Poezi nga Zhaneta Barxhaj / Shkëputur nga vëllimi poetik ” Valltari pa këmbë”

zhaneta-barxhaj

Poezi nga Zhaneta Barxhaj

Shkëputur nga vëllimi poetik ” Valltari pa këmbë”

 

KALVAR

Rrugëve të ngrëna nga koha, copëtuar nga hapat,
guralecë të vegjël përvidhen nga troku i fuqishëm.
Të pambrojtur bien rrëzave të papastërta,
në pritje të një kalvari.

Llumi shtrohet dhe shpërndahet gjithandej.
Po njësoj… duke gërryer një tjetër copë nga asfalti i ri,
i porsashtruar rrëmujshëm nga duart e ashpra
gjithë kallo të punëtorëve të shërbimit.
Që kolliten e përziejnë po aty…
kalbjet e tyre njerëzore.

 

KLITHMË E SHEKULLIT TIM

Tronditen themelet e ndërgjegjes,
ngatërrohen mes psikozave perverse.
Varrmihësa besnikë përpiqen të fshehin,
të mbysin, të zhdukin krimet që klithin.

Përhumbur endemi…
Ndalim kur kalojmë përbri muresh të lashtë,
e dëgjojmë rënkimet e shekullit.

O i panjohur…
Ti që do të dëgjosh klithmën e shekullit tim.
Rrëfeje… Çliroje.
Mos e mbyt sërisht në harrim…

 

SUFLER

Perëndimi bie mbi ne.
Mbi supet e zhveshura,
të ftohta,
të ngrira,
Konsumuar nga vitet dhe mola.

Lëviz ngadalë kafka
të shohë se ç’ndodh.
Po zgavrat janë bosh.
Gjarpërinjtë lëvrijnë
të babëzitur për gjak…

Ky perëndim ka botën e tij.
Me personazhe e role të qarta,
por lindja mbeti sufler.

 

LEBROZË

E përhumbur shkriftoj kujtesën,
ngushtuar prej orvatjeve të pashpresa.
Përmbys bie mbi sënduk,
kalbësirë që shembet nga era mbytëse
e gjithëfarësojshme…

Pa dashje prek lebrozën e kohës së zverdhur.
Thërrmohet e bie mes gishtërinjve,
rrëmujshëm e gjithë vrer,
duke ma përzier stomakun.

Bie mes legenëve të piste,
duke u mbytur mes vrerit
që del nga zgavrat e shqyera të ndërgjegjes.
Bam… legeni rrezohet…
Majë gishtave kaloj mos ndotem.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s