Intervistë me shkrimtarin dhe poetin Miltiadh Davidhi / Intervistoi Raimonda MOISIU

Shkrimtari është pjesë e së tërës, e universit dhe e shoqërisë, “Homeri krijoi edhe i verbër”

 

raimonda

Bisedoi Raimonda MOISIU

 

 

Atë ç’ka unë dëshiroj të shpreh në hyrje të kësaj interviste mund të them që në fillim se shkrimtari, poeti dhe fabulisti Miltiadh Davidhi, është një nga ata krijues që botën e brendshme njerëzore e reflektojnë në marrëdhëniet e botës artistike e filozofike në udhëtimin e tij mbresëlënës në rrugën e artit. Në këtë intervistë ai na shpalos ndjeshëm, ngrohtë e bukur, si u bë nga një mjek-veteriner – në poet dhe shkrimtar, ç’farë e frymëzoi atë dhe cila është lidhja e profesionit të tij me letërsinë, që sot ai kur kthen sytë pas ndër vite, nuk e ka të vështirë të na sjellë kujtimet për vendin ku lindi e u rrit, për njerëzit që e rrethonin dhe ndikimin e madhërishëm që ata patën te ai.

 

 

portret

        Miltiadh Davidhi

 

Miltiadh Davidhi ka lindur në Krutje të Lushnjës në 12 shtator 1955. Pasi mbaron shkollën fillore dhe të mesmen në vendlindje, Krutje, vazhdon studimet për mjekësi veterinare dhe diplomohet ne 1980-ën. Aktualisht jeton në Noçera Superiore të Salernos, Itali. Poezitë e para i botoi në gazetën lokale “Shkëndija”kur ishte vetëm 18 vjeç. Është autor i këtyre librave; POEZI –“Parajsa Danteske përballë Ezopit plak”, 2001,Dituria. -“Ujëvara hëne”, 2008,Toena.(Parathënia e këtij libri është botuar, në gazetën Iliria në Amerikë).-“I njëjti zë njeriu”, 2011,Uegen.- “Globi mbi fije bari”,”Duke ecur në rrugica ajri”. PROZË- “Bregu i ferrparajsës” Roman,2010,Ada,-“ Në humnerën e pafund të një krimi.”, Tregime,- “Në kopështin e dashurisë”, Novelë. Është përfshirë në antologjinë poetike ”Lotët e virgjër” botuar nga Prof.Dr.Fatmir Terziu dhe Agim Mato,”Në historinë e letërsisë shqipe për fëmijë” shkruar nga Astrit Bishqemi, si dhe në antologjinë me tregime botuar nga shtëpia botuese Ada. Për të janë të shumtë shkrimtarët e kritika e kohës që janë prononcuar duke shkruar si; Poeti Faslli Haliti,Prof.Dr. Klara Kodra,poeti dhe shkrimtari disident Visar Zhiti,Prof. Dr. Fatmir Terziu,Shkrimtari Kozma Gjini, etj. Po kështu poezitë,tregimet,fabulat e fragmentet e romanit të tij,janë vlerësuar dhe vlerësohen çdo ditë nga shumë shkrimtarë e poetë të tjerë me emër e të rinj, nëpër faqet letrare që botohen prej gazetave e grupimeve letrare.

 

 

Ju jeni një nga shkrimtarët pionierë të fillim -viteve të demokracisë në Shqipëri. Kalimi juaj i suksesshëm nga veteriner në poet e prozator. Ç’mund të na thoni si filloi karriera juaj letrare? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?

 

Së pari ju falënderoj për këtë intervistë. Ndihem i nderuar që intervistohem nga një shkrimtare si ju. Pyetja që sapo më bëtë më kthen vite prapa në fëmijërinë e largët e njëkohësisht kaq të afërt. Sepse sado që vitet ikin shpirti mbetka sërish i ri, mbetka fëmijë, zog ëndrrash që fluturon në gjithë hapësirën e qiellit të jetës, i papajtuar e dorëzuar me këtë realitet ndryshimesh sa të bukur e hyjnor, po dhe aq të dhimbshëm, mbetka atje në fëmijërinë e bukur pa u tretur si vesëz mbi fijen e blertë të kujtimeve. Dhe pikërisht në atë fëmijëri të largët dhe mbresëlënëse i rritur me ajrin e pastër të fushave të Myzeqesë, unë nisa të shkruaja poezitë e para në moshën 12 vjeçare. Një nxitje për fillimin e udhëtimit të bukur në rrugën e artit, të paktën kështu më ka mbetur në kujtesë, ka shërbyer si fillesë shpërthimi ndjenjash, poezia “Vaji i bilbilit” e Mjedës. Të cilën pasi e lexova u përlota dhe doja të shkruaja dhe unë një poezi të tillë, të dhimbshme dhe aq të bukur. Natyrisht që këto ishin ëndrra fëmijërore pa vlerë artistike, por ajo që për mua pati rëndësi ishte të kuptuarit e një shpirti të ndjeshëm, të dashur dhe të një këmbëngulje për të pikturuar me fjalë gjurmët e vogla të jetës sime dhe shoqërisë e ambientit ku jetoja. Vazhdoja të shkruaja poezi e poema duke mbushur fletore të tëra të cilat do kisha dëshirë të madhe t’i lexoja dhe njëherë, por që asnjë s’kam ruajtur. S’mendoja kurrë se një dit do bëhesha shkrimtar. I quaja dëshira fëminore dhe copëza flokënaje dëbore të tretshme. Por shpirti vazhdonte të mbetej i ndjeshëm dhe përjetonte gjithçka të bukur a të dhimbshme të jetës sime. Dhe në moshën 18 vjeçare botova për herë të parë dy poezi satirike në gazetën “Shkëndija” të Lushnjës. Kryeredaktor i gazetës ishte shkrimtari Gazmend Kongoli i cili pasi i lexoi më sugjeroi të vazhdoja të shkruaja në zhanrin e humorit, ku sipas tij shkrimtarët që shkruanin në këtë zhanër ishin të pakët. Shpejt nisa të dërgoja poezi, shkrime gazetareske bashkë me një shokun tim, Vladimir Shani të cilat dhe ato filluan të na botoheshin , duke u bërë korrespondentë vullnetar (kështu quheshim atëherë) në gazetën shkëndija, ku redaktor vite më vonë do ishte dhe kryeredaktori i gazetës “Dielli” në Amerikë, i nderuari zoti Dalip Greca, i cili kur ishte kryeredaktor i gazetës “Iliria” botoi dhe parathënien e librit tim me poezi “Ujëvara Hëne”. Po kështu kam vazhduar të shkruaj dhe në Institutin e Lartë Bujqësor, ku unë studjova për Veterinari, në gazetën”Studenti i bujqësisë”, ku kryeredaktor ishte poeti dhe shkrimtari Xhevdet Shehu dhe zëvëndës shkrimtari e poeti moderrn që tashmë jeton në Amerikë, zoti Thani Naqe.Në vitin e fundit të Institutit unë tashmë kisha përgatitur një vëllim me poezi ku u diskutua në rrethin letrar të Fakultetit ku i deleguar ishte shkrimtari që tashmë s’jeton më, zoti Moisi Zaloshnja, ku mendimi i shokëve dhe i tij ishte që ky vëllim të nisej për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, pasi ti bëja dhe disa ndryshime, vëllim të cilin unë se dërgova kurrë për botim, se u emërova në një kompleks gjedhi shumë të madh në Nb.29 nëntori. Kështu gjatë 10 vjetëve që punova në atë kompleks, megjithëse ecja duke shkelur mbi lirika e copëza vargjesh, s’kisha mundësi e kohë të shkruaja duke harruar veten time në punë. Ishte një kompleks gjedhi me 2000-3000 krerë, 3000-4000 të imta (dhenë) e qindra kuaj dhe unë një mjek i vetëm. Kjo bëri që të rinisja sërish të shkruaja pas viteve 90- të me fitoren e demokracisë. Pra, isha një mjek veteriner me shpirt të dashur dhe të ndjeshëm poeti, por njëkohësisht dhe 24- orë në detyrë. Ishin kohë të tilla.

 

Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, -prindërit, artet, letërsia, apo njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të vecantë në frymëzimin tuaj?

 

Talenti lind bashkë me njeriun, ai në rrugëtimin e tij duhet vetëm ta zbulojë atë, unë talentin e kisha zbuluar, ndërsa për t’u zhvilluar më tej e ecur përpara në rrugën e artit kanë ndikuan shumë prindërit e mi, jeta e tyre e shkuar, dashuria vuajtja e mundimi për të na rritur në një kohë të varfër, vdekja e vëllait të vogël në një moshë të njomë, vdekjet e gjyshërve, shokëve, miqve që unë i doja aq shumë dhe që s’i gjeja më, vdekja e babës i cili ka qenë rrobaqepës shumë i mirë dhe njeri shumë i dashur në fshatin tim, njeri gojëmjaltë dhe që ju gjendej njerëzve për çdo hall në një kohë shumë të varfër e të mjerë dhe që të gjithë fëmijët që e njohën e thërrisnin baba Lili. Më kujtohet kur një mbasdite trokitën në derë dhe i kërkuan babait 250 lekë të atëhershme. Im atë ia dha nga xhepi menjëherë dhe i tha të trokiste sa herë të kishte ndonjë hall, a nevojë tjetër. Nëna mbas ikjes së hallexhiut i tha: -Po ç’bëre kështu i dhe të vetmet lekë që kishe, po tani çdo bësh për fëmijët e tu? -Ka zoti për ta u përgjigj im atë, ndaj mos e prish zemrën. Dhe me te vërtetë pa kaluar një orë trokiti një tjetër që do qepte pantallona dhe i dha 200 lekë në dorë tim ati. -E i tha nënës sime, s’të thashë mos të prishje zemrën? Ja dhe lekët për fëmijët tanë! Të gjitha këto e gjithçka tjetër natyrisht që i kam përjetuar fort, duke i vëzhguar me imtësi e lënë gjurmë të patretshme në kujtesë. Gjithashtu e konsideroj veten me fat që kam lindur në Krutje të Lushnjës, se dhe pse ishte fshat, kishte kulturë e traditë të lashtë dhe mësues shumë të mirë e me emër dhe shumë të zotë, si Neritan Papamusta, Skënder Fusha, Vait Gjyla, Loli Davidhi (drejtori i gjimnazit), LLazar Lëngu, Seid Prishta, Kristaq Çuko, Trifon Gjermëni, Myhyrije Kollçaku, etj, etj. Ende i ndjej po ato emocione që më krijonin me zërat e tyre kur shpjegonin aq bukur dhe me aq përkushtim. Krutja kishte gjimnazin e parë në rreth, ku vinin për të studiuar nga të gjithë fshatrat e rrethit, kishte pallat kulture të kategorisë së parë ku çdo ditë shfaqeshin filma, çdo të shtunë ose të diel vinin e shfaqeshin koncerte me këngë e humor nga estradat e qyteteve të Shqipërisë si dhe teatri popullor kombëtar, kishte bibliotekë të madhe me libra, librari ku unë përpija çdo libër me poezi që dilte e duke e porositur shitësen Goni Daka të m’i ruante, kishte ekip futbolli të kategorisë së tretë, ekipin e volejbollit të vajzave që përfaqëson ende në kategorinë superiore qytetin e Lushnjës…Pra u rrita në një vend me kulturë, me dije dhe në një peizazh të mrekullueshëm të fushave aq pjellore, ku do ishte i pashmangshëm ndikimi i tyre. Në një vend që e desha aq shumë, por që s’u ktheva të jetoja më atje, dhe më duhet të jetoja si refugjat larg vëndlindjes sime,se mbas mbarimit të shkollës u emërova në Çermë të Lushnjës, ku ende e kam shtëpinë. Pra dy herë refugjat, një herë në monizëm dhe sërish tani në demokraci, mbasi prej disa vjetësh jetoj tek fëmijët në Modena dhe në Salerno. Duke qenë se mbi kokë kishim një re të zezë diktature që lëshonte flakë vetëtime në çdo hap që hidhnim, unë jetova duke i përjetuar me lot në shpirt gjithë ngjarjet e dhimbshme e burgosjet e njerëzve me të cilat do të shkruaja tregimet e mia në “letër” të kujtesës për t’i hedhur sot në demokraci. Në një takim para se të vdiste Shkrimtari i madh për fëmijë Odhise Grillo duke lexuar fabulat e mia më pati thënë: -Ke bërë shumë mirë që nuk ke botuar në monizëm se kështu si shkruan ti, do ishe kalbur burgjeve!

 

Në cilin rol e ndjeni veten vërtet më me ndikim si poet, prozator apo si doktor veteriner? Ku qëndron ndryshimi mes tyre?

 

 

Në të dyja pozicionet jam ndierë shumë mirë. Unë botën e marr në harmoni të plotë. Mendoj që kam qenë me fat që kam mbaruar për mjek veteriner, se zotëroj mirë shkencën e mjekësisë, që është aq e domosdoshme për një kulturë të përgjithshme, e jo më për një shkrimtar për përshkrime të hollësishme dhe depërtime në thellësi të qenies me frymë. Ndjehesha i kënaqur kur pas një rasti shumë të rëndë fitoja mbi sëmundjen dhe kur vija në stallë të nesërmen lopa që kisha shpëtuar sa ndjente zhurmën e motorit tim, rendte nga fundi i stallës për të ardhur pranë meje e më përkëdhelej duke fërkuar kokën pas trupit tim, sikur donte të më falenderonte që i kisha shpëtuar jetën. Përlotesha unë dhe pronari e stallierët e saj, dhe mendoja të gjeja ndryshimin midis nesh dhe kafsheve. Jemi ne më mosmirënjohës ndaj të mirave që na bëjnë, se sa kafshët. Kafshët nuk flasin, po të dish të sillesh me to do ndjehesh shumë mirë dhe do kuptosh dhe dashurinë e tyre për ty dhe me sy dhe në lëvizje e xhestikulacione. S’po e teproj të them se atë kënaqësi që gjeja kur punoja me kafshët, s’po e gjej më dot mes njerëzve.

 

Ju jeni poet. Qindra vargje poetike dhe disa vëllime me poezi. Po citoj disa tituj të vëllimeve me poezi :  “Parajsa Danteske përballë Ezopit plak”, “Ujëvara hëne”, I njëjti zë njeriu”, “Globi mbi fije bari”, “Duke ecur në rrugica ajri”, i përshirë edhe në disa antologji me poezi. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?

 

Për të mbërritur tek e bukura, tek vlera e saj, duhet të mundohesh ta gjesh se ku fshihet e bukura, të jetosh bashkë me të, ti ndjesh frymëmarrjen, të rrahurat e zemrës, dhimbjen e lumturinë e saj. E bukura nuk është ajo që shfaqet, por ajo e fshura pas shfaqjes. Kur ta takosh do bindesh me të vërtetë që ke takuar të bukurën e vërtetë. Dhe atëherë nuk mund të ndahesh më dot prej saj. Pra duhet të futesh thellë realitetit, për të krijuar një realitet të ri. Por deri atëherë do kënaqesh me pak rrathë drite që vijnë prej saj. Duhet një farë kohe të bëhesh pjesë e së bukurës, e madhështisë së saj. Dhe aty mbërrihet duke studiuar poetë të mëdhenj me durimin e vdekjes për të kapërcyer vdekjen e vërtetë. Disa mund ta arrijnë në moshë të re, disa dhe në moshë të vjetër, për këtë receta nuk ka, varet nga këmbëngulja dhe aftësitë e çdo njërit. -Secili,- thotë Dritëro Agolli,-ka në vete të fshehur një luanë, varet kur ai shpërthen. Por gjithsesi duhet shumë durim, punë e talent. Pa këto nuk mund të ecet përpara.

 

Çfarë është muza për ju,është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?

 

 

Po e thashë dhe më parë talentet lindin bashkë me njeriun, ekzistojnë në genet e tij, të cilat mund të jenë shfaqur në një formë, apo formë tjetër dhe tek paraardhësit e tij. Ne duhet vetëm që këto talente të fshehura në qenien tonë t’i zbulojmë gjatë jetës dhe ti vëmë në përdorim për të mirën e shoqërisë dhe tonën.

 

Ju shkruani poezi dhe prozë? Cila ka qenë poezia, tregimi apo novela juaj e parë?

 

Poezinë e parë të shkruar… ua thashë më përpara ajo ishte një përpjekje fëminore, por debutimi i parë ka qenë botimi i dy poezive satirike “Sil Qemanja” dhe “Hyskë Sasia”. Ndërsa tregimi im i parë është “Dhëmbë gjarpëri”, botuar në revistën letre artistike “Obelisk”dhe në antologjinë me tregime të shtëpisë botuese “Ada”, botuar nga ministrja e Kulturës, ku jeni përfshirë dhe ju. Novela e parë është “Në kopshtin e dashurisë”e lexuar dhe prononcuar nga poeti Faslli Haliti, por ende e pabotuar.

 

Ju jeni edhe prozator. Që nga romani “Bregu i Ferrparajsës”, “Në humnerën e pafund të një krimi”, novelën “Në kopshtin e dashurisë” “Tregime” në shtypin letrar, në antologjinë me “Tregime” nga shtëpia botuese ADA, tashmë një shkrimtar i afirmuar, autor i disa librave. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante?

 

Stili i të shkruarit. Si në tregimet, romanin dhe novelën e pa ndryshueshme ka mbetur mënyra e të shkruarit, ajo e të rrëfyerit në prozë poetike. E di që kjo është forma më e vështirë, por dhe më e bukura, më brilantja. Gjithmonë gjërat e vështira më kanë sjellë kënaqësi. Mendoj se zanafilla e kësaj mënyre të shkruari është poezia. Duke kërkuar një “ngopje” më të madhe të shprehuri se sa në poezi, besoj se e kam gjetur në mënyrën e të rrëfyerit nëpër tregime, romanin dhe novelën.

 

Çfarë ju shtyn të shkruani një poezi protestë me ton qytetar e intelektual?

 

Shkrimtari është pjesë e së tërës, e Universit dhe e shoqërisë njerëzore. Nuk mund të jetoj duke u mbyllur në labirinthet e errëta të indiferencës. Ndryshe kjo indiferencë do ia hante dhe atij kokën një ditë, nëse nuk do vepronte në kohën e duhur, kuptohet bashkë me të tjerët. Nga mund të mos revoltohesh, kur po të kthesh kokën pas, ecja drejt dritës e zhvillimit është si e qindra e mijëra vjet prapa, kur të njëjtat probleme, halle, vuajtje e padrejtësi janë si ato të para 100 vjetëve?! Janë po ata “peshq” të uritur në dete shpirtrash dhe po ata peshkaqen me emra të ndryshëm që shqyejnë mishra e zgjerojnë territore pasurish, duke krijuar dy shtresa njerëzish, të pasurit dhe të varfrit, pa shtresën e mesme.

 

Zhanrin e prozës “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?

 

Zhanri i prozës erdhi si nevojë e domosdoshme për të shtrirë më tej frymëmarrjen time poetike në të shprehurit të mendimeve e personazheve që flinin në qenien time që nga fëmijëria e deri më tani. Poezia s’mund ti shprehte më ato, duhej proza ti tregonte me nje frymëmarrje më të plotë për mushkëritë e etura për lirinë e fjalës dhe mendimit të lirë. Kështu vura re se u ndjeva më i plotësuar si para vetes dhe para lexuesit. Natyrisht tani si poezia dhe proza janë preferenza ime, paksa mënjanë është lënë fabula.

 

Ju jeni mjaft i suksesshëm si shkrimtar, i vlerësuar nga kritikët e kohës, nga poeti Faslli Haliti, Prof.Dr. Klara Kodra, poeti e shkrimtari disident Visar Zhiti, Prof.Dr.Fatmir Terziu, shkrimtarët Astrit Bishqemi, Kozma Gjini…etj., por edhe me marrëveshjen e mrekullueshme të admirimit nga lexuesit e shumtë vendas e të huaj? Si ndiheni për këtë?

 

Si për fabulat, poezitë e prozën time gjithmonë është folur me superlativa, por unë kam shikuar punën duke mos rënë preh e vetëkënaqësisë. S’kam vrapuar nëpër televizione e nëpër promovime librash ku thuren lajka boshe pa fund, por kam preferuar të futem sërish para kompjuterit dhe i kam parë sërish ato ç’ka kam shkruar ndoshta për të satën herë. Natyrisht si kushdo tjetër shkrimtar në rrugëtimin e gjatë ndjehem i lumtur, por kjo për mua është dhe një obligim për t’u përsosur më tej në veprat e mëvonshme. Pra është një fillim i ri mendimi për të ecur më tej, duke u përpjekur ta mbush kohën time në mënyrë produktive.

 

Shquheni në prozën tuaj për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit tuaj?

 

Ju falënderoj për vlerësimin dhe konkluzionin tuaj, për ato ç’ka kam shkruar, mendoj se është përmbledhja e dijeve gjatë jetës, këndi i shikimit, studimit dhe vlerësimit të asaj që mendon e që bënë, dashuria për njeriun e natyrën, këmbëngulja e mënyra se si i përjeton ngjarjet e jetës e peizazhet që shfaqen para teje, lëvizjet nga një vend në një vend tjetër, ngjarjet e peizazhet e reja, sinqeriteti ndaj jetës e pikës së lotit, dashuria ndaj saj dhe njerëzve, forca e shpirtit dhe aftësia e të menduarit e të shprehurit të asaj që përjeton e shkruan. Fjala për shkrimtarin është si grimca e zotit, krijon Universin e tij letrar.

 

Ju krijoni edhe fabula, një zhanër disi i vështirë, por ju ja kini dalë ta bëni. Me modele tërheqëse e shpotitëse. Çfarë iu tërheq më shumë nga realiteti e si mund ta konceptosh atë artistikisht në një fabulë?

 

Është e vërtetë unë librat e parë i kam botuar me fabula dhe fillimisht më i njohur u bëra në fabul, ku që me botimin e dy librave të mi të parë” Rosa që bleu tapet” botuar nga shtëpia botuese “Toena” me redaktor fabulistin tonë më të mirë Ferid Lamaj, dhe librin “Fabula të reja” botuar nga shtëpia botuese “Dituria”, unë u përfshiva duke u përzgjedhur nga grup autorësh në “Historinë e letërsisë shqipe për fëmijë” me autor shkrimtarin e nderuar Astrit Bishqemi ku përmendesha krahas Ferid Lamajt e Sotir Lashovës. Libri “Fabula të reja ndodhet dhe në bibliotekat periferike dhe atë qendrore të Stokholmit në Suedi. Kam botuar “Parajsa Danteske përballë Ezopit plak” po tek “Dituria”, që është një libër me poezi dhe fabula. E sërish tek Toena librin me fabula : ”Mjekër dhia, mjekër cjapi”. Zhanri i fabulës është i vështirë, por dhe shumë i bukur kur arrin ta realizosh. Dhe për ta realizuar duhet ta duash fabulën, humorin e mesazhin e saj, personazhet e saj të cilët janë kafshët, të futesh sa më thellë në të. Ndërsa poezia është ndjenjë, dhimbje shpirti, dashuri njerëzore, fabula është mençuri. Dhe realiteti jonë është i mbushur plot me materiale për të krijuar fabula duke filluar nga parlamenti e deri në bazë tek qeverisjet vendore, e duke përfunduar në jetën tonë të përditshme të mbushur plot me ngjarje të tilla. Pa e ngatërruar fabulën me humorin e zakonshëm. Fabula është vëzhgim i imtë i realitetit. Me një subjekt fabule mund të shkruash një roman. Problemi i teknikës së të shkruajtur të fabulës fitohet gjatë përvojës dhe punës me të. Përfitoj nga kjo intervistë të përshëndes Prof.Dr.Fatmir Terziu i cili në shkrimin e tij të botuar tek “Fjala e lirë” në internet me titull: ”Fabula një aspekt i krijimtarisë shqiptare”më ka komentuar si zë të veçantë të fabulës shqiptare nder vite, krahas Ferid Lamajt e Bardhyl Mezinit, me titull “Fabula e Davidhit dhe shpallja” ku flet për një nga fabulat e mia më të njohura në internet, Fabulën “Liria.”

 

Pse shkruan Miltiadh Davidhi…?

 

Sepse nuk mund të rri dot pa shkruar e të shkel me këmbë copëzat e shpirtit tim, pjesëza zemre e trupi, petale të sapo çelura mendimesh, që më dalin si flakërimë drite për jetën në çdo hap që hedh, sepse s’mund të jetoj dot pa frymëmarrjen e oksigjenin e lumturisë që ndjen shkrimtari pasi ka përfunduar një poezi a një prozë të bukur e të arrirë. Ndryshe do isha i vdekur së gjalli. Sepse ne kemi vuajtur gjithmonë nga mos shkruajturit e ngjarjeve jetësore të groposura në tokën e harresës. Homeri i shkruajti Iliadën dhe Odisenë dhe i verbër e pa sy. Sepse nuk mund të rilindësh më në këtë jetë e të thuash atë që ke lënë pa shkruar.

 

Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë? Çfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?

 

Jo, absolutisht nuk mendoj se kam arritur atje ku duhet, kam ende shumë për të thënë e bërë. Njeriu është qenie moderne e përkryer që jeton e ndjen çdo çast të jetës,në çdo vend që shkon, që fikson në kujtesë gjithçka që shikon e jeton. Dhe ato natyrshëm lenë gjurmët e tyre, të cilat më vonë shërbejnë për një ecje të re në rrugën e artit. Aktualisht jam duke shkruar një vëllim të ri me poezi. Projektet për të ardhmen do jenë përpjekjet e mia për të botuar vëllimin me tregime, novelën dhe dy vëllimet e përfunduar me poezi.

 

A ka ndonjë ngjarje në jetën tënde së cilës ia sheh gjurmët edhe sot?

 

Natyrisht që kam, unë mbi gjurmët e tyre ecin çdo ditë, mbi to marr fryme e bëj projektet e së ardhmes. Sa më e pasur të jete jeta e njeriut me ngjarje, sidomos fëmijëria e rinia, aq më i “pasur” është një shkrimtar me subjekte për të shkruajtur.

 

Autorët tuaj më të preferuar…

 

Autorët e mi të preferuar janë të shumtë: U. Shekspir, M. Servantes, Ç. Dikens, A. Kronin, E. Hemingej, N. Hikmet, A. Pushkin, S. Esenin, A. Ahmatova, B. Breht, Sadiu, Gëte, P. Neruda, G. Lorka, R. Bërns, I. Kadare, D. Agolli, V. Zhiti, etj, etj.

 

Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?

 

Mendoi se ka filluar të lëvizë e të dalë nga faza e inekzistencës së plotë që ka qenë. Këtu do përshëndesja punën e filluar me kritikën letrare nga Prof.dok.Fatmir Terziu, Prof.dokt. Klara Kodra, poeti e shkrimtari Faslli Haliti, poetja Fatime Kulli, nga i ndjeri poet Perikli Jorgoni, Fatmir Minguli, etj. Por kjo punë e nisur duhet të thellohet dhe nga shkrimtarë e kritikë të tjerë kompetentë për këtë punë, se shikojmë të marrin stafetën e kritikës njerëz që s’kanë lidhje fare me kritikën dhe që nuk e njohin atë.

 

Jetoni në Itali, çfarë iu lidh me Lushnjën…?

 

Me Lushnjën më lidhin njerëzit e mi, shokët, miqtë që i dua dhe më duan sinqerisht, më lidhin varret e pjesët e shpirtit tim mbetur e mbirë si bar rreth tyre. Vetëm gjendja ekonomike të bën të ikësh larg tyre duke mbetur me kokën pas.

Advertisements

One thought on “Intervistë me shkrimtarin dhe poetin Miltiadh Davidhi / Intervistoi Raimonda MOISIU

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s