NDERIM E KUJTESË, PËR KOLEGUN DHE MIKUN E PAHARRUAR, LONI PAPA… / Nga: Prof. Murat Gecaj; publicist e studiues

NDERIM E KUJTESË, PËR KOLEGUN DHE MIKUN E PAHARRUAR, LONI PAPA…

Nga: Prof. Murat Gecaj

         publicist e studiues

 

Nga e majta: L.Papa e M.Gecaj (Tiranë, pranverë 2010)

Para pak ditëve, u përhap lajmi i trishtuar, se u nda përgjithnjë nga jeta,larg Atdheut, kolegu e miku Loni Papa. Tashmë, emri  i tij është bërë shumë i njohur në letrat shqipe, si brenda vendit e në trojet tona amtare, por dhe në disaporën shqiptare e më gjerë.

Kishte lindur në Lushnjë, më 28  mars 1932. Shkollën e lartë e mbaroi për gjuhë-letërsi shqipe dhe e caktuan me punë, redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë”. Gjatë asaj kohë e në vazhdim, Loni iu përkushtua edhe letërsisë. Kështu, ai është autor i dhjetëra veprave, në gjininë e romanit, dramës, novelës, poezisë, letërsisë për fëmijë e publicistikë etj. Ndër të tjera,u bë shumë i njohur me veprën e tij, “Cuca e Maleve”. Për tërë atë krijimtari letrare të çmuar, ai u  shpall Laureat i “Çmimit të Republikës” dhe meritoi disa çmime tjera kombëtare.

Me ndarjen nga jeta të Loni Papës, familja humbi njeriun e saj shumë të dashur, por dhe pezmatoi zemrat e sa e sa krijuesve shqiptarë, brenda e jashtë vendit,si dhe të miqëve e dashamirëve të shumtë të tij.

Të paharruara qofshin jeta dhe veprat e Loni Papës!

Në nderim e kujtim të tij, kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, që më poshtë po ribotoj një shkrim, të disa viteve më parë.

Tiranë, 3 korrik 2018

1.

“Eh, kujtime, kujtime…Sa fort na pushtojnë dhe sa nostalgji mbartin e sjellin, nga e shkuara jonë! Kjo nuk na ndodhë vetëm, kur meditojmë me vete ose kur bisedojmë me një të afërm, mik a koleg të jetës. Por edhe kur i vështrojmë fotografitë e viteve të mëparshme, të cilat sikur na zgjojnë nga një gjumë i rëndë i së kaluarës, që nuk kthehet kurrë më!? …

Ishte fillimi i viteve ’60-të të shekullit të kaluar. Kisha një vit që punoja redaktor i gazetës javore të fëmijëve “Pionieri”, në Tiranë. Në një korridor me redaksinë tonë, ishin dhe punonjësit e gazetës “Zëri i Rinisë”. Të dyja redaksitë simotra kishin lidhje të ngushta dhe ne, radaktorët ishim miq të mirë me njëri-tjetrin. Nga ajo kohë, kujtoj me nderim kryeredaktorët në ato gazeta: Zihni Reso, Dhimitër Verli e Bekim Gaçe dhe redaktorët: Hysen Hoxha, Elena Gusho e Xhevat Beqaraj; Xhavit Abazi, Agim Cerga, Zef Gurakuqi, Luan Dibra, Kliton Gjilani…

Por, ndër këta kolegë të asaj kohe, e kam kujtuar përherë edhe publicistin e shkrimtarin e talentuar, Loni Papa. Megjithëse ishte pak vjet më i madh në moshë se unë dhe student një vit më përpara meje, këtë e kisha njohur që në auditorët e Fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, ku vijonte dhe e motra, Ollga. Më kujtohet mirë se, kur punuam në shtyp,  bashkë kishim shkuar edhe me shërbim në rrethin e vendlindjes së tij, pra në atë të Lushnjës. Nga ato vite të bukura të rinisë sonë, e kam ruajtur me kujdes në albumin tim dhe një fotografi, që kam bërë bashkë me Lonin, në Tiranë, pra në nëntor 1964. Shpesh në jetë na takon dhe të na përsëriten ngjarjet, dukuritë, ndodhitë. Kështu ngjau dhe me disa fotografi tonat, që i kemi fiksuar bashkë, në lagjen “Ali Demi” të Tiranës, ku jeton tani Loni me bashkëshorten. Po të shihen me vëmendje, të dyja fotot tona kanë në sfond prapa, pemë e gjelbërim, si për të na kujtuar prejardhjen tonë nga fshati.

E dija dëshirën e tij, që t’i kishte këto foto, prandaj ato i stampova në një studio dhe lamë një takim të veçantë, në Bibliotekën Kombëtare. Pastaj shkuam në lokalin “Diplomat” dhe bashkë pimë nga një çaj. Së pari, kolegut tim Loni i dhashë një kopje të librit “Bedri Dedja, në kujtesën tonë…”, që e pata përgatitur për botim me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes së tij. Pastaj, nga çanta nxora fotot e ia dhashë Lonit, për të cilat më falënderoi nga zemra. Por “supriza” më e bukur ishte fotoja, që kishim bërë bashkë ,mbi 46 vjet më parë.

Gjatë kohës në atë lokal, që na kaloi si pa u ndjerë, biseduam për vitet studentore dhe të punës në shtyp, për botimet tona, për familjet…Ç’është e vërteta, me këtë rast, mësova edhe fakte, që më parë nuk i dija për Loni Papën.

 

Nga e majta: L.Papa e M.Gecaj (Tiranë, nëntor 1964)

2.

Ka lindur më 28 mars 1932, në fshatin Bubullimë të Lushnjës. Tani Loni kujton duke buzëqeshur, se ishte në klasën e 4-t, kur shkroi vargjet e para: “Shoh një mizë, atje mbi mur,/kur unë vete që ta kap,/ajo ikën “fërr” me vrap!…”. Më tej, shkollën 7-vjeçare e vazhdoi dhe e mbaroi konviktor, në Elbasan. Me dëshirën për t’u bërë mësues, ndoqi shkollën e mesme pedagogjike të Tiranës. Sapo e mbaroi atë, meqenëse ishte njohur me gazetarin e ri, Peçi Dado, iu mundësua  puna redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë”. Më tej, e provoi dhe mësuesinë në Lushnjë dhe u riktye po në atë gazetë. Me synimin që ta ngrinte nivelin arsimor e kulturor, u regjistrua dhe vazhdoi studimet në degën e gjuhë-letërsisë, të Universitetit të Tiranës. Aftësitë e talenti, që Loni kishte shfaqur në ato vite, bënë që përsëri të shkonte në kolektivin e redaksisë së gazetës për rininë.

Puna në shtyp, ishte një jetë e gjallë, dinamike. Ai tregohej i papërtuar që t’i ndiqte hap pas hapi aksionet kombëtare të rinisë. Kjo gjë i mundësoi gjetjen e temave interesante, jo vetëm për shkrimet publicistike, por dhe ato letrare. Kështu, e asaj kohe është dhe tema shumë e njohur e dramës “Cuca e Maleve”(1968), e cila u shfaq në skenë, u ekranizua në film dhe u luajt në balet. Po kështu, shkroi dhe dy libra të tjerë, me temë aksionet e rinisë, njëri nga të cilët është “Duart e balta”

Sigurisht nga mosha afër 79-vjeçare, por dhe nga pamundësia fizike, tani Loni më tregon ngadalë se, deri tani, ka shkruar e publikuar rreth 60 libra të ndryshëm. Një pjesë e tyre janë dhe me tematikë për fëmijë, si “Historia e maçokut”(novelë-1957), “Gishto trimi”(novelë-1978), “Marga”(dramë-1971), “Zbatharakët” (dramë-1976) etj.

“Kam dhe disa libra të tjerë, në dorëshkrim,-më thotë si me dëshprim e në intimitet Loni.-Por nuk po e gjej udhën e publikimit të tyre, sigurisht për arsye financiare!?”. Pastaj, më thotë se, në këtë “seri” librash, janë: “Rrëfenja”, “Nga jeta e shkrimtarëve dhe artistëve”(për Migjenin, Kolë Jakovën, Ndrekë Lucën, Serafin Fankon, Kadri Roshin etj.), “Poezi” dhe “Drama “Cuca e Maleve”, me kritikat rreth saj, ndër të cilat janë autorë Kadare, Qosja etj.

 

Loni Papa

3.

Pasi e mbaruam bisedën tonë të ngrohtë, mbushur plot me emocione, Loni Papa u drejtua me hap të ngadaltë për në shtëpinë e tij. Atje e priste e shoqja, Vojsava. Ndërsa edhe në bisedë e në mendime i kishte përhërë dy vajzat e dashura, Aurelën (pedagoge e tani me familjen në Greqi) dhe Joridën (stomatologe dhe tani me familjen në Kanada). Sigurisht, malli e zhuriste dhe për nipat e mbesat e tij, që i ka aq larg. Përmes telefonit, ata do të dëgjojnë përsëri për botime të reja e të bukura të babit e gjyshit të tyre, figurë e njohur e publicistikës dhe letërsisë shqiptare, Laureat i “Çmimit të Republikës” dhe fitues i disa çmimeve tjera kombëtare, për krijimtarinë e tij, të pasur e cilësore.

Në mbyllje të këtyre radhëve, po tregoj se çfarë më tha studiuesi kuksian Isa Halilaj, “Mësues i merituar”, kur e prisja ta takoja Lonin, në Bibliotekën Kombëtare: “Nga nderimi e respekti për të, një ditë iu paraqita se kush isha dhe i shpreha vlerësimet e larta për krijimtarinë e tij. Loni më dëgjoi me vëmendje, u emocionua dhe pashë që në bebëzat e syve iu formuan dy pikëza loti…”.

E uroj nga zemra kolegun dhe mikun e mirë Loni Papa, që të ketë jetëgjatësi, krijimtari të frytshme dhe lumturi famailjare! (Tiranë, 21 shkurt 2011)

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s