Kalendari poetik: Wisława Szymborska (1923-2012) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Wisława SZYMBORSKA

Kalendari poetik: Wisława Szymborska (1923-2012)

Sot më 2 korrik është datëlindja e saj, poete dhe eseiste polake. Aty nga viti 1945 filloi të ndiqte kurset e para për letërsinë polake, për sociologji pranë universitetit Jagellonica, në Krakov, studime që për arësye ekonomike u shtërngua t’i braktiste, por njohja me poetin Czesław Miłosz, ndikoi që ajo të ndiqte mjediset letrare të vendit. Përmbledhja e saj e parë me poezi, në vitin 1949, nuk u botua “për mangësi ideologjike”; u rrek t’i përshtatej realizmit socialist me vjersha për Leninin e Stalinin, por s’qe punë për të, në vitin 1960 u shkëput nga tutela partiake. U afrua menjëherë me lëvizjen sindikaliste Solidarność, qysh në fillimet e saj; në vitin 1996 fitoi edhe çmimin Nobel si dhe shumë çmime dhe mirënjohje brenda dhe jashtë vendit. Kritiku letrar gjerman Marcel Reich-Ranicki ka shkruar për të: “Është poetja më përfaqësuese e kombit të saj, me poezinë lirike, ironike dhe të thellë, priret kah poezia liriko-filozofike.” Dhe ironia, sarkazma e saj është shkatërruese; për mua, është varianti femër i Bukowskit. Poezitë e saj janë përkthyer në shumë gjuhë; kam edhe unë rreth 70 shqipërime nga Szymborska; një prej tyre e sjell sot në 95 vjetorin e lindjes së saj:

BUZËQESHJA

Bota dëshiron t’u shohë shpresën në fytyrë,
Për burra shteti buzëqeshja është detyrë.
Buzëqeshje do të thotë të fshihet mërzitja,
Anipse puna është lëmsh, e pasigurt zgjidhja,
Të kundërta interesat, por është ngushëlluese
Të zbardhin dhëmbët me buzëqeshje verbuese.

Një ballë mëse të kthjellët duhet të rrëfejnë,
Qoftë në aeroport, qoftë në konferencë.
Hapi i shkathët, shprehja e fytyrës e qetë.
Edhe kur këtë përcjell, apo tjetrin e pret.
Fytyrë e qeshur duhet, më shumë se kurrë
Si për fotografët edhe për njerëzit turmë.

Kur stomatologu diplomacinë ndihmon
Asnjëherë përfundim i shkëlqyer nuk vonon.
Dhëmbët e qenit xixë, prerësit për të qënë
S’duhet të mungojnë kur gjendja është e rëndë.
S’është ende aq e hareshme koha jonë
Që zymtësinë mbi fytyra të lejojmë.

Vëllazërim i njerëzve, ëndërrimtarët thonë,
Një vend buzëqeshjesh do ta bëjë tokën tonë.
Kam ca dyshime. Gjithë kjo, në qoftë e saktë,
Këta burra shteti s’do rrinin veç me dhëmbët jashtë.
Ndonjëherë po; pranverë është, plot me ngjyra,
Asnjë ngutje s’ka, as tendosje ndër fytyra.
Qëniet njerëzore janë të trishta si natyrë.
E për çka pres unë, s’më ngjan dhe aq e vështirë.

 

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s