Forca frymëzuese midis ëndrrës, fatit dhe dashurisë “Andra e lumturueme” dhe ( “Forca e fatit dhe dashurisë” Ragip Dragusha ) / Nga Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

 

10410480_686115324793918_8021177799153779081_n

 
Forca frymëzuese midis ëndrrës, fatit dhe dashurisë

 

 ( “Andra e lumturueme” dhe “Forca e fatit dhe dashurisë”  Ragip Dragusha )

 

 

 

10264958_658697094202408_223655126489871718_n

 

Dr. Zejnepe Alili – REXHEPI

 

Fillimisht, poetin shkodran Ragip Dragusha, e njohim nga libri i parë “Andra e lumturueme” (2013), ku midis tjerash njohim poetin e vargjeve revolucionare me përkushtim ndaj figurave e vlerave tona kombëtare. Me një lirizëm të thellë, gati se jetik, sjell në rikujtesë lavdinë dhe madhështinë e shumë personaliteteve shqiptare që vetëm lavdi i sollën kombit ndër shekuj.
Nëse pyetemi, pse libri i Dragushës hapet me një poemë kushtuar Gjergj Fishtës?
Sigurisht, i nxitur nga dëshira e dedikimit, ai zgjodhi pikërisht poetin që më bukur se kushdo tjetër i këndoi epopesë kombëtare, duke e cilësuar Homeri shqiptar. Fishta, është emblemë kombëtare që brengën e Atdheut e pati të përhershme, si shumë bashkëkohas të tij, sepse ky ishte dhe misioni madhor i Rilindësve, që t‘i këndojnë dheut stërgjyshor, në dhembje e në gëzime, por gjithmonë me shumë dashuri. Ky është edhe qëllimi i Dragushës, që t’i kthehet kësaj rikujtese.
“Andra e lumturueme”, një libër përkushtimesh, ku zënë vend figura të mëdha të kombit, të cilët, jo vetëm jetuan gjatë historisë, por ata e bënë historinë, nisur nga qëllimi i tyre sublim për t’i paraprirë lirisë.
Parë në disa këndvështrime, poeti del dhe konstatues, kur lidh ngjarje nga më të ndryshmet, duke i trajtuar ato deri në përmasa shteruese, qoftë si linja lidhëse a referenca, qoftë si pasuri materiale e traditës dhe tekstuale – si pasuri gjuhësore e shpirtërore. Një poezi e veçantë është “Bukë e krypë e zemër t’bardhë” (21) kushtuar Dora D’Istrias, mikes së madhe të shqiptarëve, studiueses së traditave të popujve të Ballkanit, veçmas shqiptarëve, zakoneve fisnike të tyre…, me ç’rast përqëndrohet edhe në sensibilizimin e të drejtave dhe statusin e gruas shqiptare dhe pozitës së gruas, në përgjithësi. D’Istria, mbahet mend si studiuese që nga afër njohu traditat dhe mikpritjen shqiptare, si në vargjet: “Mirë se të pru Zoti, udhëtar/Shtëpia sot ka shend e verë, Buk’ e krypë e zemër t’bardhë/Për miq hapun rri përherë”.
Natyra poetike e projektuar nga një artist, që e njeh se si frymon populli i vet, e ka si ekstrakt vargëzimin e mbështetur mbi traditat popullore. Tharmi poetik i Dragushës bymehet nga poezitë tjera, si: “Faleminderit Vjena”, “Legjendës së kombit Adem Demaçi”, Poetit të kombit, Ali Podrimja”, “Isa Boletinit”, “Mikut dhe artistit të madh kosovar”, “Migjenit”, “Lutja e Nanë Terezës”…, në të cilat ndihet thellësisht ehoja e këngëtimit plot dhembje nën tingujt vajtues të lahutës.
Krenaria shkodrane e poetit shëmbëllen në pamposhtësinë e këtij qyteti, dhe qëndrimin stoik në përballje me furtunat e historisë. Vargëzimi përmes shkodranishtes së purifikuar që shkrihet këndshëm brenda tingëllimave të gegërishtes, nga e cila ëmbëlsia e gjuhës shqipe derdhet në dejt e çdo poeti e lartësohet si gjuhë perëndie, siç e quante dhe Fishta. Ky entuziazëm mbështillet me lirizmin e theksuar që përmbajnë poezitë: “Kanga e lirisë”, “Kosovës në përvjetor”, O Shqypni”, “Tokë e lashtë”, “Ah, moj Shkodër”, “Dallëndyshes”, “Gjuha”.
E në fund, si një këngë që mbahet mend gjatë, thuret “Kanga e pranverës” (28), kënga e asaj stine që sjell behar në çdo pore të qenësisë sonë. Poeti, Ragip Dragusha del si një koleksionist temash, ku mbizotëron tema atdhetare, e përmes metaforash e togjesh emërzuese sjell peizazhe të njohura, e imazhe të ngulitura në kujtesën kombëtare.
Edhe në librin e dytë “Forca e fatit dhe dashurisë”, Dragushës i përvidhen frymëzime entuziaste që i hapin shteg dashurisë plot imazhe për të bukurën, si mesazhpërçuese e jetës. As në vorbullat më të tmerrshme, poeti nuk sfidohet, mbijeton në emër të dashurisë dhe për dashurinë.
Po, a nuk është ky zëri unikal që gufon në zemrat e hareshme, shuan etjen nëpër kroje më të largëta, hapëron me vrullin e erës e prehet në kopshtet e trëndafilta?!
Pikërisht kështu, imagjinohet kurora e jetës e qëndisur me lule dashurie: “Fale Zot, pra, mirësinë/jepi krah dashnisë përjet’„ (Lutje – 27).
Si një triptik të mirëformësuar e të ngjeshur me figuracion, do të zgjidhja poezitë: “Dashnia”, “Dashuri e pranverës” dhe “Drandofilja” dhe nga kjo e fundit janë simbolike vargjet: “E kuqe si gjaku e mue më ke ndezë,/Përse gjembat tu nuk m’lanë me t’përkdhelë?”. Madje, gati se tërë pjesën e fundit të librit e përbëjnë poezi të këtij motivi… Erotizmi i konceptuar në imazhe lulesh, nga më të ndryshmet, nga më të këndshmet e aromëlëshueset…, ashtu si vetë vashat e ëndrrës së poetit. Këto lule radhitur në një brez kurorash përrallore, shprehur me sensin e ritmikës dhe muzikalitetin e fjalës në të shumtën e katrenave, përmajnë kthjelltësi të thekshme drejt vizionit të lexuesit. Në analizën e tyre, më pas e marin atë fizionominë filozofike të pranisë së artit brenda jetës.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s