BEKIMI I PAPËS! / Nga Afrore Shaipi Studente në Universitetin e Prishtinës

 

af 3

 

             BEKIMI I PAPËS!

 

 

 

 

 

afrore

 

Nga Afrore Shaipi

Studente në Universitetin e Prishtinës

Kishte mundur të zgjedhte cilëndo kryeqendër perëndimore e me shumicë katolike, por jo! Vendosi të vijë në vendin e shqiponjave! Ai zgjodhi Shqipërinë, si të parin vend evropian për ta vizituar, për shkak të të kaluarës së vuajtur komuniste dhe për shkak të një bashkëjetese të shkëlqyer fetare. Kështu u prezantua lajmi për ardhjen e Papa Françeskut në Tiranë dhe plasi entuziazmi te shqiptarët.

Filloi shpejt e shpejt rikonstruimi i sheshit “Nënë Tereza”, rregullimi i rrugëve dhe anëve “të dukshme” të kryeqytetit, policia u vu në gatishmëri për të ofurar më shumë siguri, shëndetësia gjithashtu u përgatit për të qenë në shërbim të qytetarëve…një entuziazëm i tillë ka kohë që s’vërehet në Shqipëri. Madje ishte aq i rrallë, sa arriti çuditërisht, për të parën herë, të bashkonte politikën. Qeveri dhe opozitë, u munduan që për pak ditë, për Papa Françeskun, ta bëjnë Shqipërinë ashtu siç nuk e bëjnë dot për një vit për qytetarët e saj. Ani pse pati ca kritika se përgatitjet ishin të egzagjeruara, sepse qytetarët që jetojnë në periferi të Tiranës apo në pjesë tjera të Shqipërisë, u ndjenë të lënë anash, në fund, nga ajo që pamë më 21 shtator, mund të themi me plot gojë se gjithçka ia kishte vlejtur! Ardhja e Papës na shpërbleu! Na nderoi! Shqipëria, ndonëse e vogël, e varfër dhe e vuajtur ia doli t’i bëjë një pritje madhështore një njeriu me autoritet të madh.

Nuk besoj se ka shqiptar që atë ditë, kur shihte se ç’po ndodhte në Tiranë, të mos ndiente qoftë edhe një grimcë emocioni, gëzimi e krenarie për atë çfarë ne jemi! Për atë çfarë ne përfaqësojmë! Atë ditë, Tirana dukej më e bukur se kurrë me ata qindra e mijëra njerëz në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Shqiptarët dukeshin më fisnikë, bujarë, mikëpritës e më civilizues se asnjëherë më parë. Shqipëria dukej e fortë dhe stoike me portretet e varura të 40 martirëve të krishterë, të ciliët simbolizonin sakrificën e besimtarëve në një kohë të vështirë diktatureje. Bashkëjetesa fetare ishte e gjallë, e prekshme dhe më impresionuese kur shihje sesi krerët e muslimanëve, ortodoksëve dhe bektashinjëve kishin ardhur në meshën e Atit të Shenjtë të katolikëve. E në këtë meshë historike, ranë në sy edhe politikanët, të ulur njëri pranë tjetrit, pavarësisht bindjeve dhe partive. Edhe pse fallco dhe hipokritë karshi botës, ishte mirë që i pamë ashtu, bashkë. Ishin mbledhur të gjithë për të dëgjuar se çfarë do të thoshte Papa!

af 2

E shpresojmë shumë që fjalët e lutjet e tij t’i kenë prekur e ndërgjegjësuar pikërisht zemrat dhe mendjet e atyre që ishin ulur në rreshtat e parë, politikanëve, e mandej edhe të tjerëve. Sikur të kuptonin sesa mirë do të ishte po të ketë një bashkëpunim tillë politik ashtu siç ka bashkëpunim fetar në Shqipëri! Atëherë nuk do të kishte nevojë vetëm për “vizita papësh” për të parë restaurime sheshesh dhe rrugësh, shërbimet e mira të policisë dhe shëndetësisë, por një copëz të një Shqipërie të tillë, si ajo që u prezantua në ekran më 21 shtator, qytetarët do të mund ta ndienin për ditë. Megjithatë nuk duhet zbehur madhështia e ardhjes së Papës në Shqipëri duke kujtuar nivelin e ultë të politikës shqiptare në përgjithësi dhe as duhet kujtuar ato detaje te vogla ku ca individë dëshën disi të rrëmbenin vëmendje. Por vëmendja s’ishte tek ta! Madhështia më e madhe e asaj vizite historike ishte tek fjalët që u thanë. Më saktë, tek fjalët e thella dhe kuptimplote që Kreu i Vatikanit i tha!

Ai vlerësoi lart solidaritetin, tolerancën dhe harmoninë ndërfetare të shqiptarëve. Gjithashtu shprehu respekt për viktimat e diktaturës dhe vuajtjet e shqiptarëve në të kaluarën. Këshilla e tij për të rinjtë shqiptarë, e ndërthurur aq bukur me simbolin e flamurit tonë komëbtar, ishte shumë domethënëse “Shqiponja fluturon lart, por s’e harron folenë e vet”. Pastaj urimi i tij për paqe në kombin tonë, na ngrohu zemrat të gjithëve. Fjalët që Papa Françesku tha për popullin shqiptar, “popullin fisnik dhe martir”siç na cilësoi ai, dukeshin më të bukurat dhe më të sinqertat që ndonjë personalitet i huaj ka thënë ndonjëherë. E për këtë u janë mirënjohës të gjithë shqiptarët, pa dallim bindjesh fetare!

Shqiptarët ka kohë që kanë fituar përgjithësisht një reputacion jo të mirë në mediat e huaja. Edhe këtë herë ato u fokusuan më tepër në “shtimin e masave të larta të sigurisë, për shkak të rrezikut më të madh” dhe në shprehjen “Nuk duhet vrarë në emër të Zotit”, që Ati i Shenjtë ndonëse nuk i përmendi, u nënkuptua që i drejtohej grupeve terroriste. Këto përbënin lajm për mediat botërore. Por ndër to, mund të lexoheshin edhe arsyet pse Papa zgjodhi pikërisht Shqipërinë, u nxorën fakte nga e kaluara, u panë foto ku krerë muslimanë e të krishterë e pritën bashkarisht Papën, u panë parulla si ajo e “I love Bible and Quran, because I’m Albanian” (E dua Biblen dhe Kuranin, sepse jam shqiptar) që nxorrën në pah tolerancën fetare të shqiptarëve, të cilën vetë Papa në fund të udhëtimit nuk e quajti tolerancë, por vëllazëri. Pra falë ardhjes së tij, mediat e huaja u përqendruan në Shqipëri! E nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur vetë Ati i Shënjtë e nënvizoi fare qartë se donte të jepte një mesazh.

Papa Françesku i bëri shqiptarët shembull për tërë Evropën dhe botën! E në fund, si qershia mbi tortë, ishte shprehja që ai u kishte thënë gazetarëve në avion kur po kthehej në Romë. Ndonëse vend me shumicë muslimane, Papa Françesku tha “Shqipëria është vend evropian. Është evropian për kulturën që ka dhe për kulturën e bashkëjetesës që ka trashëguar”. Ky është vleresimi më i mirë që i është bërë kombit tonë ndonjëherë. Është identiteti ynë që vazhdimisht duam t’ia tregojmë botës, por politika e dobët s’ia del dot ta dëshmoj. Dhe ja që, për fatin tonë të mirë, Ati i Shenjtë i Vatikanit, e potencoi qartë, bukur dhe botërisht! Faleminderit! Na u dha mundësia që duke shprehur vlerat tona, bota të krijojë imazhin më të mirë të shqiptarëve. Ndoshta bekimi më i madh që Papa Françesku i bëri popullit tonë, ishte ajo panoramë e bukur e Shqipërisë që u shpërnda nëpër botë më 21 shtator!

E tash i mbetet politikës, burrështetasve dhe institucioneve të Shqipërisë, ta dinë ta ruajnë këtë panoramë dhe ta dërgojnë aty ku duhet, kur duhet! Shteti shqiptar ka edhe shume sfida përpara në rrugën e integrimeve evropiane. Papa e ndihmoi pak gjatë rrugës, tani duhet të ecë vetë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s