Demokracia apo dosjet e hapura

 

 

 

 

rezart palluqi

 

Nga Rezart Palluqi

 

 

 

-Mos e hap dritaren pa gjetur dosjen- urdhërova gruan time të entuziasmuar nga brohoritjet dallgëzuese të turmës gjigande të njerëzve, të cilët ishin mbledhur në Sheshin Skënderbej për të festuar sipas tyre, fitoren e parë të madhe demokratike.
Por gruaja, jo vetëm që e hapi dritaren, por e vari kokën jashtë dhe e koloviti si një saksi luleje, që lëkundet majtas e djathtas nga forca e erës vjeshtore. Dallgët e zërave të ekzaltuar vërshonin në dhomë me ritme të çrregullta, herë të shponin daullet e veshëve dhe herë fashiteshin kur zëvendësoheshin nga kori i fishkëllimave, që miratonin padyshim fjalët e mëdha të udhëheqësit të tyre.
-Sot e gjete të kërkosh dosjen? Të thashë që s’e kam parë këtu e dy javë. Eja tani në ballkon! Nuk humbet kjo ditë e shenjtë për një dosje!
-Është dosja e shpirtrave të prindërve të mi,që u groposën pa hënë, e harrove?-iu hakërrova.
Gruaja zgjodhi rrugën e mesme. Shprehu keqardhje të hapur për zhdukjen e dosjes, por fustanin festiv prej mëndafshi blu, që ia pata blerë për ditëlindje, e veshi që e veshi. Ajo doli së bashku me dy djemtë e mi në ballkon për të mos humbur as edhe një minutë nga shfaqja e festës së fitores demokratike të vitit 1992,ndërsa unë e vrava të gjithë pasditen duke gërmuar në çdo cep të shtëpisë. Nuk lashë vend pa kërkuar: në sirtarët,në komodinat,në dollapin e rrobave ,ku zakonisht fshihja dokumente të rëndësishme, por pa dobi.Nuk e hasa gjëkundi dosjen me kopertinë të bardhë,e cila ishte gjëja më e vyer, që ruaja në jetë. Nëse një fëmijë ruan një unazë, një zinxhir ose një byzylyk floriri prej prindërve të vdekur, unë ruaja si sytë e ballit dosjen, ku ndodhej aktakuza, vendimi gjyqësor dhe motivi i ekzekutimit të prindërve të mi, pasi unazat apo varësen prej floriri ata i morën me vete në dhé.

Tim atë e pushkatuan, sepse një ditë i tha një shokut të tij që, flamuri amerikan i pëlqen, pasi ka më shumë yje se flamuri shqiptar me një yll të vetëm.Simpatia e shprehur për flamurin amerikan buronte nga pasioni i tij i madh për yjet.Im atë ishte ylldashës dhe jo filoamerikan.
Profesioni im i fundit në kohën e diktaturës ishte pastrues ndërtesash publike. Një vit përpara se diktatura të jepte shpirt më emëruan përkohësisht pastrues në ndërtesën e gjykatës së rrethit. Gjatë tetë javëve që punova atje,arrita të futem në sallën e arkivave, ku ndodheshin dosjet e krimeve të diktaturës. Me duar të dridhura dhe me sy të lagur nga lotët, dallova raftin e dosjeve të vitit 1976. Kisha vënë kokën në rrezik, prandaj m’u duk e udhës të mos e kërkoj dosjen me emër. Rrëmbeva me shpejtësi të gjitha dosjet e vitit 1976,që ishte viti i ekzekutimit të babait tim, i futa në një thes linoje ngjyrëkafe dhe me zemër të ndrydhur mora rrugën e muzgët dhjetoreske,me shpresën se nuk më kishte parë njeri.

Kur mbërrita në shtëpi, vërejta se kisha në duar tetëdhjetë e dy dosje, tetëdhjetë e dy shpirtra të pafajshëm, që kishin hidhëruar ndoshta tetëqind e njëzet familje. I kam lexuar me qindra herë motivacionet e paqarta, akuzat çnjerëzore të regjimit. Emrat e të dënuarve i mbaj mend pothuajse përmendsh.
Dhe kur u binda plotësisht, se misioni i hapjes së dosjeve do të kryhej me sukses, zbulova sot,mbas një viti, zhdukjen e dosjes së tim eti dhe të tetëdhjetë e një viktimave të tjera.
Ime shoqe dinte vetëm për vendndodhjen e dosjes së tim eti,kurse im vëlla kishte dijeni të plotë, si edhe vendin sekret ku i pata fshehur. Atij i kisha rrëfyer hollësisht për dosjet në vitin 1990.
Nga natyra, unë nuk e kisha në thua politikën,kurse im vëlla po. Ai kandidoi në vitin 1992 dhe u zgjodh triumfalisht deputet i qeverisë së parë demokratike, i favorizuar jashtëzakonisht nga dosja e babait tonë të pafat, dosja e të “përndjekurve” siç i thonë.
-Drejtësia do të shkojë në vend vëlla. Sidomos, tani që u bëra deputet, fajtorët do të vihen në bankën e të akuzuarve- më premtoi ai për të satën herë.
-M’i jep që tani dosjet, t’ia dorëzoj drejtësisë tonë demokratike -më tha me hare.
Ia dhashë me lotë në sy të tetëdhjetë e një dosjet, përveç asaj të tim eti.
-Do të ta jap më vonë.Dua ta mbaj edhe pak dosjen e babait-i propozova.
Pashë që e pranoi me një lëvizje koke të dyshimtë propozimin tim.

Megjithëse kanë kaluar njëzet e tre vite, tetëdhjetë e një dosjet, që i dhashë vëllait, jo vetëm që nuk u hapën, por më e keqja është se, dosja e tim eti u zhduk përgjithmonë. Dyshoj se im vëlla ma ka grabitur gjatë kohës që qëndroi në shtëpinë time, kur unë me familjen time ishim me pushime.
-Durim, durim vëlla, se do të hapen dosjet- më dëbon ai me duar bosh sa herë që e vizitoj në shtëpi dhe ankohem për vonesën e pakuptimtë dhe shpirtbrengosëse.
Herën e fundit vendosa t’ia përplas derën në fytyrë.
-U shtua edhe një dosje më duket, dosja e pahapur e vëllait tim- e akuzova,i bazuar nga fakti që, ai pranoi të shkëmbejë dosjet e viktimave,përfshirë edhe atë të babait tim, me pasurinë kolosale, që vuri brenda një kohe të shkurtër.
Dritaren dhe ballkonin, nga ku gruaja dhe fëmijët e mi, njëzet e tre vite më parë, brohoritën dhe kënduan këngët e demokracisë, i kam mbyllur me mure të trashë tulle.

Qysh atëherë nuk ma bën zemra t’i afrohem dritareve, jo më të vozis sheshin e lavdishëm ose tragjik. Detin e zërave të mallëngjyer e kam fshirë plotësisht nga kujtesa. Edhe fustanin festiv të gruas time apo buzëqeshjen gati hyjnore të fëmijve të mi i kam harruar plotësisht.
I vetmi fragment ,që më shfaqet vazhdimisht në mendje, si dielli çdo mëngjes në qafën e pjerrët të kodrave, është ofshama e papritur e djalit tim, kur tullumbacja ngjyrëkaltër, që aksidentalisht fluturoi në dhomën e pritjes ku po kërkoja dosjen, plasi me zhurmë sa të frikshme aq edhe qesharake.
Disa sekonda para se tullumbacja të hynte në dhomë, zbulova pesë gjilpërat e flamurit me të cilat ishin kapur fletët e dosjes së babait.
-Gjilpërat e flamurit i gjeta, por fletët e dosjes jo!-ulëriva i trishtuar. Majat e gjilpërave të flamurit po i mbaja me duar të ngrira, të drejtuara me majë nga dritarja. Pikërisht, atë cast pashë tullumbacen të fluturonte si maja e aeroplanit të kamikazit drejt majave të pesë gjilpërave të flamurit.
Fjalët “Liri, Demokraci”, të shkruara me bojë të zezë në faqet e holla ngjyrëkaltër të tullumbaces, ranë të copëtuara përdhe në dysheme si leckat e rrobave të një njeriu të indinjuar, që digjet i gjallë në mes të sheshit të qytetit në shenjë proteste.

Holandë, qeshor 2013

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,301,168 hits

June 2014
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List