Poezi nga Iliriana Sulkuqi
PO GRINDET TOKA IME DHE QIELLI YNË..
(mes tyre unë – asgjë-ja)
Pashë një ëndërr…,
ende pa mbyllur qepenat
apo grilat prej qerpikëve
që fshihnin lotët prej sy-irisi…
U zgjova syhapur
nga ëndrra
që po m’i
shkulte dhe rrënojat e fisit…,
ende pa më ”flutururuar” Shpirti…
…
Po grindej Toka ime
dhe Qielli Ynë.
Mallkonte Toka me bè për një Rè.
Hakmerrej Qielli
për Rè – në me Rrufè…
Fërkova sytë prej ëndrre pa fjetur…,
grisa qepena e grila
të bëhesha rrufèpritësja
edhe pse nuk isha “asgjë”- ja
për të dyja…
…
Qiellin e paqëtova me fjalë
prej Zotit të tij …
Po Tokës, ç’t’i bëja…?
Me klithma prej loti,
a mund ta besonte Marinë…?
…
Qielli dhe Toka –
Si Zoti dhe Shën Maria
(edhe unë,
kohë e pa kohë …-
me pëpëlitjet e qepallave të mia.
Herë,
duke u prushëzuar
brenda tokës sime – Shën Mari,
herë,
me sytë nga Qielli,
te Zoti ynë…(!).
… Ç’mund të bëj,
më shumë… ?
Iliriana – Tani dhe Përgjithmonë,
Brooklun, NY, 3 korrik, 2018