Shpirti vagabond nën magjinë e lirizmit poetik ( “Shpirti vagabond” – Bukurije Bushati ) / Nga Dr. Zejnepe Alili REXHEPI

 

10432155_684597878278996_2065162549645897598_n

 

Shpirti vagabond nën magjinë e lirizmit poetik 

 

( “Shpirti vagabond” – Bukurije Bushati )

 

 

 

 

10264958_658697094202408_223655126489871718_n

 

Nga Dr. Zejnepe Alili REXHEPI

 

 

Subjektivizmi i krijimtarisë së Bukurije Bushatit, sidomos në poezi, pasqyrohet nga forma të ngjeshura artistiko – poetike, duke vënë gjithmonë në epiqendër, realitetin jetësor dhe botën e ndjeshme femërore.
Në përballje me të përditshmen, ajo i vrojton situatat dhe ndodhitë më specifike të ditëve të jetuara. Arti poetik i saj njeh shtrirjen tematike, si përfshirje kohe dhe ngjarjesh.
Përkapjet individuale arrin t’i transformojë në art, prej ku të njeh me vlerat morale e shpirtërore, të cilat i sjell përmes mjeshtërisë narrative e shpalosjes së unit…, ku muzat tregohen fisnike, duke e pajisur me dhuntinë e formësimit vargëzor e ideor.
Natyra e saj e brishtë, në librin “Shpirti im vagabond”, veçse kamuflon, për ta futur në lojë edhe lexuesin, se përndryshe nxjerr në pah atë poeten delikate e lozonjare, të gatshme për lojë drithërimash emocionale që të paktën, për ca çaste, a për një kohë e mban të freskët shpirtin poetik, me nuanca rebelizmi… Janë ca shtytje për t’ia hedhur jetës!
E kush e mbijeton këtë kohë trazirash pa praninë e lojës…, kur as lufta psikologjike nuk i lëshon fushëveprim shpirtit vagabond?!
Edhe poetja, këtë lidhje ka gjetur! Ajo mbetet po e njëjta, edhe kur ngrihet si “Feniks i rilindur”, edhe kur pushtohet në mall e bashkëshoqërohet, siç pohon dhe vetë “Me diellin tim”, po sërish edhe kësaj radhe ia pret rrugën ai “Vargu vagabond”. Është vargu idhujtar që i mbërthen ndjesitë e poetes dhe shtegton në kërkim të një tjetër muze, tjetër vashe, …ajo fytyrë zeshkane, me syrin kaltërosh, me fustanin vajzëror…, të cilës nuk i reziston frymëzimi. Poetja e lë të bredhë këtë varg të llastuar me hiret e një vashe, në dukje i pa frenuar, i etshëm për një shkelje syri e për romancë pa mbarim!
Poetja, është tejet e ndishme ndaj situatave…, ka etje dhe zjarrmi, njëkohësisht, për harmoni më të madhe në botë. Ç’reflekse e motivojnë atë, që ta derdhë në vargje energjinë e akumuluar?
Është dhunti apo patjetërsueshmëri e derdhjes së akumulimit ndjesor në kohë…?!
I tërë ky përjetim i jep forcë për të bërë publik, këtë thesar të vetëdijes, përkthyer në gjuhën artistike: përjetim, frymë, mision! Poeti jeton për këtë qëllim!
Në botën e saj të mërguar, poetja sikur ka aleancë me shpirtin vagabond dhe si perëndeshë lirish emocionale përcjell dhembje e dashuri me forcën e vargut, që krijon romancë me hapërim zemrash, po ku natyrshëm nuancohet edhe pikëllimi ndonjëherë, duke i bërë të gjitha këto banore të një mbretërie ku ndihet erë arti. E zemra e poetes është bujtina më e sigurtë ku gjen prehje vargu, pas baritjes romancore.
Me këtë, poetja dëshmon, se edhe gjatë ngricave të jetës, i mbijeton kohës si një mimozë “Me diellin e parë që shkëlqen, çeli mimoza/Mbi rrugë diku kishte akoma pirgje dëbore”, një përshkrim i bukur në poezinë ”Mimoza” (78).
Këtë përvijim e realizon më pas në poezinë mjaft të veçantë për kah përzgjedhja ideore e shtjellimi tematik “Gonxheve që ranë në Himarë” (80), e cila është një elegji goditëse…, me gjurmë të rizbuluara nën pirgje dëbore e historie pluhurharrese. Si një ëndërr për vetënjohjen e kësaj historie, madje të lidhur ngushtë edhe me konvencat e mitizuara, duke i afruar dendur me përkapjen personale.
Vargu vagabond, bëhet pjesë e realitetit artistik, për të bërë krahasimin e mundshëm të shtegtimeve poetike në kohë, me të tjera përmasa konceptuale që e përbëjnë botën e krijueses.
Duke qenë dhe prozatore, librash për fëmijë dhe të rritur, Bukurije Bushati, e ka të ngjeshur e të bollshme fjalën e përmes fjalës mendimin, që do ta përvijonte jetën e saj si atë “Trëndafilin mbi tastierë” që ndonëse petalet e zverdhura i bien një pas një, nxjerr melodinë e shpirtit në pentagram malli, por edhe si i tillë trëndafil mbetet!
Libri “Shpirti vagabond” do të mbetet si narracion i sinqertë i folësit lirik i shndërruar në vlera të vërteta poetike. Me këtë zgjerohet dhe spektri tematik edhe për lexuesin e ri!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s