Poezi nga Lida Lazaj
ËSHTË ORA, TANI
Orë e orë e orë
orë lëkundjesh
krisjesh të qënies
shembjesh të së përkohshmes
nën habinë tonë foshnjore mijravjeçare.
Stuhi lotësh në sytë tanë
flatra engjëjsh
baltë, zi, gjak e dhimbje
nëpër këmbët tona
skalionet e minjve.
Orët si ndal
as penduli i sahatëve
as lutjet tona nën flakën e qirinjve.
Orët do të shkojnë aty për ku janë nisur
që në agullimin e nisjes.
Tani është ora t’i themi një zemre të grisur
“M’a jep gjysmën tënde, të jap gjysmën time”
NJË ETNË DREMIT
Gisht kilometrik
i borigës së tharë m’u pështoll si shall,
përballë një zoologji e egër m’u fanit.
Shtrat i tharë i lumit
vizaton një maçok larushan,
maja e veshit të tij të majtë
puthet me një alien,
teksa veshi i djathë lëshon piskama,
klith
klith
klith.
Prej peshës së qiellit të zbërdhulët
pa yje pa shenja,
shpina e dhelprës harkohet,
i shumëfishohen gjymtyrët
mandej mbetet pa to
e zvarritet si kobra.
Gjysma e gjakut të pishave të masakruara
konvertohen me kartmonedha,
gjysma tjetër mbufat venat.
Njëra dorë miklon një ëndërr amerikane,
tjetra një pishëz të njomë ujit.
Një Etnë dremit….
PALËVIZSHMERI
Ky qiell dhjetori
i njëjti si qielli i dhjetorit të një viti më parë.
Ndoshta ka më shumë autostrada avionesh
ndoshta më tepër varreza fjalësh,
që në zemra e në koka njerezish,
mbushur me flakë e tym
nuk gjejnë vend
Nën këtë qiell dhjetori
i ngjashëm me qiejt e dhjetorëve
që ikin pas njeri tjetrit me rregull e rend
tek tuk, rrallë e më rrallë
pluskon gjësend.




























Leave a Reply