Kalendari poetik : Anna Ahmatova (23 qershor 1889-5 mars 1966) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

 
Anna Ahmatova
 
Kalendari poetik : Anna Ahmatova (23 qershor 1889-5 mars 1966)
 
 
Dy fjalë për poeten Anna Ahmatova
 
U bënë disa vite që merrem kryesisht me shqipërime poezish. Jo vetëm për kureshtje, por edhe për t’i ndarë nëpër kartela poezitë, bëj një kërkim në internet për të dhënat e poetëve të ndryshëm me të cilët merrem. Kjo më bën të ndjehem me pranë shpirtërisht me ta. Por rrallë më ka qëlluar të prekem aq fort nga jetëshkrimi i tyre se sa kur gjeta rastësisht një studim nga Elena Dundovich (profesoreshë ne universitetin e Pizës, Itali). Në wikipedia gjen datën dhe vendin e lindjes – 23 qershor 1889 Odessa (Ukrainë); datën e vdekjes – 5 mars 1966 Domodjedovo (Rusi); emrat e bashkëshortëve të saj; i pari poeti Nikollaj Gumiljov, i dyti poeti dhe asirologu Vladimir Shiljejko dhe i treti studiuesi Nikollaj Punin. Gjen që ka patur edhe një djalë, Lev Nikollajeviç Gumiljov me burrin e parë, Nikollaj Gumiljov. Kaq, sa për të ditur aq sa duhet. Shkurt, dy fjalë.
Por biografia e shkruar nga studiuesja Elena Dundovich është e plotë, shterruese, është njëkohësisht edhe njohje me jetën e trazuar të poetes, veprat dhe dashuritë e saj por është edhe një analizë e paanshme, e pamëshirshme për një epokë të tërë, e cila fillon qysh para revolucionit bolshevik të ’17, vazhdon me entuziazmin dhe krimet e epokës leniniste, vazhdon me makabritetin stalinist e më tej.
Anna Ahmatova është emri i përdorur në letërsi i Anna Gorenko-s. Vetë Anna nuk pati përvoja me gulagët famëkeqë. Por i ndjeu nga fare afër. Ish-bashkëshortin e saj e pushkatuan në vitin 1921. Djalin që pati me të, Lev Gumiljov, e arrestuan dy herë; herën e parë në vitin 1938 (e liruan në vitin 1942 për ta nisur në front, prej nga u kthye me madalje trimërie), herën e dytë qe në vitin 1949. Po atë vit arrestuan edhe bashkëshortin e tretë të saj, Nikollaj Punin. Në vitin 1950 Anna qe e tmerruar mos i pushkatonin edhe të birin; me këshillën e miqve të saj shkroi 15 lirika kushtuar Stalinit, gjë që i shpëtoi jetën të birit që e dënuan “vetëm 10 vjet” (!). I biri u lirua tre vite pas vdekjes së gjaksorit Stalin me amnistitë që bëri Hrushovi pas vitit 1956. Në vitin 1932 qe themeluar “Bashkimi i shkrimtarëve”, në kongresin I të tij, në vitin 1934 në Moskë, u konsakrua famëkeqi “realizëm socialist”, gjë që solli largimin nga vendi të shumë artistëve dhe shkrimtarëve ose burgosjen e tyre, njëri prej miqve të afërt të Anna Gorenkos, i famshmi Osip Mandelshtam do të vdiste në barakën e të sëmurëve në njërin prej gulagëve të shumtë. Në vitin 1946 u dënuan nga Komiteti Qendror i Partisë dy revista që patën botuar poezi të saj. Shefi i bashkimit të shkrimtarëve, famëkeqi Zhdanov, i hoqi të drejtën e botimit duke e akuzuar për properëndimore etj. Rifitoi të drejtën e botimit në vitin 1955, në sajë edhe të ndërhyrjes së aktorit të njohur Bondarçuk. Në vitet e saj më të mundimshme pati përkrahjen e miqve të saj artistë, kur vuante edhe për bukën e gojës, Boris Pasternak i gjente mundësi fitimi nëpërmjet përkthimeve; në sajë edhe të ndihmës së miqve, Anna nuk u përkul kurrë, veç të birit, që ishte e detyruar ta takonte në burg, shkonte edhe për të takuar të tjerë miq të saj, deri në Siberi madjé ka qënë për të takuar Osip Mandelshtamin. Gjithsesi, mjafton një kërkim në internet dhe njeriu i mëson edhe hollësitë e tjera të jetës së saj.
Pati edhe në Shqipëri artistë që vuajtën gjatë regjimit kriminal hoxhist. I kam njohur vetë nëpër burgje dhe kampe. Por nuk kam dëgjuar për bondarçukë dhe pasternakë shqiptarë që t’i kenë ndihmuar. Përkundrazi, një skulptor firmoste varjen e një poeti. D. Agolli dhe I. Kadare bënë sikur nuk dëgjonin kur nënat poetëve të arrestuar u luteshin për ndihmë. Dhe sot tek ne mbahen ende për njerëz të nderuar. Të talentuar edhe mund të jenë, të nderuar jo.
 
 
VDEKJES (К смерти)
 
Dikur do të vish, pse s’vjen menjëherë?
U lodha duke të pritur.
Ja, e fika dritën dhe ta hapa derën
Që të hysh shpejt, pa trokitur.
 
Merr në daç pamjen që dëshiron më shumë,
Fluturim si fishek me helm,
Ose fshehtas, si vjedhës, pa bërë zhurmë,
A si tifo, në të pëlqen.
 
Ose sajoje pas qefit një përrallë
Që kushdo e ka dëgjuar,
Sikur qe një me kapele blu në shkallë
Një që e pa, u tmerrua.
 
Unë njësoj e kam. Uturin Jenisej,
Ja, Ylli Polar vezullon.
Sytë e kaltër nga dashuria shkëlqejnë
Dhe tmerri i fundit kalon.
 
© shqipëroi nga rusishtja Maksim Rakipaj
 
 

Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s