Shkrimtari Sterjo Spasse: lavdi e kombit të vet. / Nga : Petro S. Luarasi

 

Shkrimtari  Sterjo Spasse: lavdi e kombit të vet. 

 

 

images

nga : Petro S. Luarasi

 

 

 

Vlerësimi shqiptar ndaj Sterjo Spasses

 

Shkrimtari i shquar Sterjo Spasse (1914-1989) u lind në Gollomboç të Komunës së Liqenasit në gjirin e një familje fshatare me kombësi maqedonase. Ndër shqiptarë  ai  çmohet për krijimtarinë në letërsinë shqipe gjatë një periudhe mbi 50-vjeçare,  por  edhe si studjues, publicist e mësues. Për kontributin e shquar ndaj popullit shqiptar është nderuar me më të lartat  çmime letrare (‘’çmimi i Republikës’’) dhe shtetërore (Urdhri i Flamurit,  kl.I), me  poste (Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, etj.) Ndihej e konsiderohej  ndër më të privilegjuarit  shkrimtarë shqiptarë, me botime të veprave në seri, në shumë  gjuhë të huaja dhe si pjesëmarres në shumë aktivitete ndërkombëtare.

Në rrethin familjar Sterjo Spasse adhurohet si bashkëshort e prind  shembullor, edukator i mrekullueshëm, ndër miq e shokë dhe  kolegë si  mikpritës babaxhan gojëmbël e bujar, për bashkëfshatarët  qe vakëf shprese  e ndihme. Tek ai  bashkëkombasit në përgjithësi shihnin përfaqësuesin e  tyre intelektual, urën  lidhëse ndërkulturore mes shqiptarëve me pakicën  maqedonase, sepse gëzonte përkrahje e privilegje të madha në fushën politike, kulturore, arsimore  e propagandistike, kudo në trevat shqiptare e më gjerë. Ai paraqitej si shembulli më vezullues i trajtimit të intelektualit me kombësi jo shqiptare në Republikën  Popullore (e më pas Socialiste) të Shqipërisë, nën përkujdesin e drejtpërdrejtë të udhëheqësit ‘’largpamës e të lavdishëm’’.

Për jetën dhe veprën e Sterjo Spasses numërohen  me qindra artikuj, recensa, studime akademike,  janë shkruar dhjetra teza masteri e doktoratura, të shpalosura në disa konferenca, të cilat duket se përmbledhurazi mund të  jipnin një përgjigje të saktë shkencore  shterruese mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit të shquar.

 

 

Sterjo portret

 

          Sterjo Spasse

 

 

 

Atdhetaria e Sterjo Spasses

Mbas viteve 90’ shumica e shkrimeve mbi jetën e veprën e Sterjo Spasses duket se i referohen apo perifrazojnë  substancën e  librit ‘’Im atë Sterjo’’ të Ilinden Spasses duke e anashkaluar  historikun e rrënjëve e trungut familjar, botëkuptimin, vizionin  e pikëpamjet mbi përkatësinë  etnike dhe detyrimin si shtetas shqiptar.

Pothuajse askush nga studjuesit shqiptarë nuk i është qasur kësaj tematike, as nuk kanë marrë mundimin të citojnë apo zbërthejnë vetë Sterjo Spassen, të birin Ilinden, apo studjues të sojit të tij, për këto cështje ku të tjerë shkrimtarë  kalonin në vrimën e gjilpërës të shtetit shqiptar.

Në librin ‘’Im atë Sterjo’’, të birit Ilinden (emërtim edhe i kryengritjes së famshme maqedonase) shkruhet:

‘’Ishte vjeshta e  vitit 1924… Joshja (vëllai i madh i Sterjo Spasses, shën. i P.L. ) vuri dorën në strehën e kapeles. Mizëria e njerëzve po afrohej. Përpara ishin disa kalorës, prapa këmbësorë me pushkë të gjata lidhur me spango, ngjalmë a ushkure, të leckosur…Pararoja e ushtrisë, dy djem faqekuqë, ndalën kuajt para tyre: – Punë e mbarë, o peshkatarë! – Foli njëri.  ”Jemi ushtri shqiptare. Tani këto fshatra do të kalojnë nën Shqipëri”.  “Kohëra të vështira po vijnë…’’ etj, etj.,  të tilla   shprehje hasen në librin  me kujtime të S.Spasses të botuara nga i biri  Ilinden.

 

‘’Pse?-ja e lavdishme’’e Sterjo Spasses

 

Ndihmë në njohjen e  pikëpamjeve botëkuptimore e nacionale të tij  na  e jep studjuesja   Valentina Vangjelovska, e cila veç vendlindjes  e ditëlindjes së përbashkët e ka burim frymëzimi, pasi i ka shumë të afërta edhe idetë me Sterjo Spassen. Ajo thekson se ‘’kam lindur dhe jetoj “brenda kornizave” të përshkrimeve që ka bërë Sterjo Spasse. ‘’Sterjo Spasse për mua do të mbetet shkrimtari i shpirtit tim.’’

Në një diskutim akademik të saj  i bën me dije auditorit  shqiptar e më gjerë  se ‘’Të lexuarit është një proces që tek lexues të ndryshëm është i ndryshëm’’ që më troç do të thotë se zbërthehet e interpretohet ndryshe në disa aspekte, si p.sh në shtete, kombe, gjuhë, ideologji, etj.

Studjuesja duke analizuar dhe zbërthyer pikëpamjet e bashkëkombasit të saj shkrimtar, të personifikuar si Gjon Zaveri, protagonisti  kryesor i kryeveprës së tij  letrare “Pse”,  thekson se ‘’qetësinë shpirtërore e kërkoi në çdo vend, por atë e gjeti ‘’të fshehur në qoshen” e këtij libri.

Gjon Zaveri e vrau veten në  luftë me pse-të, kërkonte pse-të e vuajtjeve të bashkëfshatarëve të tij për bukën e gojës, luftonte me padrejtësitë e kësaj bote, luftonte me pse-të që edhe sot e kësaj dite nuk mund të zbulohen…

Dhe shkaku kryesor  i vetëvrasjes të filozofit të lindur në zonën e Prespës, sipas studjueses, ‘’ishte tradita!’’

‘’Por për të ishte  e pakuptimtë që këto tradita që e kishin brumosur dhe pajisur me virtyte dhe shumë vlera, u bënë për pak kohë dhimbje padrejtësish të shpirtit të tij të lirë. Këtu shpesh qëndron paradoksi, sepse tradita nuk pranon veçanti. Tradita dhe mentaliteti i asaj kohe nuk ishin në gjendje të dallonin veçantitë e të riut Gjon, që u rrit dhe u edukua në gjirin e tyre, nuk dallonin dot as se në gjirin e tyre ato kishin njeriun e madh që nesër pasnesër do të bëhej kaq i njohur…Sterjoja, jo si personazh, por si autor, si shkrimtar, u pajtua me realitetin, duke vazhduar të shkruajë vepra të tjera, që i kanë siguruar vend të veçantë jo vetëm në letërsinë shqipe, po edhe më gjerë’’.

Studjuesja thekson: ‘’Më erdhi në mendje një thënie e revolucionarit maqedonas për liri i shekullit XIX Goce Dellcev që theksonte : ‘’Unë botën e shikoj si arenë ku popujt konkurojnë me kulturat e tyre”. Pikërisht Sterjo Spasse konkuronte me dijet dhe me kulturën e tij të mbartur,  të brumosur nga kultura e popullit të vet dhe të perfeksionuar prej kulturës shqiptare, sepse këto janë karakteristikat e popujve ballkanas që sado dallimeve të tyre ata përfaqësojnë nuance të përbashkëta.’’ (Kumtesë e  mbajtur në simpoziumin e organizuar nga Universiteti “Fan Noli” i Korçës,  më 30 maj  2014, me rastin e 100 vjetorit të lindjes të shkrimtarit Sterjo Spasse. Teksti  i plotë gjendet tek ‘’Gazeta Makedonium’’, Valentina Vangjelovska ,‘’Sterjo Spasses  nuk i duhet lavdia, por Sterjo Spasses  i duhet lavdisë‘’ (http://makedonium.net/?p=1605&lang=sq)

dhe me shkurtime esenciale tek media  Shqiptarja.com  nën titullin: “Si e njoha Sterjo Spassen” (Shqiptarja.com , 13 Korrik 2014  apo http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/si-e-njoha-sterjo-spassen-226391.html#sthash.pCMOs22o.dpuf)

Përse u “qeth” kumtesa tek Shqiptarja.com! përbën interes për studjuesit e lexuesit e gjerë shqiptarë.

 

Pretendime  për nderimin e shkrimtarit

 

Në përkujtim të 100-vjetorit të lindjes së Sterjo Spasses, në media u shfaqën shumë pretendime e akuza ndaj institucioneve e qeverisë shqiptare. Më çuditi veçanërisht zelli i një studjuesi, i cili  deklaroi se “ Sterjo Spasses i jemi të gjithë borxhlinj, mbi të gjitha qeveria’’…ndërsa shteti kish detyrim që S.Spasses t’i jepte Nderin e Kombit.

Studjuesi mund të kishte të drejtë në aspektin letrar, por gabonte rëndë  kur diktonte kriteret e dhënies së urdhërit  ‘’Nderi I Kombit’’. Janë të shumtë ata që kanë dhënë kontribute më madhore dhe nuk e kanë marrë.

Përkundër talentit si shkrimtar, në veprën e Sterjo Spasses hasen gabime parimore, metoda e realizmit socialist dhe trajtime tematike të gabuara. Mbi të gjitha ka deformuar thelbin, historikun dhe personazhet e rilindjes kombëtare shqiptare, në përshtatje me kallëpin e historiografisë maqedonase. Për romanet e ciklit ‘’Rilindasit’’ ka patur diskutime të gjera dhe protesta. Qëndrim kritik kanë mbajtur Skënder Luarasi, Dritëro Agolli, Gazmend Shpuza, etj.,

Historiani Gazmend Shpuza ka shkruar:

‘’Autori është nisur nga ndjenja e mirë për të lartësuar të kaluarën historike, figurat e shquara si edhe lëvizjen patriotike të kohës e kjo duket edhe në fjalët që ai u ka vënë në gojë, sidomos nga fillimi i romanit, (‘’Pishtarë’’) personazheve që përfaqësojnë lëvizjen revolucionare maqedonase. Porse zgjidhja që u ka dhënë apo ka dashur tu japë autori këtyre problemeve në mjaft raste na duket, për mendimin tonë, jo e plotë, e njëanshme apo kontradiktore. Meqë kemi të bëjmë me probleme kyçe të kohës, mendojme se ia vlen që ato të diskutohen.”Romani i botuar ‘’Pishtarë’’ mund dhe duhet, sipas nesh, t’i nënshtrohet një ripunimi sa të mundshëm aq edhe të nevojshëm.’’( Gazmend Shpuza, Në vazhdën e gjurmimeve, Mendime rreth pasqyrimit të realitetit historik të kohës në romanin Pishtarë, Tiranë, Toena, 1997, f.324 340).

Kur u botua seria e veprave, ndonëse Sterjo Spasse i ripunoi dhe redaksia ia hoqi  mjaft nga gabimet, thelbi i gabimeve mbeti.

Ndërsa Skënder Luarasi  shprehej  rreptë: ‘’po kritikoj veprat e Sterjo Spasses (‘’Zgjimi’’ e ‘’Pishtarë’’) që populli shqiptar të mos ma japë atë plumb në lule të ballit…E shkrova këtë kritikë për ata që romanet Zgjimi e Pishtarë nuk patën nge t’i lexojnë, për ata që nuk patën më durim për t’i përfunduar, për recenzentët e pandjenjë dhe redaktorët e padenjë që ia reklamuan popullit shqiptar si vepër shembullore për t’u lexuar e studjuar!

Mjafton të përmendim vetëm,’’vajtimin’’ e lebërve nizamë që ’’ zemëruan,’’ gjindjen dhe ’’ndyen’’ pazarin e Korçës, me të cilin e nis ciklin e rilindjes shqiptare Sterjo Spasse, (romani ‘’Zgjimi’’, 1974, f.7)

 

Festë e kuqe na zi site…

 

Aludim  më të keq për kulturën korçare e trimat e Labërisë kreshnike nuk kam hasur kund në letërsinë shqipe.

Më  tingëllon keq deklarimi i shkrimtarit N.L. se  jeta e Sterjo Spasses  u udhëhoq nga misioni që t’i shërbente letërsisë  dhe kulturës shqiptare: ”Mos duhet që edhe  Vlora, të ndjekë shembullin e Korçës dhe për këtë ’’xhevahir folklorik nizamësh’’ ta shpallë’ Qytetar Nderi !  Mendoj të  vlerësohen parimet përkundër lajkave me lëvdata për ofiqe e dekorata.

Shqiptarët, të cilët   nuk ia kanë kursyer  Spasses çmimet më të larta  letrare, mund t’i japin edhe të tjera, por  sa për ‘’borxhin e Nderit Kombëtar’’ atë ia   ka BORXH kombi e shteti maqedonas, ata që ia ngritën bustin në fshatin e lindjes, ata duhet t’ia sponsorizojne edhe lavdinë.

 

(Mos)mirënjohje

 

Në librin ‘’Im atë Sterjo’’, përkundër  shumë kolegëve të ngushtë , me kontribute  e privilegje të mëdha,  i kushtohet vëmendja  më e madhe, në shumë faqe e shumëllojshmëri  epitetesh, ‘’ndjellakëqinjve’’ Skënder Luarasi, Dritëro Agolli e disa anëtarëve të Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve,  të cilët  i  kritikuan romanet ‘’Zgjimi’’ e ‘’Pishtarë’’. Shkruhet se S.Spassja  i trembur  kërkoi mbrojtjen  ‘’lart’’. I biri Ilinden që  e redaktoi dhe e  botoi librin në vitin 1995, mbas përmbysjes demokratike, nuk kishte arsye as të përmendte kontributin e udhëheqësit në mbrojtjen e babait të tij,  as letrat lavdëruese e  dekoratat. Por ja që gjindja e pa me sytë e ballit  kur e dërguan  Sterjo Spassen për në banesën e fundit. Në  shenjë mirënjohje të përjetëshme, familja e shoqëroi me letrat e Udhëheqësit  mbi kokë, indulgjenca për në jetën e përtejme.

Pra Udhëheqësi  mbahet mend, krahas bëmave të tjera kombëtare, edhe  për lartësimin e dy ‘’diejve vezullues’’:  Haxhi Qamilit  e Sterjo Spasses.

 

Vepra ‘’Im atë Sterjo’’ dhe perëndimi i diellit

 

Rreth 20 vjet më parë (në artikullin  Skënder Luarasi përballë Sterjo Spases : Birit Ilinden, për të atin Sterjo Spasse… , Petro S. Luarasi , Republika, 31 mars,  1996) i shkrova miqësisht autorit të mos trazonte varret e të vdekurve. ’’Për vete nuk do të kisha patur ndërmend  të ‘’gërmoja’’ në kujtime e arkiva familjare (që mund të jenë më të pasura e të begata  se të Spasses) por nuk mund të hesht kur ‘’thumbohet’’ Skënder Luarasi. Lëvdatat e tepërta, krahas shpifjeve monstruoze, bëhen shpesh shkak që të vihen disa piketa në truallin e historisë. E më pas dalin pyetjet ‘’qysh’’ e ‘’tek’’që nuk i jep dot përgjigje as biri i babait Sterjo’’.

E këshilloja  që atë veprën ta hiqte nga qarkullimi se i bënte dëm emrit dhe  nderit  të babait, vetes e familjes. Për shaka shkrova edhe një gazmore ‘’folklori modern’’.

 

Në botën e tregut , plot me ‘’historira’’

Nxirren në ankand, ‘’e keqja’’, ‘’e mira’’

Për gjërat pa vlerë, ka veç ‘’lepe’’, ‘’peqe’’,

A m’jep lale veprën, për me mshtjell byreqe.

 

Autori nuk më dëgjoi, madje e keqpërdori veprën me tellallë të papërgjegjshëm dhe në vend të mbillte  lavdi, korri …. ja, këto shkrime përkujtimore.

‘’Perëndimin e diellit të Haxhi Qamilit’’  e kanë përshkruar shumë studjues, ndërsa të Sterjo Spasses, vetë autori i  libri ‘’Im atë Sterjo’’: “Dielli i lindur diku, në malet e Gllomboçit, tani perëndoi matanë kodrave të Ndroqit…”

 

Shënim: Ky shkrim vijon artikullin e Skënder Luarasit të titulluar:‘’Ndal falsifikimit të historisë’’ (Pjesa I / II).

http://www.fjalaelire.com/tema/24005.html

http://www.fjalaelire.com/tema/24040.html

 

Me të drejtën e këndvështrimit tim, nuk po analizoj ata ‘’recenzentët e pandjenjë dhe redaktorët e padenjë’’, pasi tani për tani nuk kam kohë të tepërt dhe mendje të pakët që të mbush qypat e shpuar.

 

 

 

 

2 thoughts on “Shkrimtari Sterjo Spasse: lavdi e kombit të vet. / Nga : Petro S. Luarasi

  1. Komentuesi eshte cuditur me thenjen e Joshes, vellait te Sterjos, ne momentin kur tabori shqiptar mori ne dorezim Prespen ne vjeshten e vitit 2014. Sqarojme per lexuesin se nga viti 1913 deri 2014 kjo zone ka qene neutrale, e pa ndare, ishte nen administrimin e perkohshem grek.
    Dhe vertet kohe te veshtira erdhen per Prespen sepse me te mare zonen ne administrim nga shqiptaret, ish bejleret qe nuk guxuaN te hynin ne Prespe ne kohen kur administronte greku, u versulen si bisha ndaj tokave maqedonase te Prespes. Ne historine e njerezimit nuk njihen vuajtje te tilla, si ato qe kane kaluar banoret e Prespes. Edhe pse kane bere nje kalvar gjyqesh (Mbi 10 vjet gjyqe), duke siguruar edhe dokumente nga arkivat e Stambollit, perseri i humbisnin gjyqer sepse e drejta shkonte nga paraja. Dhe shqiptaret per prona e para vrasin baben e vellain.
    Genocidi ndaj Prespes nuk permendet nga “intelektualet” shqiptare . Ju flisni me te drejte per genocidin ndaj cameve, por nuk e permendni genocidin ndaj maqedonasve i ndodhur ne vitin 1932, ku 100 familje te Prespes u perzune nga trojet e tyre. Kur thoni greket perzune camet nga tokat e tyre, pse nuk thoni qe shqiptaret perzune maqedonasit nga tokat e tyre. e c’rendesi kush ishte ne Qeveri. Shteti drejtoheshe nga shqiptari Zog qe po e lavderoni per drejtesi dhe ligje te forta.
    Ju mbureni per tolerance ndaj kombeve te tjera por gaboheni rende, ju i sulmoni kombet e tjera, bile i perbuzni ose me sakte keni antipati pathollogjike, vecanarisht kjo nga rajoni Korce-Pogradec e Kolonje. Une nuk kam merak qe te na doni dhe te fitoj simpati me zor.
    Antipatia eshte e ndersjellte, nuk fitohet as me thirje, as me propogande, por me qendrim korekt e qytetar. E c’qytetar i mire na qenke ti Petro, kur te ri mendja te sheri, kur ringjall “zenkat” e te pareve.
    Prinderit tane vazhdimisht na keshillonin: Me shqiptaret kujdes, kerkojne sherr. Edhe ti Petro, nuk te rihet, e ke leshuar brezin e kerkon sherr.
    Leri rehat te tjeret, mjaft permende zonen. Meqenese je “mencuria” e kombit, na jep ndonje mend qe te ecim perpara, sepse 25 vjet tranzicion, ne vend qe te lulezonim u kthyem nga vellau juaj turk.

  2. Sqarim : Duke kerkuar ndjese, sqaroj se ne komentin e me siperm duhet bere korigjimi si vijon: Zona ka qene neutrale nga viti 1913 deri 1924. Pra ne vjeshten e vitit 1924 eshte mare ne administrim nga shqiptaret, si kembim teritoresh.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s