Poezi nga Safet Hyseni
Dimri tallet me mua
Dimri tallet me mua
Leckat e grisura krahëve
Si përbindësha më janë ngjitur
Në supet e mija ngjajnë si gur varresh
Gardianët në shtatë rradh sy skuqur
Janë xhemati i kortezhit që luan me vdekjen
Brenda telave me gjemba grisen dëshirat
I marr me frymë më të mirat
Arkivoli ma bënë me sy
Kotsëkoti rrin hapur s’ia shkrep syrin
Mbështillem brenda kujtimeve
Më ngrohin buzët e ëndrrës
Ditënetët ngjasojnë me arenat
Kush do e mbushë më shumë shportën e përdal
Të pistat i hedh me kuraj
Mbi shpatulla mbaj akuzën
Armik i p… @s.h. (1986, Idrizovë)
Natë
Dy gishta nuk shoh me sy
Shpirti i lodhur shkrihet nga malli
Duket se flenë gjithë qyteti
Ëndrra ma ka ulë plagën në gji
Mjegulla shtruar, po bie shi
Lus të më marr gjumi që të rri me ty
E di që nuk lagesh mbi re je tani
Atje do vijë me t’i puthë ato sy.
@s.h.
me ëndrrën time të bardhë)
Kotem në mendime ëndërroj dhuratë një lule
Mureve të lagështa më ndjek një grusht një thikë
Gjuhën të më helmojnë me avullin shëllirë
Një thes kripë më varin në gushë
Ma lidhin fort për hundë për buzë
Barku më fryhet më shtrinë si kufomë
Mbyllem në Kështjellë shoh një yll të zjarrtë
Mundohem të mbyllë çdo dritare të etjes
Me ëndrrën time të bardhë.
@s.h. (1985, Shutkë)
U deha me ëndrrën
I shtrova ëndrrat t’i bëra shtrat
Me gjethe dashurie të mbulova
Lajthit që të mos bëjë mëkat
Me kupë vere t’i freskova
@s.h.
Ti je ëndërr
Katër mure të zeza heshtje varri
Lëvizin kujtimet si hije, pa dritë
Shushurimë zërash ndjej aromë nate
Thërrmohet zemra dhimbje në shpirt
Nga lart shoh të shuhet një yll
Zbraz dhimbjen nata lotin ma var në sy
Jo
Se lë të më ikë ëndrra pa e puthë në ball
Erdhe si e para e fundit dashuri
@s.h.
Në Ty jam!
Nuk deshta ëndrrën ta vras
Më le vetëm ti më the
Unë i shterruar pa lotë në sy
E ti dhimbja ime mbete
Një varg lutje me frymë t’i nisa
Qetësia ndau horizonte
Të bëra zë bashkë të rrijmë
Në përqafim t‘të marr sonte
Në tokë a në re një strehë të gjejmë
Shëruar do të jenë plagët me dëshirë
Jam ëndrra jote dhe nuk më le
As unë nuk e dua një lamtumirë.
@s.h.
Përtueshëm
Përtueshëm ikë nata me dritë të zbehtë yjesh
Me zor çel agimi qielli s’shihet nga mjegull mbuluar
Nëpër trup më pickojnë grimca të zjarrta
Dhimbja rropatet, në shpirt shtratin ka shtruar
Mureve të errëta e në sy më zvarriten kujtimet
Mëngjesi i gjen ende nëpër poret e trurit ngujuar
Retë janë mrrolur sikur duan të zbrazin barkun
S’kam ëndërr tjetër as tesha dhimbjen për të mbuluar.
@s.h.
Mall
Nëse has në ndonjë udhëkryq
Është patjetër që të ndodh
Të zë malli dhe kujtimet të vinë varg
Grise inatin shpirtin mos e lodh
Nëse dëgjon një zë për brenda
E të vije zhurmshëm si shushurimë
S’është furtunë as stuhi
Shkrumoset malli në të fundit frymë.
@s.h.