Ylli Hoxhaj në 80-vjetorin e lindjes / Nga: Kujtim Mateli

 
Ylli Hoxhaj në 80-vjetorin e lindjes
 
Ylli Hoxhaj u lind më 11 Qershor të vitit 1942 në Xhanar të rrethit të Përmetit. Bukuritë e vendlindjes së tij në luginën e Vjosës do ta mbushnin poetin e ardhshëm me frymëzim për ta derdhur këtë bukuri në vargje. Vitet në shkollën e Këlcyrës i dhanë mundësinë ta njihte më mirë vendlindjen, t`i shkelte me këmbë ato vende, që në fëmijërinë e tij, i shikonte i mahnitur ballkoni i Xhanarit, siç ishte Gryka e Këlcyrës. Një dimension tjetër do të formohej te Ylli gjatë viteve që vazhdonte shkollën në Këlcyrë. Do të fillonte, që nën ndikimin e poetëve që kishte mësuar në librat e shkollës, të shkruante ndonjë poezi, të miqësohej me shokët e klasës që ishin banorë të qytetit të Këlcyrës apo të ardhur nga fshatrat përreth. Këlcyra ishte bërë kryeqendra e rreth 50 fshatrave dhe rrezatonte fort në të dy krahinat rrotull saj siç janë Malëshova dhe Dëshnica. Më tej, në juglindje, qyteti i Përmetit ishte simbol i bukurisë, por edhe i kulturës përmetare. Dhe Yllit fëmijë, ky qytet, i dha përjetësinë e dashurisë për artin dhe kulturën.
Më vonë Ylli do të vazhdonte studimet në shkollën e mesme “Pandeli Sotiri” Gjirokastër. Kjo shkollë ka qenë në ato vite institucioni arsimor më i rëndësishëm në Shqipërinë e Jugut. Ishte fat të studioje atje në ato vite.
Atje poeti ynë do të hidhte hapat e para në fushë të letërsisë me disa krijime poetike. Kurioz për ta njohur letërsinë në të gjithë dimensionin e saj që kishte krijuar në ato vite letërsia shqipe e pas Luftës, dëshira për ta thënë poetikisht mendimin e tij që sa vinte e kristalizohej, sollën në vitet `60-të një cikël poetik me nivele të larta artistike që mund të thuhet se, pavarësisht se nuk u njoh sa duhet në nivel kombëtar, u bë pjesë e letërsisë shqipe të atyre viteve. Ylli Hoxhaj do të përfundojë Universitetin e Tiranës në degën gjuhë-letërsi shqipe dhe më vonë ka kryer studimet pasuniversitare, i specializuar për pedagogji dhe psikologji. Ka punuar në shkollat e mesme Këlcyrë dhe Përmet, në Seksionin e Arsimit të rrethit Përmet dhe për disa vite në Kabinetin Pedagogjik me detyrën e metodistit dhe të drejtorit.
Ylli Hoxhaj ka studiuar shumë për t`u pajisur me kulturë të gjerë në disa fusha të dijes njerëzore. Megjithëse jetoi në vendlindjen e tij në Përmet, larg kryeqytetit që të krijonte kushtet për të depërtuar më shpejt në misteret e dijes, u shqua në mjedisin përmetar si një nga njerëzit më të ditur të kohës. Energjik dhe i palodhur, i pajisur me kulturë të gjerë gjuhësore dhe letrare, pedagogjike dhe psikologjike, ka qenë një nga mësimdhënësit dhe metodistët më të mirë në rrethin e Përmetit. Te çdo mësues apo kushdo që u njoh me të, ka mbetur dhe do të mbetet njeriu i vlerave të rralla.
 
2
Në vitin 1998, Ylli Hoxhaj do të dilte para lexuesit me librin e parë “Profile” për veprimtarinë në 40 vite (1957-1997) të shkollës së mesme “Sami Frashëri” të qytetit të Përmetit. Në këtë libër do të vijnë momentet më të rëndësishme të kësaj shkolle kryesisht nëpërmjet profilit të mësuesve që e lartësuan dhe e bënë një nga shkollat më të rëndësishme në vendin tonë. Në libër do të gjesh mësues dhe nxënës që më vonë u bënë personalitete të rëndësishme në jetën e vendit duke bërë pedagogë dhe profesorë të dëgjuar me tituj e grada shkencore. Ky libër përbën gurin e parë të hedhur në ndërtesën e kësaj shkolle, e cila në shekuj do të lartësohet akoma më shumë dhe do të shoqërohet me libra të rinj nga brezat që vijnë. Por ky libër i të shumëditurit Ylli Hoxhaj do t`u tregojë brezave se Përmeti dhe përmetarët kanë shenjuar gjithmonë disa pika kulmore në historinë dhe arsimin shqiptar.
 
3
Botimi i vëllimit poetik “Balada pa mite” në vitin 2006, shënoi për poetin Ylli Hoxhaj një pikë kulmore të krijimtarisë së tij. Disa nga poezitë e këtij vëllimi ishin shkruar në vitet 60-70 të shekullit të kaluar. Qysh me poezitë e para, ka treguar se ato janë produkt i një meditimi të thellë mbi shoqërinë e viteve 60-70-të, e cila ndodhej në vorbullat e një rrethrrotullimi misterioz, ku s`kishte rrugëdalje. Duke depërtuar nëpërmjet poezisë tek gjendja e amullt e shoqërisë që i kishte ndërprerë urat e komunikimit me të shkuarën e afërt e të largët të shoqërisë shqiptare, zbardhja e realitetit ku ndodhej vendi, e solli poetin e ri në oponencë me vetë regjimin komunist.
Pas viteve 1990, me krijimin e kushteve të reja demokratike, edhe Ylli Hoxhaj e ndjeu thellë lirinë e shprehjes dhe muza e tij poetike u ringjall përsëri. Realiteti i ri shoqëror kërkonte mjete të reja shprehëse dhe poeti e gjeti veten tek disa balada që i shkroi në këto vite. Poeti do të depërtonte në realitetin e ri dhe do të gjente aty, çfarë kishte dëshiruar gjatë gjithë jetës së tij, por jo ashtu siç e kishte ëndërruar. Rrugëtimi i vështirë i tranzicionit shqiptar, bijtë dhe bijat do t`i largonte larg, madje më larg seç na thonë legjendat, ku caku i fundit gjendej pas nëntë malesh. Ku ta gjeje që djemtë dhe vajzat t`i kishe larg nëntë male kaptuar!!! Tani ata ishin nëntë shtete larguar. Këto ndjenja të trazuara, poeti do t`i përjetësojë në poezinë “Prindër të vetmuar”, në disa poezi me këtë temë dhe në disa balada që shënojnë arritje në krijimtarinë e autorit.
Disa lirika filozofike shquhen për një shkallë të lartë meditimi, i cili është kristalizuar nëpërmjet një gjuhe të figurshme duke e nxitur lexuesin të marrë pjesë në zbulimin e së vërtetës. Edhe shkenca, edhe letërsia, kanë objekt të tyren zbardhjen e së vërtetës. Ndërsa shkenca e zbardh të vërtetën me anë të logjikës duke u mbështetur mbi prova apo dëshmi, e vërteta në letërsi zbardhet nëpërmjet përjetimit emocional, nga një gjuhë e figurshme me kombinime të thjeshta të cilat hedhin dritë për të parë realitetin e panjohur më parë. Procesi krijues i poetit Ylli Hoxhaj e ka sjellë estetikisht realitetin e shoqërisë shqiptare, që njerëzit te poezia e tij të shohin të vërtetën. I gjithë ky proces, është vënë në lëvizje nëpërmjet frymëzimit që duket te poezitë më të realizuara të tij, duke dhënë imazhe të reja të panjohura më parë. Imazhet e reja e çojnë lexuesin te mendimet dhe idetë e reja dhe kjo ndjehet dukshëm duke lexuar poezitë e vëllimit “Balada pa mite”, e cila është një krijimtari origjinale që do të mbetet burim frymëzimi për ne dhe brezat e ardhshëm.
 
4
Në vitin 2009 Ylli Hoxhaj botoi librin me tregime e novela “Deri te kloni…”. Tematika është marrë nga vitet e socializmit deri në vitin e mprapshtë 1997. Jeta shqiptare në vitet e socializmit ishte e kufizuar brenda një atdheu të rrethuar nga telat me gjemba dhe i ruajtur egërsisht nga grykat e kallashnikovëve që kishin rrëzuar shumë jetë njerëzore.
Autori, duke e parë historinë nga një pikë kulmore siç ishin vitet e demokracisë, i ka vendosur personazhet nën diktaturën komuniste në dimensione sa komike aq dhe tragjike. Personazhet e këtij vëllimi me tregime janë vendosur në përballjen e tyre tragjike me shtetin dhe pushtetin e kohës. Sado e vështirë që ishte kjo përballje, sado që forca e shtetit i burgosi njerëzit që mendonin ndryshe nga politika zyratare e kohës, as nuk mpaku dhe as nuk e plaku shpirtin liridashës të popullit. Personazhet që përfaqësonin shtetin dhe pushtetin janë vënë pozicione komike përballë mençurisë popullore dhe përfaqësuesve të saj që ishin njerëzit që punonin në ara apo kullotnin tufat e bagëtive.
Po aq tragjik ishte dhe viti 1997. Shteti i ri demokratik i pas vitit 1990 u shkërmoq, se ishte i ndërtuar mbi mentalitete komuniste, prej të cilave drejtuesit e rinj nuk ishin çliruar akoma. Tregimet dhe novelat e shkrimtarit Ylli Hoxhaj i kanë dhënë këto periudha kohore në dramacitetin dhe tragjizmin e tyre nëpërmjet personazheve të skalitur nga një dorë mjeshtërore. Disa nga personazhet janë karaktere të spikatura, që e përfaqësojnë Shqipërinë dhe shqiptarët në një hark kohor 50-vjeçar që mund të karakterizohet në rrafshin historik si Epoka e Absurdit.
 
5
Në vitin 2009 Ylli Hoxhaj do të dilte me monografinë “Njeriu vlen aq sa i vlen puna që bën” për njërën nga figurat më të shquara të mjekësisë, doktor Gëzim Kotorri. Në këtë libër është takuar poeti me studiuesin, duke na dhënë një monografi të përkryer në llojin e vet. Aty është jeta njerëzore e një njeriu me emrin Gëzim, është jeta e një qyteti, është jeta njerëzore në përmasat e saj filozofike. Aty nuk është vetëm doktor Gëzimi. Aty janë familjarët e tij, është Kreshova e Përmetit ku u lind më 20 korrik 1952, është Frashëri që është bërë simbol i atdhetarizmit, është Përmeti dhe qyteti i Përmetit që kushdo do të kishte dëshirë ta shënonte si vendlindje në identitetin e tij, është Gjirokastra ku Gëzimi la gjurmët e një njeriu që nuk do t`i përkiste vetëm vetes së tij. Aty është Tirana, ku figura e mjekut do të lartësohej dhe do të merrej si model i mirësisë. Gëzimi u nda nga miqtë dhe shokët, kolegët e tij të punës më 2 nëntor 2008, por do të mbetet i paharruar nga miqtë dhe shokët e tij, do të mbetet i paharruar dhe nga kjo monografi e shkrimtarit Ylli Hoxhaj, ngritur si përmendore e pavdekshme për të.
Talenti i shkrimtarit Ylli Hoxhaj do të kurorëzohej me një tjetër monografi “Ëndrra të këputura” 2011, kushtuar të talentuarit Dashamir Hoxhaj, i cili u lind më 19 korrik 1961 në Xhanar të Përmetit dhe jetoi vetëm 26 vite, por të mbushura me vrullin rinor dhe pasionin për skenën. Mbaroi Akademinë e Lartë të Arteve për aktor, por jeta e shkurtër nuk e la që ta jepte të plotë profilin e artistit në skenë apo në filma. Artisti Dashamir Hoxhaj la një Ditar ku jepet vizioni i tij për të ardhmen, dëshirat e tij të panumërta, por edhe shqetësimet mbi sëmundjen dhe guximin për ta mposhtur atë nëpërmjet skenës dhe dashurisë që kishte për miqtë dhe shokët e tij.
Shkrimtari Ylli Hoxhaj nëpërmjet kësaj monografie përcjell idenë se në jetë nuk kanë rëndësi sasia e viteve, por intensiteti me të cilën e jeton dhe modelin e njeriut që lë për të tjerët.
 
6
Në vitin 2016, Ylli Hoxhaj botoi librin me ese, studime dhe kritikë letrare “Me miqtë e mi krijues”. Është puna e tij në vite për figurat e njohura të letërsisë shqipe duke filluar me Poetin Kombëtar Naim Frashëri. Aty do të gjesh eseistin dhe kritikun letrar, studiuesin e letërsisë dhe të këngës popullore. Në këtë libër gjenden ese të ndërtuara mbi tema që lidhen me identitetin tonë kombëtar, për ruajtjen e traditave dhe zakoneve më të mira që populli ynë ka krijuar në shekuj. Do të gjesh kritikun e mirëfilltë për një vepër letrare. Shumë autorë të rinj përmetarë dhe më gjerë janë ngritur artistikisht edhe nën përkujdesjen e shkrimtarit dhe kritikut Ylli Hoxhaj. Me njohuritë e thelluara si kritik letrar, veprat e vlerësuara prej tij kanë shkuar më shpejt te lexuesi.
 
7
Ylli Hoxhaj arriti në kuotën me numër 80-të në rrugëtimin e jetës së tij, tashmë larg Atdheut dhe vendlindjes, në skajin verior të kontinentit evropian, në Norvegjinë e mbushur me shqiptarë nga të gjitha trojet, me të cilët ka ndarë këto vitet e fundit të jetës së tij. Po kaq i pranishëm ka qenë dhe me ne që jetojmë në Shqipëri, me shkrimet në faqet e gazetës “Dëshnica”, me librat e tij që kanë zënë rreshtin e parë në bibliotekat tona. Një rrugëtim i bukur me sakrifica dhe përpjekje për të bërë më të mirën për vendlindjen e tij dhe për Atdheun.
Në kompjuterin e tij të mbushur me shkrime e libra të përfunduara dhe ende të pabotuara, mund të bëhet një listë, që në vitet në vijim presin dritën e botimit. I presim këto libra të Yllit, se gjithmonë na ka befasuar me krijimtarinë e tij. Ndaj i urojmë të vazhdojë të shkruaj dhe të mos e ndërpresë kurrë komunikimin me lexuesin, i cila e ka dashur dhe e do, si krijimtarinë e tij letrare, ashtu edhe Yllin njeri, atë njeriun e dashur dhe fisnik, fjalëëmbël dhe të kudondodhur në ndihmë të krijuesve dhe mësuesve të rinj.
I uroj që 100 vjetori i ditëlindjes së tij ta gjejë me kompjuterin përpara dhe t`na befasojë me shkrime dhe libra të rinj.
 
 

Nga: Kujtim Mateli

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s