Rrezëarta Samiu: POETESHA E KAMBANAVE TË LIRISË SE ATDHEUT / Nga: Rami KAMBERI


Rrezëarta Samiu: POETESHA E KAMBANAVE TË LIRISË SE ATDHEUT

“Mes gjembave të jetës më lindi nëna 
Si nuse e plisave veshur me dashuri
Kur mes territ rrugën jetë e hapi hëna
Për dasmorët e dasmës në Dardani

Para flamurtarit ecja me sytë e lirisë 
Si fustanella e lokes me varre krenarie
Me gërshetat all fushës së burrërisë
Si nuse e harruar nëpër kufij Dardanie

T’i them motit nëpër pellgje të gjakut
Se jam unë nusja e dashnorja e lirisë
Me nur jete e pagëzuar prej babaplakut
Rreze e ardhmëri dritë e Shqipërisë”

Po që se lexohen këto vargje me gjuhën e shpirtit, po shpirtit që vetë Zoti e lind shqiptarë atëherë lirshëm mund të themi se edhe poetesha Rrezëarta Samiu, është një penë guximtare që për ardhmërinë e saj dhe të botës shqiptare e sheh ashtu siç e shikonin rilindësit më të mëdhenj të kohës, që e rikthyen shqiptarinë nga hiri i harresës në kala qëndrese, për t’u bërë ballë stuhive që na e hutonin motin e na e pinin bardhësinë e plisit duke na rreshtuar drejtë harresës, që sot të ishim një gjeografi pa emër e një komb pa identitet ose më mirë thënë një hiç para fitoreve ndër fushëbeteja, që për gjuhë e atdhe ndër shekuj e mileniume e dhamë edhe pikën e fundit të gjakut, dijes urtësisë, që qiellit dhe perëndisë t’i buzëqeshim shqip bashke me truallin, që na pagëzon shqiptar:

“Se di pse e pikturova kulmin e lavdisë
Mbi plisin e babait që ende ruan bardhësi
Sikur ditën kur binin kambanat e lirisë
Mbi tokë Kosove e mbi tokën Shqipëri

Sikur të isha ajo që i printe dasmës liri
Uniformë e ushtrisë me ngjyrat e atdheut
Që marshon me krenari nëpër Shqipëri
Sikur të isha motra e dytë e Skënderbeut”

Si mund të kuptohen ndryshe këto vargje të poetes Rrezëarta Samiut, që qëndrojnë shtatore lavdie në poezinë “Sikur të isha”. Poezi, që dëshmon se për poeteshën atdheu dhe liria janë kulm i lavdisë, mu ashtu siç e pikturon pamjen e atdheut dhe, kur mbi ne jehonin gjithandej kambanat e lirisë, kambanat e thirrjes për të qenë të zotët e tokës që na e fali Perëndia.
Poetesha Rrezëarta Samiu nuk ndalon me kaq, ajo prek çdo pëllëmbë të atdheut, çdo plagë shqiptare, që edhe sot e kësaj ditë pikon gjak, mbi bardhësinë shqiptare.
Krenare me bëmat e atdhetarëve dhe, si bijë e një atdhetari të kalitur, që sot I flet si shtatore lirie, shihet qartë se poetesha nuk di të dorëzohet para sfidave dhe para kufijve, që atdheun ja kanë prangosur me kufij.
Po, këtë na e dëshmojnë edhe vargjet e poezisë “Unë nuk dorëzohem”, që thua se janë edhe si një vazhdimësi amaneti:

“Ju dukesha sikur nëpër ecje do rrëzohem
Pse hapat janë të njomë e mund të gjakosem
Jo u thashë kurrë e kurrë nuk dorëzohem
Jam qiri i ndezur që në jetën kurrë nuk sosem

Do të ndriçoj sikur yjet që i shikoni qiellit
Me poezi e piktura gjithandej tokës
Po sikur rrezet që nuk i sosen kurrë diellit
Pasha besën atdhe pasha sytë e kokës”

Një ecje drejtë lirisë dhe bashkimit, për t’i thënë amanetit të dëshmorëve, tani pushoni në liri e në Shqipërinë e bashkuar e, të kuptojnë se fjalën më e ka dashuria.
Po, liri e dashuri, nuk di nëse ka fjalë më të bukura apo të them në kuptimin e syrit kritik, figura me të bukura, që mund të qëndrojnë si flamur përballë stuhive siç qëndrojnë këto dy simbolika, që janë edhe gjuha e poeteshës dhe piktores së talentuar Rrezëarta Samiu, e cila me librin e saj të parë “Liri e dashuri”, i trazon muzat poetike gjithandej atdheut, duke lartësuar në shtatore kujtese, për bëmat e atdhetarëve, që truallit shqiptarë i dhanë jetë e dashuri, për të ecur drejtë sfidave të reja deri te amaneti i mbetur në valëvitje të flamurit, që duket si thirrje, që të mos mbetemi jermi e gjumit ndër shekuj.
Kështu që, po të lexohet libri i poetes Rrezëarta Samiut me sytë e dashurisë dhe më shumë se të dashurisë, me sytë e atdheut, do të kuptojmë se poetesha

brenda librit, jetëson:

• qëndresë,
• guxim, 
• dashuri, 
• më shumë se dashuri,
• krenari, dhe
• mbi të gjitha fisnikëri shqiptare.

Thua se është një zë i brendshëm i atdheut, që shpërthen si vullkan, për të nxjerr llavën e guximit, mu si guximtarët që e rikthyen krenarinë shqiptare për t’i thënë armikut: ndal, se në këtë tokë shqiptarë zotërojmë ne.
Dhe, nga poezia në poezi, që poetesha me një mjeshtri të dhuntisë e intuitës i ka ndarë ne tre cikle:

• Nëpër tokën e atdheut,
• Unë dhe koha,
• Damarëve të gjakut

Cikle, që të udhëzojnë për të kuptuar se poetesha Rrezëarta Samiu, me librin e saj “Liri e dashuri”, është munduar që lexuesin ta orientoj:
Si duket sot atdheu,
N’çkohë jetojmë, dhe
Si ti lexojmë e t’i njohim damarët e gjakut tonë, që na lidhin me gjuhën dhe atdheun.
Pra, sipas poetes, njeriu shqiptarë duhet të kuptoj se si duket atdheu, të njihet më të, koherencën dhe, t’i kuptoj e t’i lexojë ballët e krenarisë kombëtare siç janë:

• Heronjtë e Kombit,
• Dëshmorët e Kombit,

Ose të kuptojmë se pse qëndrojnë apo më mirë thënë i pagëzojmë qytete me nam e kujtesë kombëtare, si:

• Prizrenin,
• Vlorën,
• Shkupin,
• Tetovën etj.

Më tej, poetesha na tregon se si duket sot moti mbi tokën shqiptare, siç na e pikturon në ciklin “Unë dhe koha”, për t’i dëshmuar ardhmërisë se si dukej koha kur poetesha e jetonte jetën sa me ankthin e së keqes po aq edhe me guximin e shpresën, për ta pagëzuar kohën:

• liri, 
• bashkim,
• Atdhe.

Kështu që, sikur detyrohemi që ta rilexojmë nga e para, arsyen se pse kjo poeteshë kaq e re, e shkroi një libër, që po të lexohet e rilexohet, duket sikur një shtatore guximi, mu si ata, për të cilët poetesha Rrezëarta Samiu thotë, se: po të mos ishit ju, unë nuk kisha as liri e as dashuri.
Po, ngase poetesha, që në fillim na orienton, si:
“Jam e lumtur që jetoj dhe e dua jetën, jo për të qenë e gjallë, por, për të vazhduar rrugën e babait tim, që atdheut i dha atë që e pat jetën. E, unë si bija e tij, mes pikturës dhe poezisë dhe profesionit të mjekësisë, që e kam zgjedhur si profesion, dua të jem si ai, një heroinë për atdheun.
S’di nëse nesër emri im do të duket si: piktore apo poete ose si një mjeke, por e di se për kombin tim do të jap çdo gjë nga vetja, që një ditë t’i buzëqeshë fytyra nëpër rrugët e lumtura të ardhmërisë.
Dashtë Zoti më bekon me jetë, shëndet e fisnikëri, që nesër lirshëm t’i them babait tim mbi gurë të varrit: baba, amaneti yt u shndërrua në liri, bija jote sot është më shumë se pushka jote dje, më shumë se trualli për të cilin derdhe gjak, është flamur krenarie tej asaj që ti më thoshe se quhet Shqipëri.
Ndaj, në shenjë mirënjohjeje po ta lë suksesin tim, si ti që ma le flamurin dhe plisin. Jam krenare që të pata baba, por krenohu që jam bija jote, dhe dije se gjaku yt nuk shkoi s’koti, por u bë mundësi, që unë të jem kjo që jam sot.”
Dhe, në vend të fundit të fjalës sime, për librin dhe poeteshën Rrezëarta Samiu, do të mjaftonin vetëm vargjet e poeteshës të poezisë “Unë për Rrezëartën”, që të kuptojmë se vërtetë poetesh, jo vetëm që është penë me një dhunti të veçantë por edhe një shpirt vegim për atdheun, që liri e dashuri të jenë brenda shqiptarisë:

“Thjesht jam një portret që merr frymë lirie
Si shtatoret e dëshmorëve kur i shoh mbi dhe
E çelur si lule në lulishten ngjyrë dashurie
Një shqiptare e njomë që po rritet nëpër atdhe”

Besoj, se këto vargje, janë më të fuqishme, se sa një e shkruar, apo një mendim, për poeteshën Rrezëarta Samiun dhe librin “Liri e dashuri.

 

 Nga:  Rami KAMBERI

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s