KUR NDRROHEN STINËT ZOGJTË SHTEGTARË NISIN E KTHEHEN ( “Valsi i vdekjes“ nga Festim Liti poezi, tregime, publicistikë, Larisa-Tiranë 2014 ) / Nga Vllasova MUSTA

10469832_889953064350426_3666230406792835348_n

 

KUR NDRROHEN STINËT ZOGJTË SHTEGTARË NISIN E KTHEHEN

 

“Valsi i vdekjes“ nga Festim Liti
poezi, tregime, publicistikë, Larisa-Tiranë 2014

 

 

10710704_900090216670044_597809715251255330_n

Nga Vllasova MUSTA

 

Sa herë që marr në duar një libër të ri, kam një përjetim të ngrohtë që më bën të ndihem mirë e, aq më i veçantë bëhet ky përjetim, kur atë e merr nga vetë autori! Këtë ndjesi pata para dy ditësh, pas takimit me Festim Litin.
Unë, bëj pjesë tek ata njerëz që janë fjalëpakë dhe kjo është e dukshme për natyrën time, por, kur kam diçka që më pëlqen, që më ngacmon e më përcjell një frymë të këndshme estetike, e më bëhet shpirtërore, nuk mund të rri dot pa folur, nuk jam e qetë pa e thënë atë që kam përjetuar. Ky është dhe motivi që më nxiti të dal e të them fjalën time, mendimet e mia.
Kur ndërrohen stinët, zogjtë shtegëtarë nisin fluturimet dhe kthehen në vendet e tyre, andej nga kanë ardhë. E, bashkë me fluturimin, sjellin dhe cicërimat apo këngët e tyre! Me një fluturim të tillë zogjsh shtegëtarë nuk di pse më ngjasoi edhe kjo ardhje e

 

Festim

               Festim Liti

 

Festim Litit në atdhe, për të prezantuar librin e tij, një libër që ka krejefund shkëndia të bukura drite, që tingëllojnë e kanë zë, sepse ato kanë dalë prej shpirtit, janë ujëvara të kthjellëta të një bote fisnike!
Në se do të ndalesha për të thënë të veçantat e kësaj krijimtarie, ajo që sëpari bën udhë apo prin, është se këtu, në këtë libër ka dashuri! Kjo është tepër e dukshme si në poezitë që hapin vëllimin, po ashtu edhe në prozën që vjen më pas. Në këto vargje poetike ndihesh si në një bashkëbisedim me autorin, sikur dëgjon dhe bëhesh pjesë e gjithçkaje që ka të bëjë me botën e tij të ndjeshme, të sinqertë, njerëzore dhe çuditërisht tejet delikate dhe fine.
Po veçoj një poezi, që më pëlqeu pamasë :

Je e sigurt se më do,
a jam i sigurt që të dua?
Qoftë edhe një gjysmë pikëpyetje
Të ketë në këtë hapësirë,
Për të mos përjetuar Ferrin,
Paqësisht të themi:
Lamtumirë!…

Një sinqeritet i admiruar i thënë kaq bukur poetikisht, me kaq elegancë sa të paralizon fjalën dhe natyrshëm përsërit me vete: Faleminderit për këtë perlë!
Por, gjatë leximit nga një faqe në tjetrën, ndeshesh me të tillë vargje që kanë jetë e kanë zë, aq sa në to të duket se ndjen drithërimat e shpirtit e të bën të drithërohesh edhe ti. Nuk mund ta lë jashtë vëmëndjes sime dhe dua ta sjell edhe tek ju, poezinë e ndjerë:
Brenga e largësisë
Më përvëloi ky diell i Ballkanit të Jugut,
Kam zjarr, kam mall, kam ethe…
U tret vështrimi si petale e vyshkur,
endem trotuarëve si gjethe e tharë vjeshte,
unë emigranti ëndërrandryshkur…
Më sill, o mik i mirë,
Një copë bjeshkë të larë,
Grimca shkëmbinjsh të Jonit shkumëzuar,
A një degë ulliri nga riviera e lashtë.
Pastaj, në mbrëmje, mendim trazuar,
ktheje për mua një gotë…
Nëse këto të mungojnë,
më dërgo, të paktën, një gjëmb trëndafili,
të më kujtojë se ka lule në këtë botë.

E thënë kaq bukur, të duket sikur para teje në mënyrë të beftë të shfaqet një lëndinë aromëshumë lulesh dhe trëndafilash dhe e gjitha kjo bulon prej atij „gjëmbi“ që çpon e shpwrthen prej mallit të emigrantit dhe skalit drithshëm këto vargje të mrekullueshme.
E tillë është poezia e Festim Litit, poezi jete dhe shpirti, poezi që rrjedh dhe tingëllon, poezi e vërtetë, që mbart një botë të tërë me të gjitha ngjyrimet, që të shpalos hapësira të ndritshme dhe ti ndihesh si nën një hark të bukur ylberi.
Kjo frymë është edhe në prozën e tij, ku e papritura, jetësorja dhe ndjenja e bukur vinë krejt natyrshëm, janë të pandara, por përherë mes një emocioni të spikatur. Veçoj mes tyre, “Vdekja e pëllumbit“, „Poshtë urës së lumit Danub“, „Njeriu dhe qeni“ etj. Në to, ndihet poeti, ndihet krijuesi që di të qëmtojë e të japë më të mirën e tij dhe kjo, përherë nëpërmjet një dëshire të ethshme për të spikatur njerëzoren, vlerën dhe të veçantën. Prandaj edhe këto krijime të përfshira në këtë libër pulsojnë, sepse brenda tyre ka jetë, ka frymë, ka njerëz, jam unë, je ti, është ai, jemi ne, të gjithë…
Jam e sigurt, se kur të largohet që këndej, për të shkuar sërish në Greqi, Festim Liti, si ai shpendi shtegëtar, do marrë me vete zërat e miqve dhe dashamirësve të tij, mpleksur me fjalën më të mirë për këtë libër të përkorë që na solli mes nesh dhe paskëtaj do e çojë në një tjetër vend, ku do të mbledhë të tjerë zëra, nga të tjerë miq e të tjerë dashamirë e kështu, përherë e përherë sepse zogjtë, apo shpendët shtegëtarë dinë veçse të fluturojnë e të përcjellin këngë!

Tiranë, 19 shtator 2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s