Hajduti i pallatit / Tregim nga Sabina Darova

Hajduti i pallatit
 
 
Tregim nga Sabina Darova
 
Qyteti im, një qytet i vogël me 10 000 banorë, njihej dikur si qyteti më i sigurtë i vendit përsa i përket kriminalitetit. Qytet ku fjala çelës përdorej rallë dhe vihej në përdorim gjatë stinës verore për 15-ditëshin e plazhit, apo kur bujtej per një darkë jashtë tij.
 
Banorët krenoheshin e rrihnin gjoksin përpara kryeqytetasve ( jetonim puthuajse në sqetull të tij), si njerëz të ndershëm, të pastër në ndërgjegje dhe aspak ziliqarë për të mirat që gëzonin bashkëqytetarët.
 
Me një fjalë, të hyje diku pa leje e të rrëmbeje diçka, ishte e pakonceptueshme.
 
Kjo gjendje e qetë, pothuajse e lumtur, ku në të cilën edhe miza mendohej të spostohej apo jo, u ndërpre nga një ngjarje e papritur. Më kujtohet aty nga viti 77-78, kur ndiqja klasën e katërt fillore. Ndoshta në kapërcim të fundit të vitit shkollor e fillimit të klasës së pestë, kur ndoqa bisedën e tim eti me komshiun e katit të parë, tek bisedonin me zë të ulët e merakosur. Veshi më kap një fjalë të çuditëshme,
 
” Hajdut”!
 
Ç’të ishte vallë? Këtë mbiemër e njihja vetëm nëpërmjet përrallave, ndërsa në fjalorin e përditshëm, as që bëhej fjalë. Kërkoj ta memorizoj e intriguar nga kureshtja. Sapo e shoh tek shfaqet në derë, që sigurisht hyn pa trokitur, e pyes se përse po zinin në gojë fjalën hajdut dhe me zë të ulët ?
 
“Shshhht, ule zërin “, bërtet ai.
 
” Na ka gjetur belaja”, vazhdon. ” Që sot e tutje, i duhet vendosur kyçi derës. Është kthyer Bakiu.
 
” Cili Baki?”
 
” Bakiu, djali i Memes, hajduti i pulave; Ai maskarai që ka qënë në burg për pesë vjet. Paska dalë dje.
 
Zgurdulloj sytë mosbesuese dhe e trembur njëkohësisht. Hyrja e Memes ndodhej dy hapa larg përballë hyrjes tonë. Ajo ishte një grua e bëshme e fytyrë rrumbullakët, që për sa e mbaja mënt jetonte vetëm e punonte në ndërtim. Ndërtonte pallate. Rrugës për në shkollë, e shihja tek tërhiqte këmbët zvarrë nga pesha e thesit me çimento që mbante mbi kurriz. Gryka e betonierës e priste e eksituar rrëzimin e pluhurit, tek rrëshqiste drejt saj, direkt e nga supi i punëtores.. Mbante një fund gri me pala të gjëra dhe të gjatë, sipër pantallonave prej doku të po asaj ngjyre, bluzë të zezë dhe flokët e lidhura e të fshehura poshtë një nape të bardhë. Nuk fliste me askënd përveç se përshëndetjeve rutinë të ditës. Ne, çupërlinat e pallatit talleshim, se nga tiparet dukej më shumë burrë, se grua. Tani zbuloj që paskësh edhe një djalë. E çfarë djali! Një hajdut! Po cili është babai? Nga dera e saj nuk kam parë kurrë të hyjë apo të dalë një mashkull…
 
” Cilat pula, këtu në lagje nuk kemi pula”?- pyes me rrëmbim.
 
” pulat që gjen ndër lagjet e tjera e nëpër fshatra”, vazhdon im atë.
 
” Ka qënë tmerri i gjithë qytetit.
 
” Po pulat janë të mbyllura në pulari”, insistoj. Si i vjedh ai? Ç’bën roja?
 
” Moj ti”, ngre zërin im atë. ” I vidhte vite më parë, para se te bëhej kolektivizimi i shpendëve shtëpiakë. Ka pesë vjet i biri i botës brënda. Dikur ishte pak më ndryshe se tani, që na ka marrë lumi e përpirë fukarallëku. Tashmë, edhe po të ketë pula, ngordhin se nuk kanë ç’të hanë. Aaa, po të hahej guri, do kishin pëlcitur nga majmëria, sepse ky vend veç gurët i prodhon me shumicë. Edhe barot. Gurë e barot. Sepse vetëm kështu, Shqipëria hedh valle në gojë të ujkut ! Po nejse, se boll u zgjatëm. Rëndësi ka që na është kthyer hajduti si në pallat ashtu edhe në qytet. Mbaroi qetësia. Këtë radhë, në vend të pulave ka për të na vjedhur lekët. Akoma dhe më keq.”
 
” Cilat lekë? Ti veç ankohesh që s’ke. Jam pa dy groshë në xhep.”
 
” Akoma tre ditë nga data gjashtë, për të marrë rrogën e pesëmbëdhjetëditëshit “- e qesëndis duke provuar të imitoj zërin e tij.
 
“Harrove si më përgjigjesh kur të kërkoj lekë për akullore?”
 
” Hap sytë e mbyll derën kur të dalësh jashtë”.
 
Urdhëron me ton të prerë e më shikon vëngërt.
 
” Fëmi mistrec”!
 
Shtyn derën dhe ridel duke më lënë vetëm.
 
E çuditur, por edhe e frikësuar nga mesazhet frikëdhënëse të tim eti, kujtohem që në shtëpi kemi vetëm një çelës dhe atë zakonisht e mban po ai.
 
Po tani? Duhej të rrija mbyllur e të mos dilja në oborr për të luajtur me shoqet ?
 
Ndërsa bluaja në mëndje këto arësyetime, dëgjoj zhurmën e bravës së portës përballë. Afrohem vrik tek vrima e derës dhe vendos syrin për të vëzhguar. Jam kurioze sa më s’ka, për të zbuluar se cili është Bakiu, hajduti që sapo ka dalë nga burgu.
 
Do jetë i gjatë , muskuloz, me mjekërr e flokë të gjatë?
 
Nuk gabohem. Është ai, dora vetë, por gjendem përpara një zhgënjimi të vërtetë.
 
Ai, nuk është veçse një djalë më se i zakonshëm: trup mesatar, i dobët, qeros dhe me dy veshë shumë të mëdhenj.
 
Ooooh, i them vetes, ky na qënka i tmerrshmi, Bakiu hajdut pallaveshi ?
 
Më shkrep një e qeshur, ndërsa e përfytyroj në aksion për të vjedhur vezë, në furrik të pulave e më pas ndërsa kapërcen gardhin, tek i mban të fshehura brënda veshëve.
 
Kukurisem duke harruar që zërin e kam si pipëz e mund ta dëgjojnë dhe komshinjtë e katit të tretë. Me syrin tek vrima e derës shoh që afrohet. Më kap tmerri dhe ndjej leqet e këmbëve të dridhen. Zemra fillon të më rrahi me tërbim. Ndjej lëkurën të ftohet e lëshohem e këputur mbi dysheme. Mbi derë dëgjoj tok tok. Mundohem të mbaj frymën. Vendos të mos përgjigjem. Nuk kam zgjidhje tjetër. Provoj të shtirem sikur zhurma ka ardhur rastesisht nga ndonje objekt guzhine.
 
Bakiu riprovon të trokasë. E tmerruar ndjehem e pafuqishme të spostohem nga dyshemeja. Po sikur të hapi derën që nuk është e kyçur?
 
Gozhduar, imagjinoj dorën e tij mbi bravë tek e përkul. Shikoj hapat që kërrcasin brënda në korridor tek qaset. Një ish i burgosur përballë një fëmije që guxon t’i qeshë prapa derës.
 
“Do më vrasë”, belbëzoj.
 
Djersët e ftohta bulëzojnë mbi buzë dhe përpiqem t’i kapërdij në heshtje. Nuk pipëtin asgjë. Mbas disa sekondash dëgjoj të përplaset një derë. Perceptoj që është larguar dhe rifilloj të marr ngjyrë. Vendos të mos ja tregoj tim eti. Vendos po ashtu të mos nxjerr as edhe një kënd hunde jashtë shtëpisë edhe pse zhurma e topit ma miklon dëshirën.
 
Gjatë darkës, përpiqem ta fsheh tronditjen, ulur mbi divanin e aneksit me një libër në dorë.
 
E nesërmja zbret me shi e vetëtima dhe i kërkoj tim eti ta shoqëroj në punë. Kam dëshirë të ndjek provat e estradës që po përgatit në shtëpinë e kulturës. Një arësye për të mos qëndruar e vetme në shtëpi.
 
Ndërsa tërheqim derën dhe çelësi rrotullohet dy herë mbi bravë, na mbin përpara shkallës Bakiu. M’i ngul sytë me kërcënim dhe i drejtohet tim eti :
 
” Sa të qënka rritur vajza! E mbaja ment një pëllëmbë. ”
 
Kuptoj që episodi i të djeshmes nuk kishte kaluar pa u përtypur.
 
E tmerruar i mbërthej krahun tim eti. Ky, i buzëqesh përzemërsisht dhe i rreh shpatullat:
 
” Me ment në kokë tani. Të shkuara e të harruara. Shyqyr për nënën që të sheh si drita e syrit”.
 
Bakiu si i zënë në faj, belbëzon një po të zbehtë dhe largohet.
 
Në sallën e provave, lajmi i daljes nga burgu i hajdutit të pallatit tonë, diskutohej me patos. Askush se ka mëndjen të ndjeki provat. Kush ka shtëpi private, shpreh preokupimin për të qënë viktima kryesore nga grabitjet gjatë natës.
 
“Lum ti”, i thonë tim eti.
 
” Pse?” – pyet i habitur.
 
I shpjegojnë plot bindje, që hajduti nuk vjedh kurrë banorët që ka përqark. Madje, i respekton si të jenë familja e tij. Është si ato nenet e kanunit të pashkruar, por që trasmetohet nga brezi në brez. Shkurt, nga hajduti në hajdut, për këtë rast.
 
Të çliruar disi, kthehemi në shtëpi. Çdo e keqe e ka një të mirë. Pallati ynë do vazhdojë jetën e mëparëshme. Rreziku ngelej për jashtë perimetrit të tij.
 
Por, kishim qënë të gabuar. Kthimi i Bakiut nga burgu u pasurua me një eveniment krejt të pazakontë apo surreal për jetën tonë qytetare të asaj kohe.
 
Nuk kaluan pak ditë, kur zërat e pallatit gumëzhitën nga një e papritur që tronditi të madh e të vogël.
 
Bakiu na qënkesh martuar. Më saktë, paskësh rrëmbyer një grua.
 
E kishte grabitur gjatë ditës, ndërsa i shoqi punonte si tornitor në fabrikë. Dhe jo vetëm kaq. Guximi i Bakiut kishte kapërcyer shtatë male, shtatë fusha e shtatë kodra. Së bashku me gruan, paska tërhequr dhe vajzën e saj të vogël tre vjeçare.
 
” Kësaj radhe qënka ndërruar strategjia”, ironizon im atë.
 
“Në vend të pulave, na rrëmben femra. Paska bërë stërvitje me cilësi në burg.
 
Na shpëtuan lekët gjithësesi”, dhe nënqesh nën buzë.
 
Bakiu, nga hajdut ordiner, shndërrohet në hero të ditës përpara të rinjve që nuk guxonin t’i shprehnin dashurinë vajzave. Po ashtu dhe për vajzat, që filluan të ëndërrojnë krahët e djemve tek i ngrinin nga gjumi dhe të gjenin veten mbi krevatin e princit me sy bojëqielli.
 
Ndërsa të rriturit, gumëzhinin si mizat mbi mishin e ndenjur, tërhequr nga era e sensancioneve të papërshkruara a të harruara që po provonin ato çaste. Çuçurisnin me të gjitha shqisat e gjymtyrët. Por, nuk harruan të përkujdeseshin për ne fëmijët, që të mos dëgjonim këto lajme të shthurrura që mund të na infektonin pafajësinë e fëmijërisë, si dhe moralin e pastër që karakterizonte familjen socialiste.
 
” Shko, ik e mbyllu në dhomë ti! Nuk janë “muhabete” për fëmijë këto” .
 
Urdhra që veshi t’i kapte nga njëra dritare në tjetrën.
 
Por a mbulohej dielli me shoshë?
 
Pavlina, kështu quhej bukuroshja, gruaja e re e Bakiut, u shfaq në derën e hyrjes së Memes, më e bukur se kurrë. Bionde e flokëshkurtër, sy bojëqielli e përshkruar me laps të zi që përfundonte me një bisht që zgjatej deri tek tëmthat, si bisht dallëndyshe. Buzëmishtore e ngjyer me një të kuq gjak, buzagaz, na zbardh dhëmbët e bardhë si të ketë jetuar prej vitesh me ne. Fut dorën në xhepin e fundit të shkurtër deri mbi gjunjë dhe nxjerr një cigare. Pasi e vendos mbi buzë, i drejtohet njërit prej komshinjve të katit. Kërkon një çakmak apo shkrepse. Gruaja e tij zgurdullon sytë dhe tërheq prej mënge të shoqin. Pavlina hap flegrat e hundës ndërsa thith cigaren e mbështet bishtin e fshesës mbi gjunjë, gati për të pastruar shkallët e pallatit.
 
” Memja më tha që duhet të pastroj shkallën”, flet me një zë të ëmbël që dukej sikur vinte nga përrallat.
 
” Kemi radhën ” .
 
E merr të zbresë shkallët, duke spostuas pluhurin nga njëri kat në tjetrin. Komshinjtë e katit të mëposhtëm, kërkojnë të zbulojnë bukuritë që fshihen poshtë fundit të gruas së re.
 
Gratë të alarmuara gjenden të trembura e të paarmatosura përpara kësaj skene të paimagjinuar. Hajde e mbaji burrat! Urdhërojnë mos përshëndetjen dhe injororimin e pranisë së saj.
 
Për disa ditë, sytë përgjues ndjekin hyrjet e daljet e shpeshta të çiftit të lumtur. Qyteti gjallërohet e ngjan me një hoje bletësh ku në vend të mjaltit prodhohen thashëetheme pa fund.
 
Shtëpitë ulin dhe ngrejnë për menú nga tavolina, dy personazhet që zgjuan nga gjumi letargjik qytetin më të ndershëm të vendit:
 
“Si ishte veshur Pavlina sot? E patë si e shikonin burrat? Çfarë fati hajduti! Po me çfarë do t’a mbajë? Prisni kur të rifillojë vjedhjet prapë. Kini kujdes dyert e dritaret, mbyllini mirë. Lëshoni qentë. Po si është ajo? Kushedi se nga e ka gjetur. Po sa e bukur që është! Kushedi në krevat..? Lum hajduti..!”
 
Ngjarja mori dhenë. Pallati ynë u vërshua nga njerëz të panjohur, kuriozë të ndiqnin lëvizjet e çiftit. Filluam të ndjeheshim të rëndësishëm dhe ne, bashkëbanorët e saj. Grate filluan të krijojnë e të tregojnë episode të paqëna. Madje, u zhvillua edhe nje farë gare se cila do bëhej më mike me Pavlinën. Ndiqnin me kujdes kursin e trukimit drejtuar prej saj dhe burrat çuditeshin e argëtoheshin natën me gratë që zbukuroheshin nga dita në ditë.
 
Bakiu ndjehej burri më i lumtur i botës. Madje, nuk i besohej as atij vetë për mrekullinë që kishte shkaktuar ndaj popullit. Rifilloi të lëvizte dhe vetëm. Madje, kishte ditë që nuk ja shihje gjurmën, por ç’rëndësi ka ? Mungesa mbulohej nga gëlimi i thashethemeve që nxirrte tym pranë çdo oxhaku të qytetit.
 
Pavlina e bukur ngopte urinë me xhestet e saja aq të panjohura dhe aq ndjellëse për njerëzit e thjeshtë të qytetit, në të cilin nuk ndodhte asgjë prej vitesh.
 
Por si të gjitha trasgresionet, edhe kjo histori do kishte një fund.
 
Nuk kaluan dy muaj, kur xhipsi jeshil i Sigurimit të Shtetit u ndal përpara hyrjes së pallatit në orën pesë të mëngjesit. Katër burra të veshur me veshje blu trokitën me forcë mbi derën e Memes.
 
” Baki, Hape derën! Në emër të popullit je i arrestuar! “
 
Zëri i tyre oshëtiu e gati sa nuk thërmoi xhamat e dritareve.
 
Të gjithë e kuptuam se heroi ynë do kishte vjedhur diku. Veshët dhe sytë u vendosën si me komandë tek vrima e çelësit.
 
Derën e hapi Pavlina e bukur në këmishë të natës.
 
Gjatë ditës, dikush tregoi që ishte bojëqielli dhe e tejdukshme nga ku dalloheshin të gjitha hiret femërore. Policët ngelën të shastisur përpara bukurisë së saj. Gjuha ju lidh dhe harruan misionin për ç’ka qenë nisur. Ndërkohë, mbi tokë u dëgjua një ah e një zhurmë sikur të kishte qënë një thes i ngarkuar rëndë që binte nga qielli. Ishte Bakiu. Policët fërkojnë sytë dhe kuptojnë kurthin. Dy nga ata, zbresin me vrap për të ndjekur Bakiun që kishte këmbët e lepurit. Ndersa dy të tjerët ngrejnë zërin të frikësuar e turpëruar nga ç’po ndodhte. I hakërrehen me forcë Pavlinës”:
 
” Lavire e keqe, kurvë, rrugaçe, ta tregojmë ne ty tani. Në birucë e ke vëndin!”
 
I vendosin prangat dhe e tërheqin zvarrë drejt xhipsit.
 
Pallati u tkurr. Hija e frikës i hodhi sipër kurrizit, gunën e dimrit. Askush nuk guxoi të nxirrte zë. E kujt ja mbante?
 
Gratë, të shquara për kujdesje, pa e fshehur pikëllimin, rifutën edhe një herë nëpër sirtarë për t’i harruar përgjithmonë, buzëkuqet dhe pasqyrat…
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s