Poezi nga Seti Vladi
Bija e Ilirisë
( TEUTA )
I thjeshtë piedestali ku ngrihesh statujë,
pa kulla e bedena, sinjale madhështie,
si legjendë shekujsh me fitore pa bujë,
me jehonë krojesh e plisash Ilirie.
Drini e Buna fytyrën të lanin ,
pasqyrë kishe liqenin kaltërsi,
lulet për ty aromën shpërndanin,
se ti vetë ishe nektar, dashuri.
Nimfë e detit me uniformë ushtare,
Rozafa mbi shkëmb ta shkroi historinë,
me shpatën në dorë,mburoj’e përkrenare,
nga Dyrrahu i lashtë vështron Ilirinë…
Shikon detin e trazuar ku ti fluturoje,
përpara kishe më të madhen lubi ,
mbi valët e errëta e të egra luftoje,
me ulkonjën romake, perandori.
Shikon betejat ku munde Epirin ,
dhe Korkyrës flotën në flakë ia dogje,
me neveri shikon Dhimitër faqenxirin,
shiti Ilirinë me tradhëti të pashoqe…
Si oshëtimë malesh, Mbretëresha Teutë,
në fronin e tretë mbretërove Ti ,
Ilirinë në zemër flamurë e vutë,
nga Gjiri i Ambrakisë, Liburnët në veri.
Zemra jote me plagë shtizash gatuar,
me copa deti e qielli Ilirie ,
me pllaka çeliku anijesh shkatërruar,
me trumpeta fitoresh e qeshje fëmije.
U gatove me këngët në festat e gëzimit,
me dashuritë e popullit nën lulet e mollës,
me thirrjet mbi dyrekët e anijeve t’luftimit,
me shirat, furtunat e reshjet e dëborës.
Të rriti Iliria me Diell Perëndie ,
Ti, yll i largët që ndrin gjithmonë,
një melodi lahute, kreshento simfonie,
je film epope i gjenetikës sonë.
Rruga e një ëndrre
Ecim ,
në larmi ngjyrash të çuditshme
drejt ëndrrës së vjetër që kemi…
Ecim e rrëzohemi, ngrihemi përsëri ,
por s’dimë se kur atje do vemi.
Plot udhëkryqe e zigzage të gjata ,
mure me tela e gjemba pengojnë ,
urat e reja të ngritura i shembin ,
n’errësirën e shpirtit të tyre gëzojnë.
Pelivanë me përvojë nëpër tela ,
tinëzarë e matrapazë në pazare ,
me shkolla, pa shkolla, sajesa të blera
dhe nënë e baba i lënë pa varre.
Lukuni të natës dhe skile të ditës ,
skutash kurdisin, podiumesh bërtasin ,
mjeshtra të kurthit dhe të pritës ,
në parlament shajnê, çirren, godasin.
Në ballë të shkruar kanë trinomin:
Mashtrimin – trafikun – korrupsionin.
Nga geni për zemër kanë aktrimin ,
luajnë dramën, cirkun, komedinë ,
Mon Kukaleshin, servilin e Qazimin
dhe ujkun e përrallës “Tre kecat me dhine”.
Mbajnë karriget me vite e dekada ,
herë ulen tek njera e herë tek tjetra ,
si kameleonë me trukime e fasada ,
nëpër banka të largëta fshihet kuleta.
Dhe duam pastaj në Evropë të vemi!
Ohuuuuu…,
sa larg prej saj ne jemi !!!
Në këto vite, me pengesa e udhëkryqe ,
udhëtojmë të lagur në “shiun” vargan ,
ashtu si shpendët nga stuhitë dimërore
drejt ngrohtësive … karvan – karvan.
Ecim ,
me imazhe fabrikash të shkatërruara,
me fusha pjellore që nuk punohen ,
me lumenjtë pa shtretër që u vidhet zhavorri ,
me pyjet e larta që i preu sopata ,
me kodra e male që i mori horri ,
helmin që mbjell, çdo ditë lulëzon ,
me tokë, det e qiell transporton.
Ecim ,
me burimet ujore të maleve ,
me rubinetat që vajtojnë nëpër shtëpia ,
me pensionistët e zhgënjyer të halleve ,
në rrugën e ëndrrës e gjithë Shqipëria …
Ecim me voglushët në shkollat e ftohta ,
me spitalet “bir Selmani nënës…” ,
me makinat e luksit,të shpejta,të ngrohta,
me kasollet pa çati, nën dritën e hënës.
Dhe listat e bukës i marrim me vete ,
ngarkesat e përplasjet politike ,
thirrjet e shpirtit me halle e derte ,
peizazhe të një jete dramatike.
Marrim parmendat e vjetra mesjeetare,
të ulura këmbëkryq në fusha e ara ,
marrim dhe thesin e mbushur me premtime,
me nina – nana, gënjeshtra e përralla.
Ecim ,
me dilemën e votës tek kutia ,
ujku me dhelprën zakonin s’harrojnë …
andej nga brenda del dhe cjapi e dhia ,
kandidatët e lekut, zgjedhjet fitojnë.
Nga pas na ndjekin krismat e turpit ,
gjakmarrja pas ferrash zgjuar përgjon ,
paradoksi i ëndrrës sonë që ndjekim ,
kjo njllë e zezë që djeg e poshtëron.
Me vete marrim të papunët që enden ,
hedhur mbi sup torbën e kurbetit ,
si lypsarë trokasin në dyer e vende ,
në kurriz të krenarisë e dinjitetit.
Në vendin tonë lulëzon çudia
ku drejtësi është padrejtësia ,
në një vend me rend e ligje ,
nëpër fusha, rrugë e male ,
në qytete, fshatra e shtigje
dalin bandat kriminale ,
ku grupe bandash kusarie
vjedhin djersën me miliona ,
ku drejtësia jep vula pafajësie
bredhin Evropën me aviona.
Ecim ,
me mjekë, gjyqtarë e zyrtarë ,
gurët e parë të korrupsionit kala ,
vihen në start si ujqërit në garë ,
xhepat i mbushin nga populli fukara.
E duam pastaj në Evropë të vemi!
Ohuuuuu…,
një planet larg nesh e kemi !!!
Dhe kështu,të lodhur ndër vite udhëtojmë,
koha na shtyn si deti valët ,
në zyrat e larta lojën vazhdojnë ,
” të kapin hajdutin ” pushtetarët.
Andej … së largu, me ngjyra ylberi ,
prej vitesh ëndrra jonë na thërret ,
si Ajsberg i ngrirë, si shkëmb mermeri ,
në mes të rrugës karvani ka mbet…
Nëntori i Festave
Mes stuhive, nata nxinte ,
vjeshta fundin po shënonte ,
liria në ballë si yll të ndrinte ,
Shqipëria këngën të këndonte.
I zgjate dorën nënës tënde ,
në gjunjë u ule, puthe tokën ,
ish e fundit nga dyzet vende ,
nga gjumi i thellë i ngrite kokën.
Mes shqiponjash u ngrit flamuri ,
toka, qielli flakëron ,
dora jote, Ismail Burri ,
u bë shtiz’ përmbi ballkon.
Festojmë ty, dit’ e shënuar ,
dit’ e zjarrtë, njëzetetetë ,
flamuri me shqipen e bekuar ,
i lirë valëvitet mbi njëqind vjet.
Si hambar ky muaj i vjeshtës ,
mbush me festa në çdo vatër ,
Nëntor i Kuq i dymbëdhjetës ,
Nëntor i Fitores dyzetekatër.
Përralla e fundit e Hasanit
( Vargje satirike )
Ikën vitet të zemruar ,
larg prej nesh për t’mos i parë …
thasët mbushur me përralla ,
për të qesh e për të qarë .
Dhe tani përrallën e fundit
unë po nis tua tregoj ,
jo se ju nuk e jetuat ,
por se dua tua kujtoj …
× × × ×
Pranë oxhakut rrinte Hasani ,
hante , pinte dhe mendonte ,
që përpara të shkojë Shqipëia ,
turli përrallash na sajonte …
Ekonominë të lartë e kemi ,
vijmë të dytët , pas gjermanit”( ! )
sa për shkencën dhe arsimin ,
dëgjoni përrallën e Hasanit :
– Kam dhën’ leje që të hapen ,
për tre milion banorë që kemi ,
një dyzinë universitetesh ,
“truri dijes “do të jemi ( ! )
Dhe në vdeksha lë amanet ,
— tha Hasani me dënesë ,
— pa diplomë universitetare ,
këmbë shqiptari të mos mbesë !
Sihariqi mori dhenë ,
siç u tha , ashtu u bë …
si kërpudhat nxorën kokën ,
universitetet një nga një .
Të gjitha vitet e studimit
mund të merren dhe për një orë ,
mjafton zarfi mbush me lekë ,
t’i jepet pronarit në dorë ( ! )
Asnjë problem nuk na kishte ,
dhe n’ leksione të mos vije ,
qoftë i huaj apo vendas
edhe gjuhën mos te dije ( ! )
Për persona në nevojë ,
Hasani gjet forma të tjera ,
konvertime në natyrë
me lopë , viça edhe shqerra ( ! )
Dhe të tjera kushte lehtësuese
rektoratet i pranojnë ,
per dy “skoda” me dru zjarri
çdo diplomë e konvertojnë ( ! )
Disa bëjnë dhe punë shtëpie ,
lajnë e fshijnë e mbjellin speca
dhe ne fund marrin diplomat ,
por me vulën kastraveca ( ! )
Pa vërshoi me vrap mileti
gjithandej , nga an’ e anës ,
ca nga qielli e ca nga deti ,
ca të tjer’ nga Qafë e Thanës .
Me pankarta nëpër duar
” Mirëse t’gjetëm Shqipëri !”
Qënke vend i BEKUAR ,
jep diploma me lopë e dhi ( ! )
Mbi të gjitha , më e mira ,
ti na qenke shumë bujare ,
jep diploma pa u lodhur ,
asnjë ditë pa ardhur fare ( ! )
Shqipëri të qofshim falë ,
qënke lule përmbi lule !
Mbi pesëdhjetë universitete
si mullarët n’tokë i ngule ( ! )
Po kush thotë për ty habere ,
se ti mbrapa paske mbet !?
Në çdo pëllëmbë të tokës sate
ka nga një universitet ( ! )
Me ty habitet e gjithë Evropa ,
po çuditet dhe Afrika ,
gjithë këto universitete
nuk i ka as Amerika !
Dhe kështu vazhdoi mashtrimi
me diploma të lëshuara…
u mbushën rrugët me viktima
nga universitete të sajuara .
Mirëpo stinët rrotullohen …
ikën dimri , vjen dhe vapa ,
piqet dardha në maj’ dege
edhe bishtin e ka mbrapa…
Erdh’ dhe fundi i k’saj përralle
dhe sinjali u dha ” SoS ” !
Edhe qofte s’ka më daja ,
as dhe deti s’bëhet KOS !
Nuk e di se si u ndjeve ,
mbase koka tu bë përshesh ,
por fiksoje lexues i dashur ,
përralla e Hasanit shkoi për Lesh !