“NË KRYQIN E UDHËKRYQIT” POETIK TË ZYHDI DERVISHIT / Nga: Viktor BAKILLARI

 
 
“NË KRYQIN E UDHËKRYQIT” POETIK TË ZYHDI DERVISHIT
 
Kohët e fundit më ra në dorë vëllimi poetik “Në kryqin e udhëkryqit”.
Libri ka për autor profesorin e sociologjisë, Zyhdi DERVISHIN; redaktor shkrimtarin dhe poetin Pandeli Koçi; recensues poetët Kolec Traboini dhe Riza Braholli dhe është publikuar nga shtëpia botuese “EMAL”; Tiranë, 2019.
Kjo vepër poetike u kushtohet “Pedagogëve shpirt dhe mendjendritur që themeluan Universitetin e Tiranës”.
Ky vëllim poetik përbëhet nga shtatë cikle poetike, të cilët mbajnë këta tituj:
 
Tharm mallkimi (14 poezi);
Nektar i shprishur (10);
Verbimi i kalave (19);
Në kudhrën e vampirëve (9);
Edhe rrënimi ka dinjitet (20);
Vetëportrete me shkëmbinj e mjegull (28);
Kuja e mjaullimave (9),
 
Ciklet paraprihen nga poezia që ka shërbyer si titull.
Libri ka gjithsej 109 poezi në 167 faqe dhe është faqosur shumë bukur.
 
 
***
Pano Taçi (*1929-2012, dritë pastë!), poet interesant i letrave (sidomos erotike) shqiptare, fjalësin thjeshtligjërimor e të çlirët të të cilit e kanë mjelë-vjelë (nuk e di a e përmendin gjëkund!), një mbrëmje, teksa e gjej duke rrufitur kafe në kafenenë “Europa”, duke iu djegur dy gishtat e dorës së majtë teksa thithte duhan, ndërsa me të djathtën shkruante poezitë në copa letre, më thotë të mos e shqetësoja, sepse po bënte mbi një orë e nuk po i dilte vargu i fundit i një strofe…
Pas pak flaku stilolapsin mbi tryezë, tymosi serishmi një cigare dhe shfreu i mërzitur:
“ Pffsfsfs, nuk del, nuk do!”
Do t’ia tregoj Xhevos (Spahiut) pastaj, kur të vijë; atij t’ia dërgojë Baba Tomorri në çaçkë e ta ndreqim dhe, sakaq, fytyra e tij u përshkendrit, a thua sikur po ndizte cigaren në terr.
La copën e letrës mënjanë dhe nisëm muhabetin…
Atë mbrëmje e rrëmoj për ndonjë gjë interesante për Lasgush Poradecin, mikun e tij, të cilin e vlerësonte së tepërmi.
Midis të tjerash, më tregon:
“… Vijnë nja dy shqiptarë nga Maqedonia … Donin të takonin Lasgushin… Pyet andej e pyet këtej, ua tregojnë … Afrohen shqiptarët pranë tij …
Urdh(ër)oni, uluni! – u thotë Lasgushi.
Ata ulen dhe i thonë se ishin poetë dhe dëshironin të pinin kafe dhe të bisedonin për poezinë.
Kafe? – Po, jua jap unë – u thotë po(g)radecari…
Pra, … ju jeni poetë? – i pyet Lasgushi duke i parë me qesëndi.
Po! – përgjigjen të dy?
– Po mirë, mor djem, a ju ka shkuar ndonjëherë ndër mend vdekja?
Ata panë njëri-tjetrin në sy…
– Po mirë, mor djelma, a ju ka shkuar ndonjëherë në mendje të vrisni veten?
Ata zgurdulluan sytë.
– E pra (dhe ngriti zërin), nëse nuk jeni përballur me këto dy dukuri filozofike e poetike, hiqni dorë, se ndryshe do të vuajë shumë e gjora poezi në duart tuaja. Sakaq Xuxi (qeni i tij) iu hakërrye poetëve, por Poeti e qetësoi…
Ndërkohë, erdhën të tjerë në tryezë dhe ndërroi biseda…
Pra, sipas Lasgushit, poetin e ndjek si hije e parapëlqyer mes shumë temave edhe ajo e gjumit të madh.
 
***
Po ç’lidhja ka rrëfenja e Pano Taç-Gjinokastritit për Lasgushin me shkrimin tonë?
Çdo poet, në një mënyrë a në tjetrën, ka vetjakësi (individualitet), ka një dhimbkë të tijën dhe një përkufizim për profesionin e vet të vështirë.
Shumë poetë shkruajnë dhe u rekomandojnë të tjerëve: Shkruani sepse ….
Me Zyhdi Dervishin ndodh e kundërta: Ai u rekomandon poetëve: Mos shkruani nëse …
Në fund të fundit, ai ka një qasje tjetër ndaj poezisë, një krahëmarrje tjetër, sepse profesor Dervishi është filozof dhe sociolog dhe i njeh mirë ligjet e zhvillimit të shoqërisë dhe të mendimit njerëzor.
Ai mohon (Mos!) për … të pohuar.
Ç’do të thotë të jesh poet sipas Zyhdi Dervishit?
Besojmë se e kemi zbuluar. Është në f. 32-32 të vëllimit në fjalë, te poezia MOS!
 
Nëse në qenien tënde / nuk ke një oqean / lotësh të dallgëzuar / që godasin pa pushim / gjithë shkëmbinjtë / kryeneçë të veseve / mos shkruaj poezi!
Nëse në arteriet e tua / nuk rrjedhin gjithë lumenjtë / e gjakut që kanë derdhur / popujt për liri / mos shkruaj poezi!
Nëse nuk ke fantazi të çartur / për të përkulur majat / e maleve më të lartë / përpara ëndrrave të vrara / të fëmijëve fatkeqë / mos shkruaj poezi!
Nëse nuk vetësakrifikohesh / për një foton dritë / qe shumëfishon çdo mirësi / mos shkruaj poezi!
Nëse nuk di të çaktivizosh / helmin e gjithë dilemave / dhe nuk ke kyçe / për të hapur çdo zemër / mos shkruaj poezi!
 
***
Poezia e Zyhdi Dervishit nuk është imitative. Ka karakteristikat e veta, ka për arenë zhvillimi arealin dhe truallin shqiptar duke u nisur nga e përditshmja për të arritur në deduksione (përfundime) befasuese sociologjike.
Për paralelizëm, poeti rebel Xh. Spahiu arrin në një konstatim historik. Në një nga shkreptimat (shkurtimat) ai shkruan:
 
Tehut të shpatës kemi ecur rrufe, / Pastaj shpata ka ecur mbi ne.
 
Thjesht me dy fjali na jep historinë historike shqiptare.
Çuditërisht, po te protagonisti ynë Zyhdi Dervishi, si analoge të këtyre dy vargjeve, në f. 54 të titulluar Kuja e gjysmave, në mënyrë të thukët gjejmë historinë bashkëkohore 30-vjeçare shqiptare; gjejmë largim dhe rrënim Shqiptarësh e Shqipërie:
 
Vendi im – dhimbja ime / vetëngujuar brenda mureve / hijerëndë të vetëmarrisë / ende jeton si eremit.
Dhimbshëm gjysmën e pasurive / e shpenzon për të blerë eksplozivë / dhe gjysmën tjetër e shpërthen me dinamit.
 
Poezia e Zyhdi Dervishit është një poezi dinamike, shkundëse toke e mendimi njerëzor. Herë-herë, ajo merr trajtën e një poezie haluçinante për kohën, por që, nuk vonon dhe vjen koha që vizioni i tij përmbushet.
Kështu, për shembull, mjaft interesante është poezia HARAM (f. 63), një krijim vizionar apokaliptiko-profetik.
Poezia përvijon kështu:
 
Pallatet shumëkatëshe / lëkunden si lëvozhga / arrash të zbrazëta / në dallgët e cunamit.
Peizazh i trishtë / paraprojektuar nga gaforret / e egoizmit të ndërtuesve / ose të haram – haramit.
Kjo poezi e lexuar në kohë reale, do të merrte trajtën e një poezie haluçinative, nostradamse, ngaqë është shkruar në Tiranë, në 4 Tetor 2018, një vit e pak përpara tërmetit rrënues të 26 nëntorit 2019.
Çuditërisht, poezia “tërmetore” është sërish e pranueshme te Zyhdi Dervishi.
Te Brishtësia e maleve (f. 106, shkruar në 26 prill 2016) gjejmë:
Malet vetëvriten me dinjitet / duke ndezur dinamitin / vetëshkatërrues të tërmeteve.
 
***
Poezia e Zyhdi Dervishit nuk është poezi ëndërrimtare, as adoleshenteske, por një përmbledhje kuintesenciale e përditshmërinë së kthyer në art.
Një ndër problemet e mprehta të Tiranës (dhe të krejt qyteteve të mëdha) është ndotja e mjedisit, për të cilën shkenca u bie pareshtur kambanave të alarmit. Të gjithë e dimë që shirat sot janë të ndotur, janë smog i gjallë, i shndërruar në një makth të përglobshëm.
Artistikisht, poeti këtë dukuri atmosferike e shpreh:
 
…shirat janë ngopur / me avujt e urinë-ligësive / të burrecëve-kërma.
Për të larë shiun e gjithë / planetit na duhet / një superlavanderi.
 
Në poezinë e Zyhdi Dervishit spikat një cikël i veçantë me vetëportrete ku është artizuar bota shpirtërore jo e blertë!, shpesh më e zezë se e bloza. Në mënyre sa eksplicite aq edhe implicite, te ky cikël duket se autori i ka dhënë shumë kësaj shoqëria pa marrë (gati) asgjë duke ecur në këtë shoqëri kryelartë, burrëror, pa i pasur borxh moral askujt; gjithçka e ka arritur me punë e duke kapërcyer me dinjitet çdo pengesë të ngritur.
Si epitomë e këtij cikli qëndron poezia lakonike prej së cilës çdo lexues kupton qartë se më ç’sërë vlerafisnike, se me ç’specie të rrallë vleradhënëse kemi të bëjmë.
Kur, kjo botë e ulët qaramane, zvarritëse, zhvatëse, rrëmbyese, qylaxheshë e xhabaxheshë, kur kjo njerëzi të lë të keqen si kopilin në derë, Zyhdi Dervishi shkruan krijimin epitomik:
Egoizmi im (f. 154, dt. 22 janar 2019)
 
Të gjithë lumenjtë, detet / dhe oqeanet e helmeve / dua t’i pi vetë.
Asnjë shpirt tjetër të trazuar / në fytyrë të Dheut të mos ketë.
 
***
Një vend dinjitoz në krijimtarinë e Zyhdi Dervishit zënë edhe imazhet mbresëlënëse. Po mjaftohemi me poezinë “Luftanije e gurtë”:
Sipas poetit, kështjella e Kastriotëve, parë nga majëmali i Krujës, duket si luftanije e gurtë. (f. 68)
Apo me poezinë e titulluar “Arrati”:
Te çdo njeri fle skeleti i një kufome (f. 72).
 
***
Zyhdi Dervishi është një fshikullues i pamëshirshëm i veseve njerëzore. Kryevesi, sipas autorit është (dhe ne pajtohemi plotësisht!) mosmirënjohja: Sipas tij, “Analfabeti më mjeran” (f.77) është dikush që, edhe pse mund t’i qaset shekullit, nuk arrin kurrë të mësojë ABC-në e mirënjohjes.
 
***
Në disa nga krijimet e autorit ndihet jeta e vështirë, (pa fëmijëri, shkruan te poezia kushtuar Sazan Golikut, f. 138), i shfaqen si hije hijenat nga pas që gjithë jetën s’i janë ndarë, përdor shpoti dhe sarkazëm te cikli “Në kudhrën e vampirëve”.
Nga pikëpamja ideo-artistike në këtë vëllim me larmishmëri temash, ndjehet një shpirt qelibar, por i përndjekur, i palënë qetë, i trazuar nga qafirë e vampirë.
Thikën shtrënguar në morsën / e përçudshme me dhëmbë vampiri/ ma ngulët prapa shpine.
Ende buzët i keni / me gjakun tim të ngrirë.
Hija e hipokrizisë në fytyrat tuaja / edhe diellin e prillit / e eklipson pa mëshirë.
(Vampirët, f. 82)
 
Imazhet e reve, të detit, të maleve që mund të vetasgjësohen veçse nëse ndezin veten me dinamit, uji në të gjitha format e mundshme (i ëmbël, i kripur, lumor, liqenor, detar, pështymor, tokësor e qiellor) shërben ku si alkimi e ku si grasatim që vargu të jetë i njomë, të rrëshqasë pa angullitur a rrapëllirë aspak-askund-kryefund.
Poezia e Zyhdi Dervishit na shpaloset me një gjuhë të zhdërvjellët. Autori shfaqet si mjeshtër në lëvrimin e Fjalës dhe në larmishmërinë e figurave letrare (epitete goditëse, metafora të bukura, krahasime epike, skandime vargu, aliteracione zëzëllitëse …)
Ajo nuk është hermetike, nuk është bulevardeske, as asfaltore, as sallonesh.
 
***
Vëllimi ngjall edhe kërshëri leksikore. Në këtë vepër letrare poetike nuk mungojnë as fjalëformime të bujtura natyrshëm, larg artit për art, larg artificializmave.
Ja disa:
Kodërza (38), Formulaike (40), Erërënda (emër), Trilltrazuar, Portretshëmti (80), Botërim (142), Gjithëligshme (142), Shpirtlugat (142), Maskëdhurata (150), Falseleganca (161) , superlavanderi, Burrecëve-kërma etj.
Fjalët kyç në këtë vëllim janë:
Natyra, malet, deti, reja mistike, gjaku, dielli, rrufeja, vetëtima, drita, arkivoli, kryqëzimi, hija, kozmika, dy botët, balsamosja, brenga, maska, jeta, vdekja, testamenti.
Por nuk mjaftohemi vetëm me kaq. Qëllimisht lamë për në fund një tufë kompozitash interesante me gjymtyrën e parë fjalëformuese vetë + fjalën bazë (Fjalët shkruhen bashkë.).
Kështu kemi njëmbëdhjetë fjalëformime me gjymtyrën e parë fjalëformuese vetë, të cilat janë:
Vetëtransplantim; vetëmarri; vetëmohim; vetëverbim; vetëklonim; vetëportret; vetëprofil; vetëvetore; vetepitaf; vetëngujuar; vetëshkatërrues.
E lamë për në fund këtë fjalëformim interesant me gjymtyrën vetë+…, pasi kjo në mënyrë sa të dukshme, aq edhe të padukshme (eksplicite / implicite) dëshmon për një veçori të karakterit të tij.
Gjithçka në jetë, ai e ka arritur vetë, pa ndihmë, pa përkrahje. Duhet lexuar libri, i cili rrjedh krejt natyrshëm për të vënë re dallimin midis vetës dhe unit egoisto-individualist, i cili i ka ngulur gëthapët a tentakulat kësaj bote.
Prania e këtyre kompozitave me elementin fjalëformues vetë nuk janë aspak rrahagjoksëse, përkundrazi: mohim i vetvetes, asgjësim i vetvetes, epitaf për vetveten etj.
(Kujtoni edhe njëherë unin e tij f. 154.
Të gjithë lumenjtë, detet / dhe oqeanet e helmeve / dua t’i pi vetë.
Asnjë shpirt tjetër të trazuar / në fytyrë të Dheut të mos ketë.
(Egoizmi im)
 
***
Autori, prof. Zyhdi Dervishi, rastësisht apo qëllimisht (pavarësisht se nuk ka asgjë rastësore!) në çdo pesë vjet fapëtin e bubullin në arealin botues shqiptar me nga një vëllim poetik.
Kështu, në vitin 1999 botoi vëllimin Qiej të përthyer; në 2004, Jehonëlebetia; në 2009 Vetëklonimi i maskave; në 2014, Mokra e hijeve dhe, në 2019, vëllimin për të cilin po flasim, Në kryqin e udhëkryqit.
Teorikisht dhe inercisht, vëllimi tjetër pritet në vitin 2024 edhe pse çdo lexues i vëllimeve të tij do të dëshironte të paktën nga një vëllim për vit.
Nuk na mbetet tash tjetër veçse ta përgëzojmë autorin Dervishi për poezinë e fuqishme e mbresëlënëse, realiste, për gjuhën e kuptueshme, për stilin e veçantë, për imazhet e fuqishme që shpeshherë u ngjajnë vetëtimave të degëzuara, maleve të larta, zgafelleve e katakombeve, për poezinë zenitore-nadirore, por, përse jo, edhe për imazhet me frymë bodleriane , të cilat para 1990 as që mund të shkoheshin nëpër mend që të botoheshin, madje do të damkoseshin si poezi ku e vranët e ku e zymtë, ku zien kazani i pesimizmit ziftkatran, ku lakohej Bota Tjetër – poezi këto që do t’i kushtonin me siguri poetit disa vjet të mira “Hotel pa pagesë”, por që sot nuk ngjyen fjala pesimizëm pasi, kush më shumë e kush më pak përshëndetet e kaplohet ku nga pesimizmi e ku nga trishtimi, ku nga brenga e ku nga mërzia e hidhërimi, pasi e tillë është Jeta me ulje-ngritjet e saj: i tillë është realiteti bombardues, e tillë është përditshmëria e gjithkujt.
 
Urime Zyhdi DERVISHI!
 
Nga: Viktor BAKILLARI
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s