ORIGJINALITETI I NJË VËSHTRUESI OBJEKTIV

ORIGJINALITETI I NJË VËSHTRUESI OBJEKTIV

(Bilall Maliqi “Hullive artistike”, Sh.b. “Kurora” Gjilan 2011, faqe 116).

nga Mr. Nazmi Beqiri

Vepra “Hullive artistike” e Bilall Maliqit, është një vepër brenda të cilës janë përfshirë njëzetë vështrime, afërsisht të po aq veprave letrare të një intervali kohorë të shkurtër (dy – tri vjet), të cilat vështrime i kishte botuar në revista e gazeta e që me shpërndarjen e tyre mbulojnë Kosovën Lindore, Republikën e Kosovës, Maqedoninë e më gjerë.

bilall

Bilall Maliqi

Para se t’i themi ca fjalë mbi vështrimet që u janë bërë veprave dhe çka kërkon brenda tyre autori i veprës “Hullive artistike”, para së gjithash do të përmendim zemërgjerësinë, guximin, interesin, dhe mos animet. Tek ai nuk mund të hasen fodullëqe dhe nuk është aspak kopjues e plagjiator.

Për derisa një punim mediokrish kacavirret e laviret para emrave të krijuesve të shumë njohur, brenda të cilëve vështrime mbi gjysma e asaj që e thonë në të është e marrur, huazuar, kopjuar e vjedhur nga kritik tjerë të njohur, autori i kësaj vepre është vështrimshkrues origjinal. Vepra e tij është shumëdimensionale. E para – Ai mbron, zhvillon dhe krijon lidhshmërinë shpirtërore të shqiptarëve të ndarë fizikisht, por i pa shkëputur në veprime e vlera të tjera të të gjitha fushave, e posaçërisht atë të informacionit dhe artit, ku duke i hapur “hullitë” e tija i bënë të paqena ndarjet e imponuara.

Natyrisht se autori, shumë më lehtë do ta kishte sikur t’i përvishej punës në një bibliotekë universitare apo të çfarëdo lloji qoftë, dhe ta jepte kontributin e tij mbi një grup shkrimtarësh të një lëmi apo gjinie letrare, me të cilin rast, ai jo që do të kishte bërë “hapjen” e përmendur, por do të mbyllte edhe veten brenda një çelësi shkencor. Ai gjithsesi e din edhe vet këtë, por e zgjodhi atë drejtim ku “me një gurë (të rënë), do të shkundte shumë arra”.

Çështja e dytë është se ai u bënë vështrime veprave të reja (të posa botuara) të krijuesve të rinj. Ai është kujdestar besnik i këtyre botimeve, duke u marrë me ta në mënyrë aktive, për t’u ndihmuar në përurimin e tyre, si dhe shpërndarjen dhe informimin e lulëzimit kulturor në fizikun e ndarë të shqiptarisë. E treta është se ai nuk del ndarës i kësaj vlere shpirtërore shqiptare duke u marrë vetëm me prozë apo poezi, por merr gjithçka që del e re, që shërben për ushqim shpirtëror, për lëvizje e takime të ndërsjella me regjionet e përmendura dhe brenda studimit (vështrimeve) të tij, ai merr poezi, prozë, frazeologji etj. Kështu, në veprën e tij ai i paraqet katërmbëdhjetë vështrime për poezi, në mesin e të cilave një prej këngëve popullore dhe gjashtë veprave me prozë. Në mesin e veprave autori i vështrimeve shndërrohet në një kërkues të gjërave, elementeve që atij i interesojnë më së shumti. Ai i përngjet një blete punëtore që vazhdimisht shëtit lule më lule, por merr vetëm atë kokërr poleni që i intereson apo që “prodhon mjaltë”. Me fjalë të tjera atij në çdo vepër të lexuar, e në veçanti të këtyre për të cilat ka bërë edhe vështrime, i intereson kulmi i vlerës së tyre që i kushtohet kombit shqiptar, pa të cilën vlerë veprimi shumëdimensional që përmendëm më lartë nuk do të kishte kuptim. Gjërat që i mbledh apo i veçon ai për citim janë me kuptim, me interes dhe me porosi të veçanta gjithëpërfshirëse. Madje i merr vetëm ato thënie nga vepra siç thotë ai vet “të cilat u bëjnë ballë edhe ndryshimeve të kohëve”. Ai edhe e gjenë vetën dhe tërësinë kombëtare brenda veprave të lexuara dhe i citon ato siç është rasti tek vepra “Kërkoj kohë të qetë” kur citon vargjet “nuk hesht edhe kur ndokush ma kthen tytën e pushkës”. Me të cilat vargje ai e përcjell porosinë e autores, se nga heshtja mund të del vetëm robëri e kurrë liri, dhe edhe pse ajo është me rrezik, por gjithsesi ia vlenë dhe menjëherë vazhdon me paraqitjen e lashtësisë kombëtare, i cili assesi nuk mund të mos ngadhënjejë dhe ajo do të vijë një ditë:

“Do të pres një ditë

Flamuri të valojë mbi kulla”.

 

Në këtë rast është interesant se ai me filozofinë e tij të pa zgjeruar në këtë vepër, përdor edhe terme të shumta me kuptime shumëdimensionale si për shembull “atdhemëmëdhedashuria”.

Ai shton, rritë e përcjellë porositë e marruara dhe jo vetëm këtë, por edhe i përforcon ato edhe me energji më të shumtë, të cilat porosi nuk mund të pranohen pa emocione, madje edhe me dhembje siç e thotë edhe ai vetë: “gjatë leximit, lexuesi do të ketë dhimbje siç pati poeti”.

Gjatë kësaj pune mbi librat që ai zgjodhi, nuk merret vetëm me atë se çfarë paraqesin ato, por bëhet edhe vet pjesë e tyre, madje nuk i mjafton që ato t’i vështrojë vetëm në tavolinën e punës, por të gjithë këto vepra të përmendura i shikon përnjëherësh në mënyrën imagjinative nga vështrime të llojit të shqiponjës e cila ngritet lartë dhe shikon çka don. Edhe autori i hullive ngritet edhe më lartë dhe shikon çdo “kënd të atdheut”.

Bilall Maliqi gjatë vlerësimit që u bënë këtyre veprave kryen shumë punë, ndër të cilat edhe atë të një kritiku letrar të mënyrës përcjellëse të botimeve kohore, që ndryshe quhen vështrime gazetareske mbi veprat, gjë që është e vërtetë ngase këto vepra nuk u studiuan në një moment ku mund të shtroheshin elementet e studimit, siç është krahasimi apo diç tjetër, me që të gjitha këto punime paraprakisht kanë qenë të gjitha të botuara nëpër gazeta e revista të kohës. Kjo as që i ikë autorit dhe duke qeshur me kritikët mediokër që mund të thonë ndonjë fjalë për këtë vepër, ai vë mbrojtjen e vet duke sqaruar shumë mirë se nuk kishte bërë lëshime, e as nuk i mungonte njohuria mbi kritikën letrare, dhe e quan veprën “Hullive Artistike”, i cili emërtim nga vet ai na bëhet me dije se libri e kishte kryer misionin e vet, madje edhe po jepte porosinë se mbi të gjitha “kullat” arbërore do të valojë një flamur, për të cilën punë duhet ta sakrifikojmë më të vlefshmen e më të dhimbshmen. Andaj autori ka bërë një punë të pamohueshme në drejtim të zbardhjes dhe ndriçimit të vlerave të pastra kombëtare dhe e presim me vepra të tjera.

Një mendim i hapur për lirikën në shqipe

Fenomeni i komunikimit tërësor i lirikës në letërsinë shqipe nuk vjen tani më si kërkesë e vetme e kohës sonë, por, ajo është një detyrë e posaçme e shkencës së letërsisë, që ka zgjuar një interesim të madh nëpër etapa kohore. Edhe pse në vetëdijen tonë gjithmonë ka gjakuar një lirikë kombëtare e cila shkruhej dhe studiohej si lirikë andej e këndej botës e më pas si lirikë e këtij apo e ati krahu, kuptohet, ngase gjeografia shqiptare ishte një gjeografi ku shkrimi shqip akuzohej si mëkat dhe, shpejt poeti mund të ulej në bankën e akuzës, e më pas, si fajtor kujdestarë qoftë në kuptimin ideologjik qoftë në atë politik, si sot, e ndarë sipas kufijve politik.

Një mënyrë e këtillë e shkrimit dhe e studimit të lirikës shqipe, për fat të keq ka sjellë mes nesh një pasqyrë joreale të lirikës shqipe e në veçanti edhe një dhunë mbi lirikën shqipe kur robëria rëndonte këtë truall e më pas ideologjia politike ishte i vetmi shteg nga duhej të ecte edhe lirika. Dhe, nëse kemi pasur mundësi që të kemi të dhëna të shumta dhe sqarime për traditën e lirikës shqipe gjatë shekujve, duke bërë edhe periodizime të ndryshme nga shkenca e letërsisë, është folur dhe stërfolur për shtigjet, drejtimet dhe metodat letrare, kuptohet, gjatë shekujve, duke sajuar natyrë ku fjalën do ta kishte vetëm lirika ku do të dukeshin vetëm letrarët e betejës së vrazhdë, që kultivoheshin nga paria e kohës, duke përjashtuar poezi të rralla të ndonjë poeti si bije fjala të Zef Serembes apo ndonjë poezi tjetër në kohën e romantizmit ose të realizmit si dhe të poetëve të letërsisë së realizmit social e në veçanti të poezisë bashkëkohore.

Kështu në vetëdijen e shumë poetëve apo më mirë thënë lirikëve të poezisë shqipe andej e këndej kufijve që si zakonisht i emëruam më se një shekull u krijua dhe u sforcua si një dritë vizuale e mbështjellë me pëlhurën e simbolizmit, për të shpaluar ngjyrën dhe dritën e kohës.

Pra, nëse pajtohemi me mendimin se një poet apo një poezi shfaqet në një kohë dhe në një vend të caktuar, për të lënë një shenjë që të shënjojë diçka më se të nevojshme për njerëzimin apo kohën si bie fjala për rasën, rrënjët, dheun e më shumë se kaq dhe, nëse jemi të mendimit se gjeografia e poezisë – lirikës nuk ka vendbanim dhe, sa herë që ta kërkojmë ajo na ofrohet, kudo qofshim, duke mos dashur që të pajtohemi me thënien se: fjala e fisme nuk mbërinë ta kaloj kufirin e buzëve, ajo mbetet e pa thënë, atëherë duhet edhe lirikën në letërsinë shqipe ta shohim me syrin e një lirike, që rritej dhe hidhte shtat mes një gjeografie ku fjalën e kishte plaga që e lindnin motet nëpër shekuj duke i ikur lirikës që e lindte shpirti për një lindje lirike, që fjalën do ta kishte të theksuar: Unë dua, unë dashuroj etj.

Duke u njohur me këto marrëdhënie të gjithanshme në letërsinë shqipe, zbulojmë edhe forma dhe drejtime të shumta të temave dhe motiveve të lirikës, lirikë, e cila në anën tjetër na lejon mundësi kërkimi për të përmbushur horizontin e pikëpamjeve dhe strukturën e vetëdijes sonë letrare. Kjo do të thotë se lirika në letërsinë shqipe ka kaluar shumë shtigje për të arritur deri te njohja dhe veçoritë moderne e pse jo edhe deri te avangarda dhe ndikimet e saj karshi letërsisë botërore.

Shumë letrarë – studiues mbi lirikën në letërsinë shqipe kanë studiuar dhe vepruar brenda kësaj gjeografie letrare, andaj, edhe ndikimet kanë qenë të preferuara. Duke mos dashur që të paraqes në detaje historinë e lirikës në letërsinë shqipe ngase po që se zgjerohemi thellë e më thellë ajo ka një zhvillim dhe jetë të gjatë deri në apstaraktim të të lashtësisë së saj. Pra, po t’i bënim një studim të mirëfilltë lirikës shqipe fillet e para ndeshen qysh te fiset dhe dialektet dhe në ecje që në librat që trajtonin studime mbi lirikën shqipe gojore, këto gjurmë shërbejnë si bazë fondamenti gjuhësor të zhvillimit të lirikës në letërsinë shqipe. Ato shkrime dhe vepra të së kaluarës së lashtë kanë mbetur si forma dhe veçori dalluese dhe si fakte për të treguar historinë, dallueshmëritë e burimeve lirike që janë zhvilluar më vonë.

Kthesa e madhe e lirikës shqipe do të bëhet në dy shekujt e fundit duke mos e harruar shekullin e rilindjes, shekull që sjellë shumëllojshmërinë e veçantisë së poetëve, që kane prekur stile dhe metoda të ndryshme.

Dhuna mbi shqiptarët dhe dashuria për liri, e në veçanti kryengritjet për pavarësi dhe vrasjet në masë, pastrimit etnike – gjenocidi mbi shqiptarët në Çamëri, Kosovë e më gjënë gjatë shekullit të XX, dëbimi masiv, kanë qenë imazhe dhe frymëzime të shumta e tronditëse, që kanë ngritur e zhvilluar pikëpamje e qasje, stile të ndryshme të veprimit dhe krijimit të poetëve – autorëve. Dalja nga shekujt e përgjakur kërkonte dritare të reja, dritë shkëlqimi, për të kaluar shikimin e njëanshëm nëpër fushën e gjënë dhe të shkretuar nga dhuna dhe padrejtësitë e kohës. Gjetjen e rrugës së vërtet, në shekullin e ri, bota shqiptare e kishte të vështirë. Andaj u bënë përpjekje të madha për ta gjallëruar dhe mbjellë me kujdes atë copë toke, hapësirë të djegur e të shëmtuar nga dhuna e krimi, me një fryt të ri, si kërkesë e madhe e kohës. Pra, fjalën e kishte shekulli i shpresës. Njeriu i shekullit të ri, siç u mësuam të dëgjojmë, njeriu modern duhej orientuar dhe analizuar drejtë për të hyrë në portën e vërtetë të vlerave njerëzore.

Gjithsesi se, kjo betejë e lashtë që zhvillohej nga krijuesit e kohës, është bërë me sakrifica të mëdha dhe në të shumtën e rasteve shumë poet kanë përfunduar edhe tragjikisht. Shkrimtarë ose poet shqiptarë duke e parë atdheun e tyre pikë e pesë në të dy krahët nëse mundemi t’i themi, duke mos e harruar as edhe Çamërinë, situata me burgime, vrasje, terrorizime, pastrime etnike dhe gjenocid, për ta thënë fjalën e tyre, morën botën në sy. Nga ato vende ku kishin një gjysmë liri, trashëguan edhe drejtime, stile e tendenca të theksuara letrare.

Fryma e re letrare vinte nga qytetet e botës ku fjala e lirë nuk dënohej, kështu në vetëdijen e shumë poetëve shqiptarë u forcua si dritë vezulluese lirika atdhetare, lirikë, që u shërbeu poetëve për të shpaluar ngjyrën dhe dritën e kohës. Ndoshta kjo dritë e diellit të lirisë e përmbushur dhe e plotësuar me ngjyra të llojllojshme do të ndikonte në krijimin e njeriut të ri në tokën shqiptare. Ndoshta gjatë kësaj kohe patën ndikime të mëdha edhe lëvizjet botërore për liri dhe pavarësi apo ideologjia komuniste si një premtim për liritë e popujve dhe barazi mes njerëzve. Edhe pse emërues i përbashkët i zhvillimit të tyre gjatë kësaj kohe ishte thyerja radikale e mbizotërimeve të forta të pikëpamjeve estetike dhe brenda saj inkarnohej vendosja e kuptimit të ri, ndërmjet perandorisë së artit të shekujve dhe përditshmërisë së jetës. Dhe tërë ky bagash ndryshimi u bë në frymën e revolucionit Dadaist dhe kërcimeve radikale gjatë luftërave dhe pas tyre. Apo mos vallë lirika në letërsinë shqipe u zhvillua ose më mirë thënë mes poetëve shqiptarë ndikoi teoria e Vagnerit, se arti është kënaqësi individuale.

Sot, mund të mburremi me lirikën atdhetare të letërsisë shqipe, lirikë e shekujve të ikur, dhe, gjithsesi se edhe në letërsinë moderne kemi një numër të madh poetësh, të mos i përmendi emrat, e në veçanti gjenerata më e re, duke mos dashur që të bëjë ndarje gjeneratash, lirshëm mund të themi se koncepti i saj ka shumë domethënie të madhe dhe është mjaftë esencial për studimin e letërsisë.

Është thjeshtë bindja, kur kthejmë kujtesën tonë, që në kohën e njohur të rilindjes kombëtare, e deri te poezia e sotme, që quhet moderne.

Pra, në lirikën moderne edhe sot dominon koncepti i kompozimit të ndryshimeve, kthimeve, kërcimeve. Natyrisht se te teknika e lirikës moderne ndikon akoma edhe sot lirika e traditës.

Sido qoftë, sot, si mjeshtër të mëdhenj të lirikës shqipe dhe fjalës së zgjedhur shqipe, që përdorin gjuhën si fushë për veprim janë ata autorë, që shkojnë me guxim në eksperimentimin e tyre derri në rrëpirën më të lartë e të vetmuar të artit. Ata poet me të drejtën e tyre ngjiten deri aty, sa që edhe thonë se në shikim të fundit poezia është një lojë fjalësh. Andaj në të shumtën e rasteve, disa poezi janë më shumë grafike, se sa gjuhësore, veçanërisht ato poezi – lirika ku shihen qartë lojna të shumta shprehjesh e fjalësh të dramatizuar sipas nevojës së tyre që sjellin efekt.

Parimisht poetët e kohës sonë, modernen mund ta definojnë si rebelim estetik kundrejt vulgarizimit të artit dhe tiranisë së procesit kreativ realist. Me modernen shija e lirikës fillon të subjektivizohet. Ndjenja shpirtërore mbushet me një shprehje kolorite dhe ekzotike. Ndaj, sot lirshëm mund të themi se poetët shqiptarë lirikën e tyre e latojnë me elemente stilistike të reja, dhe kërkojnë një bukuri absolute, kundrejt mendimit dhe gjuhës së zakonshme të rrethit ku jetojnë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s