Poezi nga Fejzi Murati

 
Poezi nga Fejzi Murati
 
 
LOJË YLBERËSH
 
Pranvera erdhi mes lulesh dhe shirash,
pranvera erdhi me diellin e dashurisë mbi ball,
mes shirave dhe rrezeve diellore,
lindën ylberët
mbushur me dritë,
ngarkuar me mall.
 
Ishin ylber dashurish
me shtatëqind ngjyra,
ishte dashuri ylberësh plot jetë e gëzim,
mes sfondit të ngjyrave dhe dritave
portreti yt pushtoi shpirtin tim.
 
I malluar nga malli i madh për ty
pjesë e ylberëve do të bëhem çdo ditë,
që ti t’më futesh si ëndërr pranvere në gji
që ti të bëhesh,
ylberi im në shpirt!
 
 
AROMAT E UNIVERSIT KE NË GJI!
 
Kush s’e njeh aromën tënde dashuri?
Aromë që ka brenda zjarr edhe magji!
 
Është aromë lendinash mbushur plot me ngjyra
Aroma e luleve kur qeshet natyra.
 
Aroma e tokës punuar pas shiut të vjeshtës
Aroma e mollës, tërfilit dhe pjeshkës.
 
Aroma e barit, kositur në fund livadhi
Aroma e ftonjve të pjekur, ngjyrë ari.
 
Aroma e gjinjve të vajzës në pubërtitet
Aroma e natës së parë e çiftit në martesë.
 
Aroma e gushës së fëmijës me thithkën në gojë
Aroma e nënës kur e mban në prehër ta mëkojë.
 
Aroma e pranverës me ngjyrat e ylberit
Aroma e trandafilave nën vesën e mëngjesit.
 
Aroma e myshkut në sëndukët e gjysheve të mira
Aroma e ëndrrave rinore, të bardha, të dlira.
 
Gjithë aromat e universit ke në gji
E mira, e ëmbla, fisnikja DASHURI!
 
 
NË NJË PIKË LOTI SHKRIRË DY DSHURI
 
Një pikë vese u ndal mbi buzët e tua,
kur puthe trandafilat që të dhurova për ditëlindje
dhe t’i zbukuroi,
t’i prushëroi,
t’i lëngëzoi,
siç zbukuron dhe lulëzon dielli
perëndimin dhe lindjen.
 
Mbi faqe t’u vizatua një pikë lot,
një lot malli,
ngarkuar me zjarr,
i mbushur me dhimbje!
Brenda atij loti shkrirë dy dashuri;
dashuria jote,
dashuria ime!
 
 
NË SE JE NJERI
( frymëzuar nga një ese e Rudyard Kipling )
 
Nuk e di, a ke shkelur ndonjëherë:
Lëndinave mbi barin e njomë?
Po mbi filizat e luleve, a gjethet e rëna në vjeshtën e vonë?
Po mbi ugarin e ngrohtë e bimën e sapo mbirë?
Po mbi kallinjtë e grurit ende të pashirë?
Po mbi fjalën e dhënë një miku apo shoku?
Po mbi një fole rrëzuar nga pema, me vezë zogu?
Po mbi plagën e hapur e të mahisur të një zemre?
Po mbi dhimbjen e një motre a dashurinë e një nëne?
Po mbi lotin e pafajshëm derdhur nga sy fëmije?
Po mbi fjalën e dhënë a besë dashurije?
 
Në se ke ndjerë tronditje të zemrës në gji,
atëherë, po!
Ti je NJERI!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s