Poeti “rebel” që trazon ideologji regjimesh politike ( Zëri unikal poetik në poezinë “I them trishtimit”, të Agim Matos ) / Nga Zejnepe Alili – REXHEPI

 

10390395_686581908080593_2289671564763412743_n

Poeti “rebel” që trazon ideologji regjimesh politike

(Zëri unikal poetik në poezinë “I them trishtimit”,  të Agim Matos )

 

 

 

 

10264958_658697094202408_223655126489871718_n

 

Nga Zejnepe Alili – REXHEPI

 

 

Në vargjet e poezisë “I them trishtimit”, përmes një zëri të thellë e unikal, shpaloset pleksja e një frymëzimi të trishtë ngjarjesh reale dhe metafora e një ishulli të mohuar – Sarandës, atje tej, në jug, midis dallgëve të Jonit.
Identiteti i zërit poetik, i quajtur Agim Mato, më impresionon çdo ditë e më shumë, ndonëse në vargun e tij është rrënjosur: dhembja, tëhuajësimi jetësor individual e më gjerë, trishtimi për Atdheun dhe fatin e poetit në këtë vend censurash. Ky dramaticitet vargjesh të përkujton po këtë ishull, ku poeti është privuar të shijojë lirinë.
Poezia e Matos, nuk përmban vetëm radhitje vargjesh…, por ato janë referenca, se si në të vërtetë, poeti të ngjitet lartësive të kështjellës, ku imanenca poetike është më e fuqishme se vetëm një mesazh, a një metaforë e rastësishme që vendoset në vargje.
Thellësia e mendimit dhe estetika e vargjeve në poezinë “I them trishtimit”, më shtyri ta lexoj disa herë. Pa mohuar, që tani më, i kisha lexuar në një formë të fragmentarizuar poezitë e Matos, por kjo poezi më bëri që të gjurmoj thellësisht poezinë e tij, sepse mesazhet e thella më nxisnin drejt këtij synimi.
Rezulton të jetë biografike kjo poezi e Matos…, poet i sfidave që i ka mbijetuar Ideologjisë, apo jo!?
Një përshkrim që tipizohet në këto vargje: “Duhet të ulësh kokën, më thoshnin zyrtarët, / shkallët e shoqërisë s’ke për t’i ngjitur,/fati në jetë të është caktuar qyshse ke lindur”! “Isha nxirrosur i tëri. Asgjë nuk më shijonte. Me ca palo/ngjyra e shihja botën. Për vite e vite isha/i dëbuar nga gëzimet, me humorin e hidhur në buzë,/i ngushëlluar vetëm me detin që më shoqëronte!
Poezia “I them trishtimi” e sjellë si tërësi:

I them trishtimit

I them trishtimit:
“Mos m’u qas!”

Sa vjet ma mbajte të pushtuar shpirtin, duke zënë gjithë
hapësirat brenda meje,
si një oktapodh i rritur së tepërmi, që nuk del dot nga
guva ku ka hyrë!

Duhet të ulësh kokën, më thoshnin zyrtarët,
shkallët e shoqërisë s’ke për t’i ngjitur,
fati në jetë të është caktuar qyshse ke lindur.

Isha nxirrosur i tëri. Asgjë nuk më shijonte. Me ca palo
ngjyra e shihja botën. Për vite e vite isha
i dëbuar nga gëzimet, me humorin e hidhur në buzë,
i ngushëlluar vetëm me detin që më shoqëronte!

Të bërë copa copa, të nxorra nga vetja, aty përmbi
furinë e dallgëve,
si pijanecët që vjellin ushqimin dhe sakaq u lehtësova,
gërthita duke shprazur mushkritë, me spazma,
sa që jehona u kthye e më përplasi tek palmat.

U ndjeva një Promete i liruar nga prangat.

Po tani që troket pleqëria, mos mu qas, trishtim!
Nuk e kam më forcën për të të mposhtur,
të hyj në dyluftim me ty.

Jam vetëm njeri,
poet, gjithsesi!
Ç’dreqin më ka gjetë me perënditë, nuk e di!

Nga analiza e kësaj poezie, sikur dalin në pah synimet parodizuese të autorit, ku natyrshëm vihet re edhe një pohim ironik, se kur shkrimtarët nuk janë të dëgjueshëm, duhet të dëbohen.
Vargjet e poezisë njohin ndërtimin e një logjike të pastër, që në një farë forme janë dhe lajtmotiv i poetit, që do të nënkuptonte se nuk është e mjaftueshme vetëm të duash diçka, por duhet edhe ta realizosh atë. Kjo bindje, e përplas poetin me ideologjitë, sepse mendimet rebele të një artisti, gjithmonë paraqesin rrezik për sigurinë e regjimeve politike.
Është kjo si njëfarë garancie se idetë e Matos janë tejpërçuese, për të na dhënë të kuptojmë se forcat kontradiktore e lodhin shoqërinë dhe sigurisht ia presin rrugën artit. Në këto raste e ka të vështirë të mbijetojë edhe poeti, meqenëse ai, më shumë se veten e tij, e çmon lirinë e mendimit!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s