Poezi nga Dije LOHAJ

13119113_1033832416704336_4121421021962320100_n

Poezi nga Dije LOHAJ

 

ATA SY MES FJOLLASH BOROJNË

Edhe unë e dua jetën!
-Thanë sytë e tij,
Te rrezet e shikimit mbetën të vetmuar,
Me dhëmbët e mprehtë të ngricave
Ia çjerrën ngrohtësinë!
Brenda shpirtit të përvuajtur
Në dritën e bebëzave të tij,
E çastet ngrinë një e nga një,
Shpresëmekur me fjolla bore,
Lodrojnë me tingujt e asgjësimit,
Gjersa sytë u shndërruan në mermer.
Në agoninë e lirisë,
Thinjat përziheshin me fjolla bore,
E pëshpëritnin mundimshëm:
– Pse bota është vetëm për ata?!
E ata lozin me jetën tonë,
Që nuk të lënë të lirë…
As tash në frymën e fundit…!
E pastaj, pafytyrësisht do të vini
Të hidhni një grusht dhe mbi varrin tim!
Jo, ju ejani e më mbuloni!
Me kurorë bore!
Dhe dëgjoni pëshpëritje mallkimi,
Me elegjinë e vargjeve
Rrënjëve të atdheut.
Sonte, kur mbeta përjetësisht lulengrirë..!
E lotët përzihen trishtueshëm
Kur qau dita e tërbuar
Në sytë e tij!
Dhe me dhëmbë të mermertë ngriu jeta
Kur plëngprishësit bëjnë sehir,
Në kolltukë të mëndafshtë
Me vajin hipokrit,
Për të fshehur apoteozën e lirisë,
Lotin e ngrirë tragjik,
Acari në kohë akullnaje…

 

FJOLLA BARDHËSIE

Zura për dore fjollat e përndezura,
Të lodroj bardhësisë së stinës,
Me copa drite të argjendëta,
Me shkumë bardhëllore nën qiellin e përflakur.
Gjurmët e mekura vdesin,
Të mbështjellë nga ftohtësia…!
Prapë rilindin,
Oh, rilindin!
Pas çdo gjurme të re.
E unë kurioze,
Me shikim soditës.
Kërkoj ngjyrën e stinës pa ndërruar formë!
Mbushur me mall shpirtit të trazuar,
Gjurmëve të borëzuar,
Në hapësirën e qetësisë shpirtërore,
Me ëndrrat e fjollave
Që digjeshin buzëve dikur,
E bëheshin ujëbekuar…
Tash loz me këto flutura argjendi
Me iluzionet çaj tutje horizontit,
Me shpirtin tim plot frymë,
Në bardhësinë diellore,
Kur dita dhe nata shkëlqejnë,
Bashkë me fluturat e borës,
Por nuk më duhet dritë me shumë
Se shpirtit bëjnë ditë
Në rrugën e universit tim.

 

FLUTURA ZJARRI

Mbështjellur me flakërima përgjërimi,
Ngjizur me një rikujtim si përhitje muze,
Një puthje të fundit të kërkova,
Tej harrimit që e mbaj për dore si nostalgjinë,
Heshtjet të mos e mallkojnë dashurinë tonë më,
Flakë e prush sa e sa numërova,
Oh, çfarë t’i bëj mallit që vegimthi më fton andej ?
Mbi luleblinajat e dëshirave,
Flutura zjarri vals shkëndijojnë me copëza dashurishë,
Nyjëzuar si pjalmim e hedhje në pritjet që i dua,
Me imazhin lozonjar që fluron,
Pastaj, medet, shuhen dalëngadalë.
Flutura zjarri që risjellin puhinë,
Bashkë me mallin e prushtë të më djeg
E të rinisim një tjerër paralojë më të rrallë
Pësëri, ti fluturon, fluturon dhe ik tutje.
Që hapin tënd mos të ta ndjek dot,
Deri te loja kur aty kryqëzojmë shikimet,
Buzëqeshjet dhe buzëshkrumet,
Dhe i jepemi me ritual atij çasti,
Jam mirë më thua, mos më kërko kot?
Patjetër flutura zjarri vijnë te ti i dashur,
Ato janë te unë e vijnë edhe te ti
Hedhje kaq të bukura i meritove,
Merri bëri kurorë për timin shtat…!

 

BALADË PËR GJIRIN E ROZAFËS

Mbrëmë pashë Rozafën në ëndërr,
Mbi trupin e mekur,
Kishte lënë gjirin jashtë,
Të birin me mall të mëkonte.
Engjëjt ethshëm nanurisnin kohën e djepit,
E gjiri pikonte qumështin e foshnjës
Shtrënguar mes palë muresh të ftohta.
Rozafa skërmiste dhëmbët
Kudo në kuje kukuvajkash,
E ustallarët vëngër shikonin me sy
Lidhur me fije të këputura zanoresh,
Atje ku një muranë,
Falte përshpirtje ndjenjash
Përkëdhelur me sy nëne,
Përkëdhelur me sy foshnje
Ah, mëkuar me gji Rozafe…!
Në pentagramin e melodisë së djepit
E bukura Rozafë është këtu
Ah, është atje mes shekujsh,
Nën këlthitjet e foshnjës
Me pajë nusërie vinte ngadalë
Me plumbin e kokës sime brenda,
Kur kokën kisha mbështetur për një rrasë guri,
Pranë varrit mbi tokë,
Nën hijen e një lulevarri,
Ëndrrat i thura gërshetë Rozafe,
Me shkronja lirie stolisa,
Gjoksin e trimit tim.
Dhe, Gjergji me shpatë kërthizën i preu
E mblodha flamujt betejave plot plagë
Kumbar zura detin e paanë,
Me dallgë poshtë Urës së Qabesë,
Nëpër ato stërkala balte,
Sikur shkundnin pemën e jetës sime
Lagur me lotin e thinjur,
Me dendësi ferrash korb të zeza,
Mbuluar me zjarrin e truallit arbëror.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s