërinë shqiptare, poezitë e Migjenit edhe sot e kësaj dite tingëllojnë po aq aktuale sa edhe në kohën kur janë shkruar dhe në këtë aspekt (të aktualitetit) edhe për kohën në të cilën jetojmë ne, deri tani janë të pakalueshme dhe do të jetë vështirë të arrihen e edhe më vështirë të tejkalohen. Megjithëse e njëjta gjë mund të thuhet edhe për shumë aspekte të tjera të poezisë së tij.

Siç shkrova më lartë gjuha poetike me të cilën Bilalli i ka shkruar poezitë është në tërësi gjuhë figurative edhe atë gjuhë e një figuracioni të dendur, në të cilën barrën kryesore e bartin dy figura: metafora dhe personifikimi, të cilat janë të kombinuara dhe shpeshherë e pasurojnë njëra-tjetrën. Figurat shtrihen në tërë poezinë dhe në librin si tërësi dhe thuaja nuk ka mundësi të ndahen as për qëllime të analizës dhe studimit. Thjesht ato janë vet poezia.

Kur jemi te shprehja poetike të mos e lëmë pa përmend faktin se në vargjet e librit “Lutje të lagura” nuk sakrifikohet ana estetike në dobi të anës semantike, siç ngjan te shumë poet, por artikulimi i ndjenjave, mendimeve, mesazheve, dëshirave, vizioneve… bëhet me një gjuhë të ngjeshur figurative herë herë gati hermetike, gjë kjo që poezitë e librit i bënë jo aq komunikuese, gjegjësisht bënë që ato të shijohen vetëm nga një shtresë e njerëzve të cilët me poezinë merren më gjatë, të cilët poezinë e kanë pasion ose profesion. Në pikë të fundit, poezia e mirë sot thuaja çdo kund në botë, shkruhet për një shtresë të zgjedhur të lexuesve.

 

Mesazhi për barazi sociale

 

Poezitë e librit “Lutje të lagura” janë lirika sociale në të cilat shfaqet dhembja e autorit për mjerimin, vuajtjen e shtresave me të varfra të shoqërisë, dhembje kjo e përjetuar thellë dhe e shprehur me mjete të poezisë, pa atificializma e shtirje, në të cilat shfaqet dëshira e autorit që kjo plagë e shoqërisë të shërohet. Në shumicën e poezive shohim portrete të lypësve, të njerëzve të uritur, të njerëzve të sëmurë, të njerëzve me shpresa të humbura, të njerëzve të molisur, të njerëzve që i pret vdekja e sigurtë ose edhe të atyre që kanë vdekur para kohe, të cilat portrete poeti i ka pikturuar me mjeshtëri, me dashamirësi dhe me dhembje, fotografia e të cilëve na del përpara gjatë leximit sikur të ishin piktura. Sa do që poezia e Bilallit është figurative e në një masë bukur të madhe edhe e mbyllur, lexuesi i kujdesshëm nuk e ka vështirë ta zbërthej atë edhe sa i përket anës semantike dhe ta gjej mesazhin e saj dhe përveç dhembjes ta gjejë edhe pakënaqësinë, protestën dhe kërkesën drejtuar shkaktarëve të saj dhe njerëzve të tjerë që kjo gjendje, kjo situatë tejet johumane të ndryshohet.

Dëshirat e autorit shprehen shumë çartë në poezinë “Të zbresë mëshira”

 

E përflakura dëshirë

Lundron në kujtesën time

 

Shpirtave të molisur

Të shtegtojë gëzimi

 

Pikëllimi të ndërrohet

Me shpresën

 

Nga dora në dorë

Të zbresë mëshira…

 

Po ashtu autori nuk e lë pa i përmend edhe shkaktarët e mjerimit, çështje kjo që shihet qartë te poezia “Nëpër kujtesën time”

 

Notojnë duarshtrirët

E rrahur nga motet

 

Shpërthejnë lotët e dhembjes

Paria vë syzet e nxira – kotet

 

Kafshuar u janë fatet – medet

Kuçedra ua grisi ëndrrën

 

Barkmëdhenjtë pa mëshirë

Përbiruar kanë zhgjëndrrën

 

Edhe këtë ditë

Pëlhurën e vodhi era

 

Në njëfarë mënyre dhembja, pakënaqësia janë edhe një lloj i protestës ndaj gjendjes së mjerë të të varfërve, protestë kjo e cila bëhet më e qartë dhe më konkrete në vargjet “Shpërthejnë lotët e dhembjes/ Paria vë syzet e nxira – kotet”. Në këto vargje vihet në shënjestër shkaktari i mjerimit që shprehimisht thuhet se është Paria. Kjo çështje shprehet hapur edhe në poezinë “Ashtu si në vargjet e poetit”, njëra ndër poezitë më të drejtpërdrejta të librit së bashku me poezinë “Të zbresë mëshira”. Në të dy këto poezi shprehen hapur dëshirat e poetit në njërën, dhe pakënaqësia e cila kalon në protestë në tjetrën.

 

Hej, o ju që në arkat e mbushura

Me djersë skamnori e punëtori

Mbështilleni me dredha fjalësh

Lëkurën rjepur ua keni

Fatin ua keni varur n`litar

 

O ju barklëshuar

Ëndrrat pamëshirshëm ua përtypët

Mbi kurrizin e tyre ngarkuat

Dhembje e ofshama

E djersët e ftohta

Ua fshijnë vetëm muzat

 

Në një mënyrë mund të themi se në të gjitha poezitë e librit dhe nga libri si tërësi del mesazhi gjegjësisht kërkesa për një barazi sociale, për një ndarje më të drejtë të pasurisë nacionale, por edhe konstatimi se “shtresat i barazon/ hapësira bamirëse/ vetëm me ujë e ajër…” (“Vetëm ujë e ajër, f. 36) edhe pse kisha thënë se tashmë kjo nuk vlen për ujin e nuk di çka të them për ajrin!

Kur jemi te një lloj krahasimi midis poezisë së Migjenit dhe asaj të Bilallit, të mos lëmë pa e përmend se fajet për mjerimin Bilalli i gjen te udhëheqësit, apo më mirë të them te sunduesit tanë, ndërsa siç e dimë Migjeni përveç te udhëheqësit fajin e shihte edhe te kishat, te xhamiat dhe te vet Zoti. Pra derisa Migjeni ishte kundër mëshirës dhe kundër vet Zotit, Bilalli është me Zotin dhe kërkon që “nga dora në dorë/ të zbresë mëshira…” (Të zbresë mëshira, f. 27). Po ashtu në poezitë e Migjenit shpërthen një revoltë e hapur kundër autoriteteve shoqërore si shkaktare të mjerimit, ndërsa te poezitë e Bilallit vijnë në shprehje pakënaqësia dhe protesta, të cilat nuk kalojnë në revoltë të hapur, dhe duket se maturia dhe të përmbajturit janë karakteristika të natyrës dhe temperamentit të tij, të cilat e disiplinojnë edhe vargun, edhe shprehjen poetike.

 

Përmbyllje

 

Në fund mund të konstatojmë se libri “Lutje të lagura” i autorit Bilall Maliqi është një libër i suksesshëm, i shkruar me një gjuhë të mirëfilltë poetike, me figura të gjetura dhe të kombinuara me kujdes e shije të veçantë, në poezitë e të cilit shpaloset dhembja e përjetuar thellë e autorit për vuajtjen dhe mjerimin që e ka kapluar një shtresë jo të vogël të shoqërisë tonë; është një libër që dëshmon se autori tashmë e ka krijuar individualitetin poetik, e ka krijuar stilin e vet mjaft origjinal dhe ka shkruar poezi të cilat me vlerat e tyre poetike ia bëjnë një vend të mirë në hierarkinë e poezisë së sotme shqipe.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s