Poezi nga Lumo Kolleshi

 
Poezi nga Lumo Kolleshi
 
 
Një mendje e keqe në kohë virusi
 
Makina ndaloi dhe zbrita me dëshirë
Ca kujtime të zgjoja nga vitet për vete,
Kur regjistrova vajzën për shkollë,
Në “Liceo scientifico Salvador Allende”.
 
Një mendje e keqe në këtë kohë virusi,
Nuk di pse më erdhi fare pa shkak.
Një dorë e padukshme më shtyu buzë një pusi,
Ca pluskime në ajër.Të pakta eritrocitet në gjak.
 
Të isha në ëndërr? Kohë dreke natyrisht
E dielli lëshonte rrezet më të nxehta.
Pashë vajzën që kokës i binte me gisht:
Babi,je në vete,te ish- shkolla ime ç’hyn Ilir Meta?
 
Për një moment u hap toka,më përpiu,
Qielli lart më mbante me çengel.
Eh,ku nuk e çon mendjen njeriziu,
Kur idhujve të rremë boja u del.
 
Në vend të Salvadorit kisha thënë Ilirin
Dhe,ku për dreq,këtu në Itali.
Kovid,o djall,na mbaj mendjen,pa qiririn
Fike kur të duash vetëm ti.
 
 
Djep i sherrit
 
Një djep i vjetër në një shtëpi
Tund një sherr në bjeshkë,po sherr të zi.
 
Koha vitet i ka bërë shekuj,
Ende ky djep me sherrin ndezur.
 
Thonë, i pari paska gdhendur
Përmbi djep një shpend të çmendur.
 
Sa kthen sqepin njëra kokë,
Qellon tjetra si për mort.
 
Sherri foshnjë mbi djep përkundet,
Si të gjejnë paqe shtatë katundet?
 
 
Kinema lëvizese:
 
Sot mos prisni filmin “I teti në bronx”,
Te porta e kinemasë së vjetër s’ke pse rri,
I vetmi filmi që shfaqet:”I shtati në flori”.
 
 
IKJE
 
E kam një dhimbje të fortë që më shpon ijet,
Një “oh!” po shkulet me rrënjë nga thellësitë.
Luleborës nuk dua t’ia tregoj valixhet.
Në çdo ikje marrin plagë dhe perënditë.
 
 
KETU-ATJE
(Mërgimi në mes)
 
Këtu shtëpia ime me qira,
Atje shtëpia ime me tapi,
Stegtimi tok me shpezët fat na dha,
Atdhe, s’na lumturon me varfëri.
 
Me ballkon shtëpia ime dhe këtu,
Me ballkon shtëpia ime dhe atje,
Grindshëm atje ulen zogjtë kuturu,
Paqësisht pëllumbat këtu dhe me nge.
 
Atje një mal i lartë hijerëndë
Përjetësisht i lan këmbët në lumë,
Çezmat s’di ç’kuçedër i ka zënë,
Veç syri lot atje mbledhka më shumë.
 
Këtu një fushë e gjerë e pamatë
E syri përgjerohet për një mal,
Uji nuk pushoka ditë e natë,
Për besë,s’po bëj aspak moral.
 
Të tjera e të tjera dhe të tjera
Do t’i sillja në një rresht të pambarim,
Prapë mendja futet vjedhur reve nëpër erëra,
Nuk ka gjumë një pjergull poshtë ballkonit tim.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s