Poezi nga Ramiz Kuqi
UDHËTOJ
Çdo ditë
Mes lundrash me valë
T’ia marr stinës
Një rreze dielli në përqafim
Kur bie muzgu
Të dëgjoj
Si gjëmon ky det mejtimesh
Me Fjalën e stërkalave
Nëpër dallgëzim
Udhëtoj me vargje
Nëpër strofa me rimë
Ta gjej njeriun
Me pishnajë në dorë
Ta dëgjoj shiun që zbret
Si nuse nëpër llamarinë
Udhëtoj…
ASGJË
S’pepëtinë më në këtë vjeshtë të vonë
Stina sikur mori udhë të gjatë ecjesh
Fjalët imori nata me stuhi ndër brigje
Mbi heshtje ranë gjithçka ra si brymë
Mbi kalldërm kanë mbetur gjurmët
Shushuritje si gjethet kur era i përlanë
Tinguj të shurdhër në të fundit këmbanë
Medet
Kur ëndrrat u tretën pa rënë një fluskë borë
I mori një Zog nate mes këngësh
E u tret
Një cicërimë malli dikund e la
Ta ringjall këtë Atdhe lodhur
Si ushtar nëpër beteja
Asgjë?!
DILEMË
M’i mbuloni në këtë dimër
Të gjatë
Dimër i vetmisë së madhe
Këto krahë zogu
Errësira do të bjerë
Mbi udhët me kalldërm
Me këto këpucë të vjetra
Nëpër shtigje të pafund
M’i hapni vetëm pak frengjitë
Ta shoh qiellin tim nëpër borë
Të mbuloj pastak kokën me pelerinë
Pa zjarr në Kullë
Dashurinë ma morën heretikët
Plangprishësit e Fjalëve kokëboshët!
SIKUR TË MUNDJA
Do t’i mblidhja
Stinët nëpër Kohë
Ëndrrat
Kur natën binte shi
Kullat
Me shumë frengji
Zogjtë e bukur krahlehtë
Nëpër qiell të Arbërisë
Buzët
Për puthje vargjesh
Detet
Me dallgë brigjeve
Kujtimet
Nëpër ditarë lirikë
Portretin e Atdheut
Pa rrudha nëpër ballë
Lotin e nënës
Metaforë nëpër fjalë
Dashurinë
Në kapërcyell me strall
Sikur të mundja
Shpirt t’i jap këngës
Fluturim mbi malet e mia
Shqiponjës me dy krerë
Në një Flamur lirie
T’i takoj kokat e grindura
Për një Fron
T’i djegin arat me kallinj
Buzë udhëve
Ta shohin lypsin të shtrirë
Për një lek Zotëri, për një Lek!
Ta shtroj sonte sofrën
Me bukë të thatë
Sikur të mundja
Luftën ta ndal në Irak
Të kurit nëpër plumba në Siri
Kufirin tim me gjemba
Ta shndërroj në kopsht me lule!
LARG
Evropa
Larg janë ëndrat
… te kufiri i ndarjes
Trëndafila me gjemba
Zot
Ruaje palcën e këtij populli
Të mos e bartin shpendët grabitçarë
Larg udha deri të ky stacion i pritjjes
Mbi qiellin tim të murrmë
Fluturojnë shekujt stinët orët
Unë
Dashuri e fundit e këtij nënqielli
Mes puthjeve
Shtrëngoj dhembë e dhëmballë
Lirisë sime
I kanë vënë frerë kuajsh
E tërheqin zvarrë
Lagur terur në vig erërash
Si një arnë e lehtë?!
Larg ?!
NË UDHËTIM IMAGJINATIV
Udhëtoj sonte
Udhëtoj
Me fjalën time
Meridianevë të botës
Kontinenteve të përgjumura
Nëpër qerpikët e stinëve
Udhëve lakore të Alnabrysë
Në Mc Donals
Hap dosjet e letrave të shkruara
Dorë (heq) jet shtër(zi) met
Dashuritë tinëzare
Kohën e hajthme portretet
Germat e fshehura në “Poetikën” e Aristotelit
Në udhëtim imagjinativ
Ndjej borën e bardhë
Të ftohtit derdhur nëpër trup
Palltot e ngrira
Ditarët me mall poetësh
Udhëtoj sonte
Përtej vetvetes ta gjej
Të bukurën në art
Buzëkuqet e livadheve të bleruara
Taksitë që rrëshqasin nëpër asfalt
Autobusët që të shpiejnë në Oslo
Në Teatër pi një kafe me mikun Tahir
Njeriut të urtë t’ia falë vargjet
Miqësisht të buzëqesh në fillim të dashurisë sonë
Lules që kishte hapur syth të ri
Në Lidhjen e Shkrimtarëve ta gjej fjalinë e parë
Pa pikë e presje pa thonjëza
Udhëtoj po udhët janë mbushur me krahnez!
KA DITË
Që rropatem me Ty
E bukura e ëndrrave të mia
Ti
Që netët m’i more
Si bariu kullotat e maleve
Shpirtin e luleve në shpërthim
Këngët e bareshës flokëlëshuar
Buzëskuqura e lëndinës së lotëve
Klithmë u bërë nëpër këngë
Pritje
Nëpët stinët e lazdruara
Ka ditë
Që vras vetminë nëpër vargje
Vetëm në vargje të takoj
Grindem rikthehem në fillim
Të ecjes sime
Si Ky Atdhe i hajthëm
Që vret hapin e vet nëpër kthina
Mbi talolinë ka ligje paragrafe
Nene të pashkruara
Ende s’i shijova fjalët e buzëve
Ka ditë
Që rropatëm me Ty!
NA NDJEK
Në çdo hap
Hija e hutinit të zi
Çdo ditë na i ha
Lulet nëpër kopshte
Zogjtë
Na i tremb nëpër qiell
Në indeksin e stinës
Biografi pa fjalë!
NUMROHEN
Rreshtat numrat
Si fluskat e shiut nëpër hapësirë
Pa gishhtërinj
Jemi bërë njerëz prej shiut
Kundër s’ka asnjë votë?!
E mjera demokraci!